spot_img
E diel, 28 Dhjetor, 2025
18:51
Home Blog Page 1669

Aktakuzë ndaj një personi në Gjakovë për trafikim me njerëz

0

Që nga muaji mars i vitit 2021 deri në janarin e këtij viti i pandehuri A.P ka marr pjesë në trafikimin me njerëz me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, mënyrës së përfitimit përmes punës së detyruar dhe veprime të tjera të dhunshme, kontrolluese të përcjella me maltretimin fizik dhe psikik me qëllim shfrytëzimi për përfitim ndaj të dëmtuarës A.V.

Prandaj, sipas Prokurorisë në Gjakovë, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz’’ i përcaktuar me Kodin Penal.

Në bazë të kësaj aktakuze, ky organ i ndjekjes në Gjakovë i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor sipas ligjit për veprën penale e cila e ngarkon atë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit A.P., për veprën penale “Trafikimi me njerëz’’ nga neni 165 par.1 të KPRK-së. Sipas aktakuzës ndër tjera cekët se i pandehuri A.P., nga muaji marsi i vitit 2021, e deri me datë 30.01.2024, në Gjakovë, merr pjesë në trafikimin me njerëz me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, mënyrës së përfitimit përmes punës së detyruar dhe veprime të tjera të dhunshme, kontrolluese të përcjella me maltretimin fizik dhe psikik me qëllim shfrytëzimi për përfitim ndaj të dëmtuarës A.V. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz’’ nga neni 165 par.1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie.

Gërvalla në prag të zgjedhjeve në SHBA: Nuk shoh sinjale të ndryshimit të përkrahjes për Kosovën

0

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë të hënën se nuk ka parë ndonjë shenjë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mund të pësojë ndryshime pas zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

“Jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, pra të atij republikan dhe atij demokrat. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës”, tha Gërvalla kur u pyet në një konference për media se çfarë pret në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pas zgjedhjeve atje të martën.

Në garë për të presidentin e ardhshëm amerikan janë Kamala Harris, nga Partia Demokratike, aktualisht nënpresidente, dhe Donald Trump, nga Partia Republikane dhe president nga viti 2017 deri më 2021.

Gërvalla tha gjatë konferencës së përbashkët në Prishtinë me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Xavier Bettel, se Kosova do t’i forcojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duke i kryer “detyrat e shtëpisë”.

“Duke çuar përpara agjendat e reformave dhe duke vendosur ligjin në çdo cep të Kosovës, duke luftuar krimin e organizuar, kështu forcohet partneriteti me SHBA-në. Nuk forcohet me fjalë dhe deklarata, por me punë konkrete”, tha ajo.

Administrata e tanishme amerikane, ku bën pjesë Harris, ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trump si president ka qenë dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.

Për analistët në SHBA, situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, megjithatë. Fillimisht, me luftën në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe kontestin territorial në Detin e Kinës Jugore, Kosova nuk do të depërtojë lart në agjendë, sipas tyre.

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, tha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes.

Wisner nuk pret ndonjë lëvizje në këtë drejtim, nëse Harris zgjidhet presidente.

David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias, ndan pikëpamje të ngjashme për Harrisin, pasi nuk pret ndonjë veprim domethënës prej saj në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, për Trumpin, pritshmëritë janë dukshëm më shqetësuese.

Të dy ekspertët druajnë se qasja e tij “transaksionale” mund të çojë në pasoja të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë, duke e kujtuar një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, e përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Phillips tha, po ashtu, se Trump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia. /REL

Në mungesë votash, ndërpritet seanca e Kuvendit të Kosovës

0

Me të përfunduar fjalimet e deputetëve, është ndërprerë seanca plenare e Kuvendit ku u diskutua për RTK-në meqë nuk kishte vota të mjaftueshme në sallë aq sa ishin të nevojshme për vendimmarrje.

Kreu i Kuvendit tha se nuk ka numra t’i jepet epilog çështjes, prandaj seanca ndërpritet.

“Meqë tash është pjesa ku detyrohemi t’i qesim në votim një nga një këta, konstatoj që Kuvendi nuk i ka numrat që t’i jepet epilog kësaj çështje, kështu që mbetet një ditë tjetër, këtu e ndërpresim seancën”, tha Konjufca

Përplasje pozitë-opozitë për RTK-në

Me përplasje mes pushtetit e opozitës ka nisur vazhdimi i seancës plenare që ishte ndërprerë në mungesë kuorumi të enjten e javës që shkoi.

Seanca nisi me pikën për RTK-në që kishte si kërkesë shkarkimin e Bordit të RTK-së. Në emër të deputetëve nënshkrues të PDK-së foli Eliza Hoxha.

PDK kërkon shkarkimin individual të anëtarëve të Bordit të RTK-së

“Kujt i shërben RTK sot dhe a është kjo RTK që Kuvendi i Kosovës si themeltar i saj e dëshiron. Këto janë dy pyetje që do të duhej të merrnin përgjigje nga prizma të ndryshme për brengën që sot do ta trajtojmë brenda kësaj seance. Arroganca e numrave në këtë Kuvend, mendjet paranojake dhe njerëzit pa ide, vizion e pasion për RTK në që kanë marr mandat si bord në këtë Kuvend na shpërfaqin idenë e vërtetë se si LVV-ja e dëshiron RTK-në”, tha ajo.

Sipas saj, RTK-ja dështoi tu qëndrojë besnike parimeve themelore të gazetarisë e ligjshmërisë për të verifikuar faktet dhe cituar burime të besueshme të lajmeve që i transmeton.

“Në këtë mënyrë lajmet e rreme në RTK të cilat citonim po ashtu një medium boshnjak artikulli i të cilit edhe mund të jetë shkruar ndoshta në zyrat e LVV –së në Prishtinë përbëjnë direkt cenim të sigurisë dhe jetës së gazetarëve dhe këtyre mediumeve nga njëra anë dhe shpërfaqin në anën tjetër fushatën qeveritare kundër medieve dhe fjalës së lirë si vlerë kushtetues e demokratike e shtetit dhe shoqërisë sonë”, tha Hoxha.

Sipas saj, pas gjithë kësaj situate RTK-ja nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të saj.

“Përveç shkeljeve në këtë skandal televiziv e për të cilin mund të angazhohet edhe prokuroria kompetente, konsideroj se duhet ndërmerren masat për shkarkimin individual të secilit anëtar të bordit të RTK-së pasi të njëjtin dështuan për ta mbrojtur RTK-në dhe standardet e kredibilitetin e gazetarisë”, tha ajo.

Ramadani: Dyshimet mbi financimin e medieve nuk janë “fake news”, janë shqetësim real

Ndërkaq, Valon Ramadani nga Vetëvendosje tha se po të kishte opozitë serioze dhe po të ishin prej së vërteti shqetësimet e ngritura nga opozitarët për Bordin e RTK-së ky diskutim nuk do të mbahej fare.

“PDK po do ta shkarkojë një bord të RTK-së ku prej 7 anëtarëve 3 kanë dhënë dorëheqje kurse 2 prej tyre ju skadon mandati dhe tashmë konkursi është i  hapur për ta. LDK si zakonisht pas PDK-së. Pra sinqeriteti në këtë kërkesë është zero. Dëshirojnë t’i shkarkojnë ata që kanë dhënë dorëheqje. Nuk bëhet opozita kështu o kolegë, po ju shoh se keni nevojë për vite të tjera të kuptoni se si bëhet opozita”, u tha deputetëve opozitar ai.

Ramadani tha se kërkesa e opozitarëve erdhi për një lajm që RTK e shpërndau nga një medium i huaj që hedhë dyshimet mbi financat e disa mediumeve në Kosovë.

“Që transparenca financiare dhe pronësia e medieve në Kosovë përbën problematikë të theksuar këtë e ka thënë edhe Raporti i Progresit i BE-së i publikuar kohët e fundit. Dyshimet mbi financimin e medieve nuk janë “fake news” janë shqetësim real. Në këtë kohë kur në Evropë, Rusia po bën luftë reale dhe hibride, ne nuk kemi luksin të jemi demokratik në financimin me origjinë ruse ose serbe”, tha ai.

Sipas tij brengë e PDK-së është se aty janë përmendur mediumet private që tha se po ia mbajnë vijën e po u shtyjnë opinionin e tyre përpara.

“Për ta zgjidhur këtë problem është fare kollaj, le të hyn në fuqi ligji për KPM-në, që rregullon transparencën financiare, pronësinë dhe gjërat bien në vend” tha tutje Ramadani

“Por ky nuk është halli juaj, në fakt halli i PDK nuk është fare as tek RTK-ja,  as tek shërbimi që RTK i ofron qytetarëve. Fakti është që këtyre u ka humbur kontrolli mbi RTK që e kanë pasur me vite të tëra, u ka humbur mundësia që aty të keqpërdoret me kontrata me mediume që kanë marr edhe pare edhe lajme nga RTK-ja”, tha ai, derisa njoftoi se Vetëvendosje të lëshojë sallën plenare.

Ndërkaq, kreu i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri tha se kryetari i Komisionit për media nuk e di se si funksionon RTK-ja.

“Është mjerim të shohim se si kryetari i Komisionit për Media nuk e di as funksionimin bazik të RTK. Anëtarët e dorëhequr e kanë për obligim të qëndrojnë anëtar të bordit funksional”, tha ai.

Tutje sipas Tahirit të PDK-së kërkesa e opozitës ishte që nga korriku, por ishte prolonguar nga pushteti.

“Mazhoranca në çdo mënyrë e ka prolonguar pikërisht me ndodhë kjo prerje që ky bord të shkarkohet e të emërohet një bord tjetër . Ne si opozitë jemi të vetëdijshëm që nuk i kemi  numrat e nuk mund ta emërojmë një bord të ri, është përgjegjësi e pushtetit”.

Gashi: RTK dështoi të ofronte shërbimin e vetë si televizion publik

Ndërkaq, Arben Gashi i LDK-së tha se me ardhjen në pushtet, LVV-ja me mentalitetin e kapjes së pushtetit e shtetit e kapi edhe RTK-në.

“RTK dështoi të ofronte shërbimin e vetë si televizion publik dhënien e lajmeve dhe programmacionit me interes publik si rezultat i këtij dështimi LDK mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate e emisione në RTK. Si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së, kapjes së Bordit, kapjes së politikes redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik , u politizua institucioni u shkatërrua besimi ne refuzim të jemi pjesë e kësaj ndërmarrje”, tha ai.

Tahiri: E papranueshme që lajmi i rrejshëm bëhet normë

Besnik Tahiri i AAK-së tha se sot po debatojnë e flasin me qytetarët sepse mazhoranca e lëshoi sallën.

“Dua të sjellë në vëmendjen e qytetarëve që beson në liri, që beson në demokraci dhe që beson në shtetin e Kosovës si çështje që janë rreziqe të mëdha që duhet t’i kemi parasysh. E para ka të bëjë me minimin e shtetit. Një shtet e bënë të lirë e demokratik vetëm atëherë kur fjala e lirë respektohet e transmetohet përmes medieve dhe në veçanti përmes televizionit publik që i jep llogari kuvendit e ne qytetarëve të Kosovës. Është e papranueshme që lajmi i rrejshëm të bëhet normë në një institucion të pavarur të publikut, RTK-së. Lajmi i rrejshëm i cili për hir të së vërtetës ka mund dhe mundet që të rrezikojë gazetarë që përfaqësojnë portale e agjenci të lajmeve që për një kohë të gjatë ishin pjesë e linçimit publik. Për më keq në bazë të dhënave që janë bërë publike pjesë e kësaj teme përfshihet edhe agjencioni që duhej të ishte siguresa e mbrojtjes kombëtare e plasimit të vërtetës dhe po ashtu të paralajmërimit të hershëm për temat dhe jo të jetë burim i një informacioni të rremë”, tha Tahiri.

Gërvalla e Bettel konfirmojnë bashkëpunimin mes Kosovës e Luksemburgut

0

Pas konferencës për medie, Gërvalla e Bettel para gazetarëve folën për bashkëpunimin mes të dyja vendeve, duke shprehur po ashtu vullnetin për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Luksemburgut.

Gërvalla tha se partnerët e Be-së duhet të marrin seriozisht kërcënimin e Serbisë e Rusisë, për destabilizimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Vizita e zv.kryeministrit Bettel, është dëshmi e qartë e bashkëpunimit tonë, përurimi i ri i ambasadës së Luxemburgut në Prishtinë, me peshë të veçantë në këto kohëra sfiduese për rajonin dhe Evropën. Kjo vizitë sjell edhe një  marrëveshje që do të ndihmoj sektorin privat në Kosovë.  Partnerët e Be-së duhet të marrin seriozisht kërcënimet e Rusisë e Serbisë, gjitha veprimet që po bënë për ta destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera në Ballkan”, tha ajo.

Gërvalla foli edhe për bashkëpunimin me Luksemburgun në aspektin ekonomik. “Kosova po ecë me hapa të shpejtë dhe të fuqishëm në zhvillimin ekonomik, Luksemburgu është dhe ka qenë partner kyç, por edhe në rrugën tonë drejtë anëtarësimit në Be dhe NATO. Shpresojmë të mësojmë më shumë nga përvoja e Luksemburgut që është ndër shtetet themeluese të BE-së”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Luksemburgut, Xavier Bettel, vlerësoi gjithë arritjet që ka bërë Kosova këto vite dhe u shpreh i entuziazmuar me vizitën e tij të dytë në Prishtinë dhe tha se po sjellin 25 milionë euro investime.

“Jam këtu që për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme dhe do të jenë rreth 25 milionë euro investime që do të këto projekte kreative e në sektorë të IT-së, sepse është e rëndësishme për situatën tuaj ekonomike”, tha ai. Ai tha se duhet bërë çdo gjë për të shmangur luftërat.

“Nuk është vizita ime e parë, kam qenë edhe më herët, dhe ne kemi dashur të japim një impuls në zhvillimin e Kosovës, ju po ashtu s’mund të zgjedhin fqinjët tuaj, por ne mund ta ndërtojmë bashkë të ardhmen, dhe ne duam që ju po ashtu të jetoni në paqe dhe në prosperitet, unë nuk e kam përjetuar luftën, edhe të rinjtë të tjerë jo, por prindërit tanë e kanë përjetuar luftën, dhe ne duhet të punojmë për shmangie të luftës, pra të gjejmë rrugën drejt prosperitetit. Ne ndajmë të njëjtat vlera, ndajmë të njëjtin kontinent, prandaj edhe jam këtu, sepse së bashku është e mundshme të ndërtojmë diçka të qëndrueshme”.

Bettel foli edhe për raportet Kosovë-Serbi.

“Një vizitë në Kosovë nuk do të thotë një vizitë kundër Serbisë dhe një vizitë në këtë të  fundit nuk është kundër Kosovës, nëse duam dialog, duhet kontakt me të dyja vendet, situata është se disa kushte ende nuk janë përmbushur ,jam i sigurt se do të ketë një zgjidhje, jam këtu t’ju them se nuk do të nënshkruaja marrëveshje sot këtu, sikur të mendoja se diçka mund të shkoj gabim, dhe unë them se është e rëndësishme të investojmë këtu”, tha ai.

REL: Propozimi i paqes i Rusisë që parashihte “kapitullimin” e Ukrainës

0

Në fillim të bisedimeve të paqes, që nisën disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, Moska propozoi në një traktat kushtet e njëanshme që cilit kërkonin që Kievi të dorëzohej, thuhet në një draft të dokumentit të siguruar nga Systema, njësia hulumtuese në gjuhën ruse e Radios Evropa e Lirë.

Pranimi i propozimit do ta bënte Ukrainën një shtet neutral, me një ushtri të vogël e të papërfillshme, pa mbështetje për mbrojtje nga anëtarët e NATO-s dhe pa mundësi për të rimarrë kontrollin e Krimesë apo Donbasit, ku do të duhej të njihte në tërësi pavarësinë e rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut, përfshirë edhe pjesë të mëdha që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit.

Pakti i propozuar vë në pah qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, në pushtimin e Ukrainës dhe nga asnjë nga këto qëllime nuk ka hequr dorë publikisht dhe vazhdimisht ka deklaruar se do t’i arrijë. Zbulimi i këtij propozimi vjen në kohën kur lufta po shkon drejt vitit të katërt, pa sinjale të qarta për përfundim dhe në mes të shenjave se bisedimet e paqes munden të jenë opsion më 2025 apo më vonë.

Drafti – i titulluar Traktati për zgjidhjen e situatës në Ukrainë dhe neutraliteti i Ukrainës – mban datën e 7 marsit 2022, 11 ditë pasi Rusia nisi pushtimin dhe një javë pasi nisën bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë.

I përpiluar në Moskë dhe i dorëzuar te delegacioni ukrainas më 7 mars 2022, në rundin e tretë të bisedimeve –që u mbajt në qytetin Bellavezha të Bjellorusisë – ky ishte dokumenti i parë i njohur që tregonte kushtet e Rusisë për një marrëveshje të paqes pas nisjes së luftës.

Systema siguroi draftin nga një burim ukrainas, që ka njohuri me negociatat, dhe nga një burim rus i afërt me bisedimet. Burimet kanë konfirmuar autenticitetin e dokumentit. Dy burimet folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për këtë çështje.

Bisedimet nisën më 28 shkurt 2022, në kohën kur forcat ruse kishin marrë nën kontroll pjesë të territorit në jug, lindje dhe veri të Ukrainës, pjesë ku ata kishin përparuar afër Kievit, pasi mësyn përtej kufirit nga Rusia dhe Bjellorusia. Disa runde bisedimesh u mbajtën kokë më kokë, të tjerat online.

Procesi u ndërpre në fundin e prillit të po atij viti, kur të dyja palët patën mospajtime për çështje kryesore dhe pas zbulimit të mizorive të kryera nga ushtarët rusë në Buça, në periferi të Kievit pasi forcat pushtuese ishin larguar nga qyteza, teksa po tërhiqeshin nga veriu i Ukrainës. Tërheqja u bë pasi trupat ruse dështuan të merrnin kontrollin e kryeqytetit ukrainas apo që të detyronin Ukrainën të shpallte kapitullimin.

Në propozimin rus përmendeshin kushtet për neutralitetin e Ukrainës, një status që atëbotë Kievi dukej se ishte i gatshëm ta pranonte. Por, Eric Ciaramella, hulumtues i lartë në programin për Rusi dhe Euroazi në Carnegie Endowment for International Peace, tha se Putini duket se ka kërkuar “diçka më radikale, jo neutralitet, por neutralizimin e Ukrainës si shtet i pavarur. Qëllimet e Rusisë që nga fillimi ishin shkatërrimi i aftësisë së Ukrainës për të mbrojtur vete”.

Një shtet “mund të jetë neutral dhe të ketë një ushtri shumë të fuqishme dhe të jetë i aftë të vetëmbrohet… Por, kjo nuk ishte ajo çfarë kishte në mendje Rusia”, tha ai.

“Dokumenti ishte hartuar në atë formë që paraqiste Ukrainën si agresore, të mposhtur në fushëbetejë, që, në fakt, nuk përkon me realitetin”, tha Ciaramella për draftin rus që mban datën e 7 marsit të vitit 2022, të cilin e lexoi me kërkesën e REL-it. “Është vështirë të thuhet nëse kjo ishte një përpjekje e sinqertë për negocim, prandaj kushtet do të ishin të papranueshme për çdo ukrainas. Ata do ta neutralizonin Ukrainën deri në pikën sa ta bënin shtetin të paaftë për ta mbrojtur veten”.

Drafti bënte thirrje që Ukraina të tkurrte ushtrinë e saj, e cila do të duhej të kishte jo më shumë se 50.000 pjesëtarë, apo pesë herë më pak sesa kishte më 2022. Po ashtu, dokumenti kërkonte që Ukraina të mos zhvillonte apo dislokonte raketa me rreze veprimi mbi 250 kilometra. Moskës, po ashtu, sipas dokumentit, do t’i lejohej që në të ardhmen të ndalonte edhe armë të llojeve të tjera.

Dokumenti po ashtu bënte thirrje për largimin e të gjitha sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë nga Ukraina apo Perëndimi që nga viti 2014, kur Rusia mori nën kontroll Krimenë dhe nxiti luftën në Donbas.

Ukraina do të detyrohej që zyrtarisht ta njihte Krimenë si ruse dhe rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si rajone të pavarura. Kievi po ashtu do të duhej të paguante për rindërtimin në Donbas.

Pakti do ta linte Ukrainën të cunguar dhe shumë të cenueshme, me forcat ruse që do të vazhdonin të qëndronin në shtet dhe duke mos i ofruar Kievit asnjë mënyrë për të mbrojtur veten apo për të kërkuar mbështetje të sigurisë nga Perëndimi.

Dokumentet nga fazat e mëvonshme të bisedimeve, përfshirë drafte të traktatit nga 17 marsi dhe 15 prilli u publikuan më herët gjatë këtij viti nga The New York Times. Këto drafte tregonin se palët ishin afruar në disa çështje kur përparuan bisedimet dhe teksa Ukraina mposhti forcat e Moskës në veri.

Për shembull, zgjidhja e statusit të Krimesë ishte paraparë të lihej për negociata të mëvonshme dhe kërkesat tjera ruse për ndryshime në legjislacion, përfshirë gjuhët dhe mospajtimet e tjera historike. Atëbotë, palët po diskutonin për garancitë e sigurisë për Ukrainën që do të përfshinin shtetet perëndimore, megjithëse mënyrat se si do të ndodhte kjo ishte një mollë sherri për palët.

Megjithatë, Ciaramella sugjeroi se mënyrat thelbësore kanë ndryshuar pak.

“Versionet që janë diskutuar disa javë më vonë në Stamboll dhe në takimet online bazoheshin në logjikën thellësisht të gabuar ruse që përkonte me tekstin fillestar”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. “Nëse do të nënshkruhej traktati, versioni i tij përfundimtar në prill do të ishte paksa një version më i zbutur i kapitullimit ukrainas”.

Draftet e tjera po ashtu përfshinin disa nga kërkesat kryesore të Rusisë, sikurse ndalimi i përhershëm i anëtarësimit të Ukrainës në NATO, diçka që as Kievi, e as aleanca perëndimore, nuk janë të gatshëm ta pranojnë. NATO-ja vazhdimisht ka thënë se Ukraina një ditë do t’i bashkohet aleancës dhe presidenti Volodymyr Zelensky, ka kërkuar ftesë të shpejtë si pjesë e “planit të tij për paqe” që ua ka prezantuar javëve të fundit ukrainasve dhe mbështetësve perëndimorë.

Në të paktën një mënyrë, ndërkohë, kushtet e paraqitura nga Rusia për paqe janë bërë më agresive sesa ishin më 7 mars 2022.

Në shtator të po atij viti, Putini pretendoi se pesë rajone ukrainase – Krimeja, Donjecku, Luhansku, Zaporizhja dhe Hersoni – ishin pjesë e patjetërsueshme e Rusisë. Pretendimi i pabazë përfshinte pjesë të këtyre rajone që ende janë nën kontrollin e Kievit, dhe Putini ka deklaruar se kontrolli rus mbi këto territore është kusht për çdo negociatë për paqe. /REL

Dënohet me 5 muaj burg avokati që e kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi

0

Avokati Driton Dobruna është dënuar me pesë muaj burgim efektiv për kanosjen e gazetarit Vehbi Kajtazi.

Aktgjykimi është shpallur sot nga Dibran Jusufi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në seancë mori pjesë i dëmtuari, gazetari Kajtazi, ndërsa mungoi i akuzuari Dobruna.

Të premten, në shqyrtimin fillestar, Dobruna ishte deklaruar fajtor për kanosjen e gazetarit.

Dobrunës i është ndërprerë masa e paraburgimit, ndërsa dënimi ndaj tij do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Avokati nga Gjakova ishte arrestuar pas raportimit të kanosjes derisa i ishte caktuar edhe masa e paraburgimit më 11 tetor 2024.

Ndërkohë, AGK-ja kishte kërkuar reagim të organeve të drejtësisë për Dobrunën dhe gjithë ata që kërcënojnë gazetarët.

Lajm i mirë / Hapet ura e madhe e Kukësit

0

Është hapur ura madhe e Kukësit. Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se ua është një vepër mbresëlënëse.

“Hapet ura e madhe e Kukësit, një vepër mbresëlënëse, e cila çliron përfundimisht qarkullimin e ngërçosur prej vitesh dhe i jep një përgjigje kuptimplotë të gjitha qyqeve që mbushën rrjetet sociale me vrer lajmesh të rreme, ndërkohë që po siguroheshin edhe akseset e komuniteteve përreth”, ka shkruar Rama në profilin e tij në “Facebook”.

Shukri Buja në Hagë, si i dyshuar e si dëshmitar

0

Sot në Dhomat e Specializuara të Hagës është thirrur për të dëshmuar Shukri Buja. Avokati i Bujës, Taulant Hodaj në fjalën e tij, ka kërkuar pushimin e hetimeve ndaj klientit të tij, meqë Prokuroria Speciale e Hagës vazhdon ta konsiderojë atë si të dyshuar bazuar në një vendim që ishte lëshuar në vitin 2019.

Hodaj ka thënë se pavarësisht që kanë kaluar pesë vite, Prokuroria Speciale e Hagës s’ka nxjerrë asnjë aktakuzë ndaj Bujës, ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë.

Avokati Hodaj ka thënë se Buja ka të drejtë që të mos japë dëshmi, meqë ato mund ta inkriminojnë.

“Klienti ka të drejtë të qëndrojë në heshtje. Në rastin aktual, sipas rregullit 43, janë pikërisht dispozitat që vlejnë për klientin tim. Z. Buja ka ende statusin e të dyshuarit. Ai s’duhet të detyrohet të japë dëshmi që mund ta inkriminojnë. Është e drejta e tij”, ka thënë avokati Hodaj.

Prokuroria Speciale ka insistuar se dëshmia duhet të merret duke theksuar respektimin e rregullave dhe garancive që jepen rreth dëshmisë. Gjyqtari i rastit më pas ka sqaruar rreth garancive që trupi gjykues mund të japë granci se s’mund të ketë inkriminim bazuar në dëshminë që Buja mund të japë.

Hodaj më pas ka kërkuar një pauzë për t’u konsultuar me klientin e tij Shukri Bujën rreth kësaj garancie të trupit gjykues.

Buxheti i vitit 2025 / LVV-ja thotë se i ka votat, LDK-ja e AAK-ja janë kundër

0

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të hënën të mbahet seancë e re. Në këtë seancë në rend të ditës do të jetë vetëm një pikë, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2025. Pozita thekson se i ka votat për buxhet, kurse LDK dhe AAK thanë se nuk e votojnë atë.

Shefja e Grupit Parlamentar i LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se LVV i ka votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.

“Nuk është asgjë e re. Të gjitha miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, opozita nuk ka marrë pjesë. Ne, po, i kemi numrat”, tha Kusari-Lila.

Partitë opozitare LDK e AAK thanë se nuk do ta votojnë këtë buxhet. Nga PDK nuk pati deklarime për media.

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, tha se nuk do ta votojnë buxhetin, ngase, sipas tij, ka probleme serioze.

“Jo ne nuk e votojmë. Do të japim propozimet tona dhe nëse ato do të merren në konsideratë e shohim si mundësi. Ky buxhet i ka edhe dy probleme serioze.  E para ndryshim ndërhyrja e buxhetit të shtetit në ligjin për paga të sektorit publik”, tha Gashi.

Edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se nuk do ta votojnë buxhetin e vitit të ardhshëm, të cilin e ka cilësuar si varrosje e shpresës së 80 mijë njerëzve.

“Ne nuk e votojmë këtë buxhet. Ky buxhet është letërnjoftimi i kësaj qeverie që i ka mbajtur pezull për katër vite fillimisht me ligjin për paga e pastaj me koeficientin. Bie ndesh me të gjitha kriteret qe ne synojmë ti përmbushim”, tha Tahiri.

Në deklarimet për media, përfaqësuesit politikë kanë folur edhe për dialogun.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Kusari-Lila tha se Qeveria është dakorduar për marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit.

Duke folur për asociacionin, Arben Gashi tha se nuk do të lëshohet në komente, meqë, siç u shpreh ai, nuk e ka parë reagimin e BE-së.

“Nuk e kam parë reagimin e BE-së, andaj nuk do të lëshohem në komente”, deklaroi Gashi. Megjithatë ai tha se qeveria aktuale e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe Brukselit të cilat, sipas tij, janë antikushtetuese.

Kurse, Besnik Tahiri tha se BE-ja duhet t’i heq sanksionet ndaj Kosovës.

“Çështja e parë është që BE-ja të largojë sanksionet. Nuk ka logjikë që ne të kemi sanksione e Serbia pas Banjskës, pa sanksione”, deklaroi Tahiri.

Sa i përket Asociacionit, Tahiri tha se qeveria e ka pranuar atë.

Forumi Ekonomik i Vjenës / Kurti me ofertë për ata që duan të investojnë në Kosovë

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz morën pjesë mbrëmë në pritjen mirëseardhëse që i paraprinë Forumit Ekonomik të Vjenës, i cili mbahet sot.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti falënderoi organizatorët e forumit dhe pjesëmarrësit e tij.

“Ai tha se ditëve tona bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë, dhe se përgjatë këtij forumi Republika e Kosovës do të paraqesë ofertën e saj se pse investitorët e huaj duhet ta hedhin shikimin kah vendi ynë për mundësi të investimeve dhe rritje të shkëmbimeve tregtare”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kryeministrit.

Edicioni i 21-të i këtij forumi po zhvillohet me temën “Ekonomia rajonale si pjesë e ekonomisë evropiane dhe globale”. Prezantimet dhe diskutimet do të mbahen në katër sesione të ndara. ‘Bashkëpunimi ekonomik është më i rëndësishëm se kurrë më parë’”, thuhet në njoftim.