spot_img
E shtunë, 2 Maj, 2026
18:14
Home Blog Page 1804

Kurti: Kosova dhe Shqipëria, shprehje e një aspirate për bashkimin kombëtar

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se dy shtetet tona edhe pse të themeluara me një distancë kohore nga njeri-tjetri janë shprehje politike e së njëjtës aspiratë shekullore për ruajtjen e identitetit dhe bashkimin kombëtar.

Ai ka theksuar se të dyja shtetet kanë shumë punë për të bërë për të lehtësuar bashkëpunimet e natyrshme midis qytetarëve të të dyja shteteve.

“Kuvendet kanë rol të rëndësishëm për miratimin e marrëveshjeve dy palëshe dhe poashtu edhe për monitorimin e zbatimit tyre. Komisionet e përbashkëta parlamentare të ngritura enkas për marrëdhëniet dhe marrëveshjet mes dy shteteve besoj se do të ndihmonin në këtë drejtim”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se ndarja e 4 milionë eurove të buxhetit të Kosovës për Luginën e Preshevës duhet të jetë shembull edhe për Shqipërinë.

“Kemi punë përpara për të bërë jo vetëm për qytetarët tanë, por edhe për ndihmuar për sigurinë dhe jetesën e dinjitetshme të shqiptarëve në shtetet fqinje në Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, si dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës në Serbi. Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë, andaj ata kërkojnë vëmendje më të madhe në bashkërendimin e politikave rajonale të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.

Ai theksoi se shqiptarët nuk janë fajtorë që janë autoktonë.

“Në buxhetin e vitit të ardhshëm kemi ndarë si Qeveri e Kosovës katër milionë euro për Luginën e Preshevës. Uroj të shërbejë kjo si një shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë Kurti.

BE-ja dërgon vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

0

Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas ka vendosur të dërgojë në Kosovë një Mision të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 9 shkurt 2025.

Përfaqësuesja e Lartë, ka emëruar Nathalie Loiseau, si kryevëzhguese, e cila është anëtare e Parlamentit Evropian.

“Misionet e vëzhgimit të zgjedhjeve në Kosovë, me kërkesë të autoriteteve të saj, do të demonstrojnë mbështetjen e vendosur të BE-së për Kosovën në përpjekjet e saj për të forcuar më tej qeverisjen e saj demokratike. Prania e misionit në terren synon të kontribuojë në një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe transparent, duke i lejuar votuesit kosovarë të shprehin qartë zgjedhjet e tyre”, thuhet në njoftimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së.

Kryevëzhduesja Loiseau tha: “Ndihem e nderuar që shërbej si Kryevëzhguesja e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve 2025 në Kosovë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të parat që do të zhvillohen sipas një ligji të ri zgjedhor, i cili ka marrë parasysh rekomandimet tona të mëparshme. Mezi pres të angazhohem me autoritetet, partitë politike, kandidatët, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesuara zgjedhore në Kosovë”.

Qeverisë Kurti s’i pëlqen fjalimi i Ramës, asnjë duartrokitje prej tyre

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kujtuar fjalët e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, për objektivat e anëtarësimit në BE, NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kuvendin e Kosovës ia tha se këto fjalë të thjeshta të Rugovës janë gjithçka, që të mos humbet objektivi historik për bashkimin në familjen evropiane dhe për të mos hequr nga mendja shansin historik, shans që shqiptarët mund ta shfrytëzojnë vetëm si “trimi i mirë me shokë shumë”.

“Plotë 20 vjet më parë në vitin 2004, presidenti gjithnjë më i pranishëm me mungesën e tij në jetën politike, tha diçka edhe për ne sot, duke na kujtuar se “objektivat e përbashkëta të Kosovës e të Shqipërisë janë integrimi në BE, NATO dhe miqësi permanente me SHBA-në. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë  të Evropës dhe botës, dhe kanë shansin historik të hyrjes me vlerat e tyre në familjen e  madhe BE. Këto fjalë të thjeshta janë gjithçka, për të mos humbur nga sytë objektivin historik të bashkimit në familjen e madhe evropiane të të dy shteteve tona, dhe për të mos hequr nga mendja se këtë shans historik, shqiptarët mund ta shfrytëzojnë më sukses, vetëm si trimi i mirë me shokë shumë”, ka thënë Rama.

Ai tha se në rrugën drejt integrimit dhe sikur Kosova të shkëlqente njëlloj sikur Shqipëria në arenën ndërkombëtare.

“Ndërkohë që Shqipëria ecë me hapa të shpejt, përfundimisht të pandalshëm për t’u bashkuar me Evropën, paramendoni se sa më krenar, do t’i bënim gjithë shqiptarët anë e mbanë, se çfarë vlere do t’i jepnim emrit të Shqiptarit dhe forcës së shqiptarisë, sikur në këtë udhëtim të ishim krah për krah me Kosovën, sikur dhe Kosova të shkëlqente njëlloj ndërkombëtarisht, duke hedhur vallen e kësaj kohe drejt shqiptarëve në një ritëm, me pagëzuesit e lirisë dhe me bekuesit e pavarësisë së saj. Sikur në sofrën e kombeve të Ballkanit të ishim së bashku, në krye të vendit, si një mishërim i vlerave evropiane, ku në këtë rajon, mos e harroni kurrë, jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit”, ka thënë Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës ka përmendur edhe gjykimin që po ndodhë në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Kransiqit dhe Rexhep Selimit.

Rama ka thënë se pa UÇK-në në krye me Hashim Thaçin, e sotmja me siguri do të ngjante më shumë me të kaluarën se sa me të ardhmen.

“Çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës në fillim të këtij shekulli. Po çfarë ne dimë me siguri që ato qaste të vendimmarrjes të mëdha, s’do të kishin ardhur ashtu siç erdhën dhe e sotmja me shumë gjasë do t’i ngjante të shkuarës sesa të ardhmes, pa UCK-në në krye me Hashim Thaçin”, ka thënë Rama.

Kryeministri shqiptar ka shprehur dhe habinë e tij se si në Kuvendin e Kosovës s’është marrë asnjë iniciativë për të ngritur shqetësimet sa i përket procesit gjyqësorë në Hagë, që sipas Ramës është nën nivelin e drejtësisë që ndodh në vendet të cilat e financojnë Gjykatën.

“Por sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e drejtësisë ndërkombëtare, që në çdo hap ka zhgënjyer këto që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.

Unë s’e kam diskutuar të drejtën e asaj gjykate speciale që ia kanë hartuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën. Por ajo që nuk vij dot deri këtu në Prishtinë të marrë fjalën dhe pastaj ta gëlltis, në këtë foltore para jush, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit dhe Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, se ai proces është proces i parregullt ligjor dhe se normat e standardet janë nën nivelin e shteteve që e financojnë.

S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, të përkrahur nga të gjitha partitë politike, për të shprehur shqetësimin e  madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim gjerësisht i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron kjo është një gjëmë e madhe, jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, dhe për Kosovën, por edhe për drejtësinë ndërkombëtare, që kjo sallë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi Republikën”, ka thënë Rama.

“S’mund të lihet një heshtje shurdhuese, që ushqehet nga motivet nga më fisniket deri tek ato politike, që ajo gjëmë ta bëjë dëmin e saj deri në fund”, ka shtuar tutje.

Rama gjithashtu ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës do të ndërmerrte ndonjë iniciativë për të votuar ndonjë rezolutë lidhur me procesin e gjykimit që po ndodhë në Gjykatën Speciale, ka premtuar se partia e tij do ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë të njëjtën rezolutë, nëse do t’i kërkohej.

Ndryshe, pas fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, deputetët e Qeverisë në pushtet nuk e përshëndetën me duartrokitje.

Osmani: Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, thelbësor në këtë kohë të trazuar

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ky takim pasqyron jo vetëm trashëgimin tonë të përbashkët, por dhe vendosmërinë e dy vendeve për të krijuar një të ardhme të denjë të mbështetur nga synimet dhe vizioni i popullit tonë.

“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje dhe më të palodhshme. Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri, një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit dhe më lartë Shqipërinë”, tha ajo.

Osmani theksoi se kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.

“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve europiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”, tha Osmani.

Osmani shtoi se parlamentet kanë një rol vendimtar në avancimin e raporteve dypalëshe.

Po ashtu, presidentja ka uruar Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në, ndërsa tha se edhe Kosova “si përherë mbetet me përkushtim të palëkundur për anëtarësim në BE”.

Spiropali: Kur jemi bashkë, bota do të mësojë forcën tonë

0

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se bashkimin e shqiptarëve nuk e zë vetëm një sallë sepse janë shumë.

Ajo bëri thirrje që shqiptarët të takohen aq sa ka bota, me miliona.

“Është kënaqësi e madhe, por ka një problem, ne që po takohemi jemi pak, do duhej të ishim më shumë, do duhej të ishim me mijëra dhe prapë pak janë. Duhet të takohemi të gjithë, aq sa jemi, aq sa shqiptarë ka bota me miliona, aq sa ka bota se nuk na zë kjo sallë. Ka salla tjera që na zë, janë fushat, luginat ku mundemi me të takohemi dhe me u çmall e me u mirëkuptua mes vete. Derisa toka të dridhet, derisa Zoti të habitet, derisa Adem Jashari të habitet në varr, derisa bota ta mësojë se çka mund të bëjmë kur jemi bashkë”, tha Spiropali.

“Realizimi i objektivit tonë strategjik është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtar e saj si një realitet i pakthyeshëm gjeopolitik. Rritja e rolit dhe peshës të çdo shqiptari në rajon si një mekanizëm i pazëvendësueshëm i stabilitetit për paqe dhe siguri, janë detyra tona, janë themelet e të ardhmes sonë. Orientimi i gabuar për shkak të zigzage të historisë, nuk është opsion për ne, andaj duhet kuptuar mirë historinë e re që po shkruhet në rajonin tonë dhe botën që po ndryshon me shpejtësi”, u shpreh Spiropali.

Konjufca: Kosova kampion i demokracisë, falënderon Shqipërinë për mbështetje ndërkombëtare

0

Kryeparlamentari i Kosoves, Glauk Konjufca, nisi fjalën në seancën e përbashkët të dy kuvende Kosovë-Shqipëri sot në Kuvendin e Kosovës.

Ai falënderoi Shqipërinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kosova mbetet një kampion i demokracisë në rajon, e vlerësuar edhe prej institucioneve perëndimore dhe me këtë duhet të krenohemi të gjithë ne si popull. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan. E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, e falënderojmë Kuvendin, Qeverinë shqiptare që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, në çdo forum të rëndësishëm të botës dhe që e drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të saj, të forcimit të ligjit e shtetit demokratik nuk mund të konsiderohet në asnjë mënyrë cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët tonë”.

Ai nisi fjalimin duke theksuar rëndësinë e sigurisë së shtetit të Kosovës dhe rajonit dhe përmendi agresionin rus në Ukrainë, e dy sulmet terroriste në Kosovë.

“Jemi mbledhur në këtë seancë të përbashkët të kuvendeve tona në fund të këtij viti për ta dëshmuar unitetin tonë përballë sfidave politike dhe atyre gjeopolitike, të sigurisë që e shoqërojnë rajonin dhe kontinentin tonë edhe gjatë këtij viti”.

Konjufca përmendi agresionin rus ndaj Ukrainës dhe tha se si rajon e Kosovë “i kemi ndier ndikimet e tërthorta dhe të drejtpërdrejta të këtij agresioni”.

“Republika e Kosovës po e mbyll edhe këtë vit e sulmuar drejtpërdrejt nga elemente që lidhen me Serbinë e që synojnë destabilizimin e brendshëm të Kosovës me metoda terroriste dhe ato të luftës hibride”.

Konjufca tha se sulmi ndaj Ibër Lepencit s’mund të konsiderohet ndryshe përveçse si sulm terrorist nga ata që refuzojnë ta pranojnë Kosovën si “një realitet sovran dhe si rend ligjor e demokratik që s’ka alternativë në tërë territorin e Republikës sonë”.

Ai tha se ky sulm ndodhi një vit pas sulmit të Banjskës, “organizator dhe mbështetës i këtij sulmi është Radoiçiqi dhe i mbështetur drejtpërdrejt nga presidenti Vuçiq dhe i cili ende mbetet i pandëshkuar nga drejtësia në Serbi që pothuajse nuk ekziston fare. Prandaj, ky përbashkim i yni sot në këtë seancë përbën më shumë se simbolikën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona. Kjo seancë duhet me u pa si dëshmi që Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht dhe duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetërgjë përveçse interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.

Mbledhja e dy parlamenteve Kosovë-Shqipëri nis me intonimin e himnit kombëtar

0

Ka filluar të mbahet seanca e përbashkët plenare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë mbledhje po marrin pjesë të gjithë drejtuesit grupeve parlamentare pozitë-opozitë të të dyja vendeve.

Hapja e seancës ka filluar me ekzekutimin e Himneve Kombëtar.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca e quajti seancë historike këtë të sotmen meqë është e para që ndodhë në Republikën e Kosovës, që e quajti si bashkim mes Kuvendit të Kosovës e atij të Shqipërisë.

Kjo është seanca e fundit në mes këtyre legjislaturave meqë edhe Kosova edhe Shqipëria do të mbajnë zgjedhje të cilat do të sjellin përbërje të re të deputetëve në të dyja vendet.

Pikat e seancës:

Arritja në Sallën e Seancave Plenare të Kuvendit të Kosovës

Hapja e aktivitetit me ekzekutimin e Himneve Kombëtar

Fillon Seanca e përbashkët plenare në Kuvendin e Kosovës

Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (10 min)

Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (10 min)

Mesila Doda, Kryetare e Grupit Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)

Besnik Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Fatmir Mediu Anetar i Grupit Parlamentar Aleanca për Ndryshim, Kuvendi i Shqipërisë (3 min)

Enis Kervan, Kryetar i Grupit Parlamentar Multietnik, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Arben Gashi, Kryetar i i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (3 min)

Gazment Bardhi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

Abelard Tahiri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Kuvendi i Kosovës (5 min)

Niko Peleshi, Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kuvendi i Shqipërisë (5 min)

Mimoza Kusari-Lila, Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Kuvendi i Kosovës (5 min)

Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë (10 min)

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës (10 min)

Mbyllja e Punimeve.

Mbledhja e dy Kuvendeve, Basha: Fasadë, Kosovës i duhet mbështetje me veprime konkrete

0

Sot që mblidhen Kuvendet e Shqipërisë dhe të Kosovës Kreu i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka dalë me një deklaratë kritikuese për bllokimin e propozimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

Basha përmes një videoje në rrjete sociale bëri thirrje për veprime konkrete për të mbështetur Kosovën, duke theksuar se vizitat dhe deklaratat mediatike nuk mjaftojnë.

“Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur rreziqet gjeostrategjike po përshkallëzohen nga Beogradi dhe Moska”, tha Basha.

“Vizita në Kosovë nga qeveria dhe shumica parlamentare është vetëm një fasadë kur në të njëjtën kohë ata bllokojnë propozimin tim për ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e Kosovës”, shtoi ai.

“Siguria e Kosovës është pjesë e pandarë e sigurisë sonë kombëtare. Shqipëria ka jo vetëm mundësinë, por edhe detyrimin të ndihmojë Kosovën në këto momente të rrezikshme, kur Beogradi dhe Moska përshkallëzojnë rreziqet gjeostrategjike.

Fjalët e mëdha dhe shfaqjet mediatike nuk i shërbejnë Kosovës. Ajo që i duhet është mbështetja jonë me veprime konkrete – si propozimi për financimin e sigurisë së saj. Le të tregojmë me vepra se siguria dhe e ardhmja e Kosovës janë prioriteti ynë kombëtar”, u shpreh më tej Basha.

Çfarë pritet të ndodhë me aktakuzën e dytë ndaj Hashim Thaçit?

0

Teksa rasti i parë gjyqësor kundër ish-udhëheqësit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po shkon drejt përfundimit në Hagë, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzën e dytë kundër tij – këtë herë për pengim të drejtësisë, duke kthyer gjithë vëmendjen mbi të dhe mbi deklarimet e tij.

Thaçi, ish-president i Kosovës, ka përsëritur, të paktën dy herë në javët e fundit, domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës nga Specialja, teksa ka përmendur se dy aktakuzat kundër tij janë ngritur vetëm pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

“Unë nuk jam pjesë e garës politike dhe as nuk kam ndonjë ambicie politike, as për president, as për kryeministër, as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për ndonjë pozitë publike. E theksoj që nuk jam pengesë dhe as nuk paraqes rrezik për askënd, në kuptimin politik, e as për ndonjë projekt qeverisës”, ka thënë Thaçi në gjyq.

Për përmendjen e Kushtetutës nga Thaçi, njohës të drejtësisë kanë pak për të komentuar. Duke mos pasur qasje në aktakuzën e plotë ndaj tij, dhe duke mos dashur të futen në spekulime, ata presin që vetë Thaçi, ose avokati i tij mbrojtës, të japin më shumë hollësi kur të deklarohen rreth fajësisë për aktakuzën e dytë.

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për të sqaruar deklaratat e klientit të tij.

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “në bazë të Kushtetutës, në bazë të Kodit të Procedurës Penale, janë disa të drejta të të pandehurit në procedurë, për të cilat ai po mendon që nuk po i respektohen”.

“Nëse aktakuza nuk është e bazuar në ligj, atëherë pa dyshim që është shkelje e Kushtetutës, sepse Kushtetuta e mbron barazinë e palëve në procedurë, i ka disa garanci për të pandehurit, që aktakuzë mund të ngrihet vetëm kur ka bazë ligjore, kur ka dëshmi, kur ka argumente”.

Thaçi duhet të deklarohet rreth fajësisë në afat prej 30 ditësh. Aktakuza e dytë kundër tij u miratua më 29 nëntor, ndërsa u bë publike më 7 dhjetor.

Miftaraj ka përsëritur thirrjet e vazhdueshme të IKD-së që gjyqtarët dhe prokurorët e Gjykatës Speciale të ruajnë integritetin e procesit gjyqësor – të sigurojnë që dëshmitarët të mos kërcënohen, si dhe të ketë pasoja për ata që e bëjnë kërcënimin.

“Thuhet se që prej vitit 2023-2024, këta persona [Thaçi dhe të tjerë] kanë marrë pjesë në frikësim të dëshmitarëve, dhe arrestimet ndodhin në fund të vitit 2024. Në aspektin penal, është e pakuptueshme se si, pavarësisht që kanë pasur informata që një vit, nuk kanë marrë veprime, por po marrin në fund”.

Miftaraj e ka konsideruar shumë të rëndësishme që të ketë epilog procesi gjyqësor kryesor, dhe që të mos marrë vëmendje procedura e dytë.

“Pothuajse në fund të marrjes në pyetje të dëshmitarëve, kur kanë mbetur edhe dy-tre muaj, të nisësh aktakuzë të re, në aspektin juridik, në aspektin logjik, nuk ka shumë kuptim”.

Një nga seancat e Gjykatës Speciale ku u paraqit Thaçi.

Lidhja e aktakuzave me zgjedhjet

Deklaratën e Thaçit, ku ai bën një lidhje mes aktakuzave dhe zgjedhjeve në Kosovë, Miftaraj e sheh si politike dhe shumë të përgjithshme.

Ndërkaq, hulumtuesi ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija, beson se ato as që do të merren parasysh nga trupi gjykues.

“Këto deklarata fare nuk kanë rëndësi për procedurat ligjore, pasi që zgjedhjet në Kosovë nuk i hyjnë në punë as mbrojtjes, dhe as Gjykatës, apo trupit gjykues në procedurat në të cilat ai ngarkohet”.

Thaçi, ish-drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, është në paraburgim në Holandë prej nëntorit të vitit 2020.

Ndërtesa e Gjykatës Speciale në Hagë.

Puna e Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Hagë.

Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Puna e Gjykatës financohet nga Bashkimi Evropian dhe nga disa vende tjera perëndimore.

Nga buxheti i Kosovës paguhen avokatët, si dhe udhëtimet e dëshmitarëve dhe vizitat e familjarëve të të akuzuarve. Çështja e dëmshpërblimit të viktimave nuk është e rregulluar mirë me ligjet, mbi të cilat është formuar Gjykata.

Si Miftaraj, ashtu edhe Alija, kanë vlerësuar se në bazë të asaj që ka qenë e qasshme për publikun, Gjykata po bën punë të mirë dhe është e paanshme.

Megjithatë, Miftaraj ka thënë se “së paku njëri prej gjyqtarëve shihet që po del prej rolit të tij si gjyqtar. Kemi parë shumë herë pyetje orientuese, pyetje sugjestive, ose në njëfarë mënyre duke bërë përpjekje që të marrë një përgjigje që atij i pëlqen ndaj dëshmitarëve”, teksa nuk ka pranuar ta identifikojë atë.

Njohësit e drejtësisë nuk shohin asnjë problem as rreth takimeve që është raportuar të jenë zhvilluar mes zyrtarëve të Gjykatës me disa përfaqësues të vendeve sponsorizuese, duke thënë se ato janë vende mike të Kosovës, dhe se nuk besojnë që në ato takime të jetë diskutuar për ndonjë rast apo provë, por për mbarëvajtjen e përgjithshme të punës së këtij institucioni, raporton REL.

Gjykata Speciale, deri më tani, ka shpallur dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Delegacioni nga Shqipëria mbërrin në Kuvendin e Kosovës për seancën e përbashkët

0

Delegacioni nga Shqipëria ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për mbledhjen e përbashkët të dy parlamenteve Kosovë-Shqipëri.

Kuvendet e të dyja vendeve sot do të mbajnë seancë të përbashkët, e cila pritet të nisë prej orës 11:00.

Kjo mbledhje do të nisë me fjalën e dy kryeparlamentareve, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, si dhe më pas pritet që edhe dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, të marrin fjalën.