spot_img
E diel, 28 Dhjetor, 2025
10:51
Home Blog Page 1673

Analiza e DW: SHBA-ja jo edhe aq demokratike sa e besojmë?

0

Kur amerikanët të zgjedhin presidentin e ri, ajo/ai me më shumë vota mund të mos jetë fituese/i. Sistemi elektoral në SHBA jodemokratik?

Për një kohë të gjatë, SHBA-ja e shihte veten si një demokraci shembullore: Një vend ku kombet e tjera mund të kthenin sytë, kur ndërtonin demokracitë e tyre pas fitimit të pavarësisë ose largimit të regjimeve autoritare. Kjo manifestohet edhe në metaforën “city upon a hill”- “qytet mbi një kodër”. Politikanët nga John F. Kennedy e deri te Barack Obama i janë referuar SHBA-së si një fener i ndezur, ku drejtohen sytë e botës. Në vitin 1961, presidenti i zgjedhur Kennedy tha se bota shikon ende nga SHBA dhe demokracia e saj dhe se “qeveritë tona, në çdo drejtim, në çdo nivel, kombëtar, shtetëror dhe lokal, duhet të jenë si një qytet mbi një kodër”.

Montazh fotografik Harris-Trump

Dy rivalët për postin e presidentit

6 Janari 2021

Edhe më 6 Janar 2021, sytë e botës ishin drejtuar nga SHBA. Ishte dita, kur një turmë ekstremistësh të krahut të djathtë, të inkurajuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, sulmuan Kapitolin e SHBA në një përpjekje për të ndërprerë transferimin demokratik të pushtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020. Edhe në një sondazh të vitit 2023 nga agjencia e lajmeve Associated Press në bashkëpunim me Universitetin e Çikagos, vetëm 10% e pjesëmarrësve thanë se demokracia në SHBA po funksiononte jashtëzakonisht ose shumë mirë.

Pra, cila është gjendja e demokracisë amerikane sot para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024?

Mësymja e Kapitolit, turma njerëzish para ndërtesës

Demonstruesit para Kapitolit më 6 janar 2021

Kongresi amerikan nuk inspiron besimin tek demokracia

“Mendoj se është e drejtë të thuhet se amerikanët nuk kanë shumë besim tani në institucionet qeveritare,” u shpreh për DW Michael Berkman, drejtor i Institutit McCourtney për Demokraci dhe profesor i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. “Ata shikojnë një Kongres që nuk po funksionon aspak mirë dhe ndeshen me disa probleme mjaft të pazgjidhshme që qeveria nuk i ka trajtuar vërtet, si dhuna me armë dhe ndryshimi i klimës.”

Me paaftësinë e tyre për të zgjedhur një lider, shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve e paralizoi Kongresin për javë të tëra në tetor 2023. Por edhe pa ndërprerje si kjo, kalimi i ndonjë ligji tek të dy dhomat e Kongresit – Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit – shkon ngadalë për shkak të partishmërisë të rrënjosur thellë mes republikanëve dhe demokratëve.

Kamala Harris udhëton për takim me votuesit në Viskonsin, Harris përshëndet para ngjijes në avion

Kamala Harris duke udhëtuar drejt Viskonsin për fushatën

Polarizim i ashpër

“Është jashtëzakonisht e vështirë, ndonjëherë e pamundur, të miratohet legjislacioni edhe kur shumica dërrmuese e publikut e mbështet një masë të caktuar,” kritikon Vanessa Williamson, bashkëpunëtore e lartë në studimet e qeverisjes në institutin amerikan Brookings. “Ka një mosfunksionim shumë serioz në Uashington”, u shpreh ajo për DW.

Polarizimi i ashpër, hendeku midis mbështetësve demokratë dhe republikanë, do të thotë se të paktën gjysma e vendit ka të ngjarë të jetë jashtëzakonisht e pakënaqur me shumë vendime që merr qeveria e zgjedhur.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020, shumë republikanë (të udhëhequr nga Trump) ishin aq të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve saqë u përpoqën t’i injoronin ato, duke pretenduar në mënyrë të gabuar, se zgjedhjet u “vodhën” sa që përfundimisht, një turmë e atyre që i besuan pretendimet sulmuan Kapitolin. Një tranzicion paqësor i pushtetit është një nga shenjat dalluese të demokracisë, dhe kjo pothuajse nuk ndodhi në SHBA. “Unë mendoj se ajo që ndodhi më 6 janar dhe refuzimi i njërës palë për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve është shumë e dëmshme për një demokraci, pasi pranimi i rezultatit të një zgjedhjeje është shumë qendror për politikën demokratike”, thekson Berkman.

Donald Trump gjestikulon me duar para mikrofonit

Kandidati republikan, Donald Trump

Kolegji Elektoral: Nuk është kyçe fitorja popullore e votës

E nuk është për t’u habitur që besimi në institucionet demokratike ka rënë në vitet e fundit në SHBA. Por ka edhe më shumë që nuk mund ta prisni nga një vend si SHBA. “Përveç shfaqjeve të fundit të erozionit demokratik, Shtetet e Bashkuara kanë shumë praktika antidemokratike të një periudhe shumë të gjatë”, shprehet Williamson. Kryesorja: Fituesi i zgjedhjeve presidenciale nuk është domosdoshmërisht ai që ka më shumë vota.

Së fundmi, Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 edhe pse kundërshtarja e tij, Hillary Clinton, mblodhi afërsisht 2.9 milionë vota më shumë se ai. Arsyeja e këtij rebusi është Kolegji Zgjedhor. Në SHBA, secili prej 50 shteteve ka një numër të caktuar zgjedhësish në varësi të madhësisë së popullsisë. Kandidati që fiton shumicën e votave të popullit në një shtet është ai që merr votat elektorale të shtetit federal. Tingëllon e ndërlikuar? Ja një shembull.

Kalifornia si shteti më i populluar ka më së shumti zgjedhës në Kolegjin Elektoral: 54. Kandidati që mund të bindë më shumë qytetarë kalifornë për të votuar për të, do të marrë të 54 votat e Kolegjit Elektoral, edhe nëse ai e fiton me shumë pak diferencë votën popullore. Shtetet më të vogla si Vermont ose Dakota e Jugut kanë vetëm tre vota Kolegji Elektoral, por sistemi është i njëjtë.

Për të fituar presidencën, një kandidat duhet të fitojë në numër të mjaftueshëm shtetesh për të rritur numrin e votave të tij në Kolegjin Elektoral deri në 270 elektorë ose edhe më shumë. Dikush që fiton shtetet me diferencë të vogël mund të bëhet kështu president, edhe pse më shumë amerikanë votuan në total për kandidatin tjetër.

Kapitoli në mbrëmje me drita të ndezura

Kapitoli në Uashington

Senati – “institucion thellësisht jodemokratik”

Një pjesë tjetër e sistemit politik amerikan që nuk pasqyron një demokraci të përsosur është Dhoma e lartë e Kongresit: Senati i SHBA. Çdo shtet federal i SHBA ka dy senatorë në këtë Dhomë – pavarësisht nga madhësia e popullsisë së shtetit.

Kjo do të thotë se në disa shtete, një senator përfaqëson disa qindra mijëra njerëz, ndërsa në një tjetër, disa milionë njerëz “ndajnë” një senator. Kur Senati ka një vendim për të marrë, vota e secilit senator ka saktësisht të njëjtën peshë, edhe pse ata përfaqësojnë një numër jashtëzakonisht të ndryshëm njerëzish.

Berkman e quan Senatin “një institucion thellësisht jodemokratik”. Williamson kritikon, se si rezultat i mënyrës se si është ngritur Senati, “rajonet tona më të populluara janë thellësisht të nënpërfaqësuara në procesin legjislativ”.

SHBA mund të mos jetë një demokraci model, por amerikanët nuk kanë hequr dorë prej saj. Më shumë njerëz po angazhohen. Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishte më shumë se 65%, më e lartë se sa kishte qenë në më shumë se 100 vjet. “Shohim rritje të pjesëmarrjes politike gjatë tetë, 10 viteve të fundit”, thekson Berkman. “Mendoj se kjo është e rëndësishme.” /DW

Rritja e turizmit në Shqipëri: Çka tregojnë të dhënat?

0

Plazhet, malet, qytetet, trashëgimia kulturore, çmimet…

Dhjetëra miliona turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë në vitet e fundit për arsye të ndryshme.

Vetëm gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, Shqipërinë e vizituan mbi 8.5 milionë të huaj.

Trendi i rritjes së vizitorëve të huaj kishte nisur në vitet para pandemisë COVID-19, që goditi Shqipërinë dhe vendet përreth në pranverën e vitit 2020.

Atë vit, numri i turistëve ra ndjeshëm, shkaku i kufizimeve të rrepta në udhëtime, në tentim për ta limituar përhapjen e COVID-19.

Por, që atëherë, turizmi në Shqipëri është ngjallur sërish.

Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore për Turizëm e Kombeve të Bashkuara (UNWTO), në fund të muajit të kaluar, Shqipëria është vendi i dytë në botë që ka pasur rritjen më të madhe të turizmit.

Në krahasim me periudhën janar-korrik të vitit 2019 – para pandemisë COVID-19 – Shqipëria ka pritur 93 për qind më shumë turistë gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2024.

Vetëm Katari gëzon rritje më të madhe se ajo.

Kjo rritje e turizmit ka bërë që Shqipëria të arkëtojë edhe më shumë fitime. I njëjti raport i UNWTO-së e rendit Shqipërinë si vendin me rritjen më të madhe në botë të arkëtimeve nga turizmi.

Në krahasim me vitin 2019, Shqipërinë këtë vit e kanë vizituar dukshëm më shumë banorë nga Evropa Jugore – plot 3.1 milionë turistë më shumë.

Ndërsa, rajonet e vetme prej ku ka pasur rënie të numrit të turistëve, janë Azia Lindore dhe Paqësori, si dhe Afrika.

Numri më i madh i këtyre vizitave bëhet gjatë muajve të verës. Vetëm gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht të këtij viti, Shqipërinë e vizituan mbi 5 milionë të huaj.

Edhe në vitet paraprake, muajt e verës kishin tërhequr më së shumti të huaj në Shqipëri.

Gjatë këtyre muajve rritet edhe numri i udhëtarëve transitë, që kalojnë në Shqipëri vetëm për të shkuar në një destinacion tjetër final.

Por, numri i këtyre udhëtarëve është i ulët në krahasim me ata që udhëtojnë për arsye personale, për pushime dhe për vizita te të afërmit e tyre.

Gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti, si në çdo periudhë tjetër, Shqipëria priti më së shumti vizitorë nga Kosova fqinje, ndjekur nga Italia dhe Maqedonia e Veriut.

Edhe pse ende në numër dukshëm më të vogël sesa turistët nga vendet fqinje, në vitin e fundit është rritur edhe numri i vizitorëve nga India, Kina, Franca dhe Holanda, krahasuar me vitin paraprak. /REL

MD: Trefishohet numri i noterëve, secila komunë do ketë të paktën një noter

0

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se gjatë këtij mandati është trefishuar numri i noterëve në Kosovë.

Tutje, kjo ministri shton se për herë të parë secila komunë e Kosovës do të ketë të paktën nga një noter.

“Gjatë këtij mandati kemi trefishuar numrin e noterëve në Kosovë, duke siguruar që për herë të parë secila komunë të ketë të paktën një noter. Ky hap përmirëson qasjen e qytetarëve në shërbimet noteriale dhe përforcon shërbimet e drejtësisë në çdo cep të vendit”, thuhet në njoftim.

“Qasje më të lehtë në drejtësi, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim

Mbi 100 organizata i kërkojnë BE-së përfshirjen e Kosovës në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së

0

Rrjeti Ballkanik për Zhvillim të Shoqërisë Civile, në të cilin bën pjesë edhe Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bëri të ditur se ka dorëzuar një letër të nënshkruar nga më shumë se 100 organizata të shoqërisë civile në Këshillin Ekonomik dhe Social të BE-së (KEES/EESC).

Në letrën e dorëzuar, kërkohet përfshirja e Kosovës në Iniciativën për Anëtarë nga Vendet Kandidate të Zgjerimit (ECMI) dhe vazhdimi i kësaj nisme edhe pas fazës së saj pilot.

BCSDN dhe KCSF theksojnë se mos-përfshirja e Kosovës është një vendim që “cenon parimet e barazisë dhe të përfshirjes,” duke nënvizuar se është e padrejtë që Kosova, një vend me perspektivë të qartë drejt integrimit në BE, të mbetet jashtë kësaj nisme për shkak të mungesës së statusit të vendit kandidat.

Në njoftimin për media, KCSF thekson se ky vendim është “në kundërshtim me vet vlerat dhe parimet që promovohen nga ky institucion i BE-së” dhe kërkon rishikimin e kriterit bazë për kualifikim.

Organizata shprehu edhe një herë shqetësimin e saj në takimin e mbajtur më 24 maj 2024 me drejtuesit e KEES/EESC dhe, së fundmi, në Konferencën e Nivelit të Lartë për Shoqërinë Civile, më 24 tetor në Bruksel.

“Përfshirja e Kosovës në këtë nismë është thelbësore për një bashkëpunim më të fortë rajonal dhe për të mbështetur rrugën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian”, deklaroi KCSF në njoftimin e saj.

Lojtari shqiptar shkëlqen me ekipin turk

0

Ernest Muçi ka treguar se nëse klubi i Beshiktashit do të vazhdojë t’i besojë, ai do të bëhet një protagonist i rëndësishëm në lojën ofensive të skuadrës.

Dhe këtë e tregojnë vetë shifrat e sulmuesit shqiptar.

Ai shënoi në ndeshjen e dytë radhazi në kampionat, duke tundur rrjetën për t’i dhënë avantazhin Beshktashit në fundin e pjesës së parë të takimit që ekipi i tij më pas humbi me shifrat 3-1 ndaj Kasimpasha.

Ky ishte goli i tretë në këtë kampionat për Muçin, duke u bërë kështu përkrah Gedson Fernandes dhe Rafa Silva që kanë shënuar të njëjtin numër golash, golashënuesi i dytë më i mirë i kësaj skuadre, edhe pse ka luajtur 2 ndeshje më pak se këta të fundit gjatë edicionit dhe me minutazh më të reduktuar.

I vetmi futbollist që kalon Muçin sa i përket golave të shënuar është Çiro Imobile, i cili ka realizuar 8 të tillë deri tani.

Por pesë nga këto gola kanë qenë me penallti, ndaj praktikisht, Muçi ka të njëjtën shifër golash me të, po të mos ishte për goditjet nga pika e bardhë.

Dhe sikur të mos mjaftojë kjo, ndryshe nga futbollistët e mësipërm që janë në kuotën zero, Muçi ka regjistruar edhe një asist.

Ndaj ai ka bërë që të jenë shifrat ato që tregojnë se të gjithë kritikat ndaj tij kanë qenë të kota, pasi në sezonin aktual, është ndër lojtarët më rezultativ të kësaj skuadre në fazën ofensive në ndeshjet e kampionatit turk.

Goditet një spital ku po vaksinoheshin fëmijët në Gaza

0

Zyrtarët palestinezë thonë se Izraeli sulmoi me dron një klinikë në Gazën veriore, ku fëmijët po vaksinoheshin për poliomielitin, duke plagosur gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë.

Sulmi i supozuar ndodhi të shtunën në Gazën veriore, e cila ka qenë e rrethuar nga forcat izraelite dhe kryesisht e izoluar vitin e kaluar.

Izraeli ka kryer një tjetër ofensivë atje gjatë javëve të fundit që ka vrarë qindra njerëz dhe ka zhvendosur dhjetëra mijëra, raporton AP.

Forcat izraelite kanë sulmuar vazhdimisht spitalet në Gaza gjatë rrjedhës së luftës, duke thënë se Hamasi i përdor ato për qëllime militante, akuza të mohuara nga zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Dr. Munir al-Boursh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, ka thënë për Associated Press se ushtria izraelite goditi klinikën Sheikh Radëan në qytetin e Gazës të shtunën herët pasdite, vetëm pak minuta pasi një delegacion i Kombeve të Bashkuara u largua nga objekti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe agjencia e OKB-së për fëmijë, e njohur si UNICEF, të cilat së bashku po kryejnë fushatën e vaksinimit ndaj poliomielitit, shprehën shqetësimin për sulmin e raportuar.

Ushtria izraelite e ka mohuar këtë sulm.

Rama nga Selaniku: Jam kërcënuar, ‘Vorio Epiri’ ka vdekur, shqiptarët derdhën gjak për këtë qytet

0

Kryeministri Edi Rama gjatë turit me emigrantët në Selanik tha se ky qytet grek mund të quhet si qyteti i mundësive për shqiptarët.

Por tha se këtu janë edhe dëshmorët shqiptare, duke theksuar se “i pashlyer do të mbetet në jetë të jetëve gjaku i dëshmorëve që u martirizuan në këtë qytet”.

“Për ne shqiptarët Selaniku mund të quhet qyteti i mundësive. Mos e harroni asnjëherë sesi të gjitha etnitë e tjera që e kanë populluar dhe e kanë bërë Selaniku atë botë plot fuqi tërheqëse, ne kemi edhe dëshmorët tanë. I pashlyer do të mbetet në jetë të jetëve gjaku i dëshmorëve që u martirizuan në këtë qytet. Nëse shteti shqiptar është kujdesur në të kaluar që të riatdhesuar eshtrat e Hasan Prishtinës nga Kosova dhe Themistokli Germenji nga Korça, i skalitur ka mbetur edhe Spiro Kostori, të cilin komuniteti shqiptar nuk e lë në harrese”, tha ndër të tjera Rama.

“Kush kujtohet sa e si duhet për egërshanin Ali Pashë Tepelena që vuri rend dhe dinjitet në këto anë, duke ndëshkuar me rreptësinë më të madhe cdo akt agresioni fetar të shumicës politike ndaj pakicës. Ishte ai Aliu nga Tepelena që sanksionoi me firmën dhe vulën e tij se cdo keqbërës mysliman që guxonte të prekte një murg ortodoks varej në vend.

Para emigranteve ai tha se në adresë të tij kanë ardhur disa kërcënime, që siç tha ai, nga disa grupe fantazmash të gjalla të së shkuarës.

Sipas kryeministrit Rama, këto kërcënime i shkaktojnë vetëm keqardhje.

“Në vazhdim të këtyre shfaqjeve të padëshiruara, diku këtu një grup fantazmash të gjalla të së shkuarës janë angazhuar në një protestë kundër ardhjes time këtu me fletushka qesharake, ata kanë bërë këto ditë në adresën time kërcënime që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje, njësoj sic me shkakton keqardhje edhe cdo spazmë e kujtdo qoftë në Shqipëri që ushqen ndjenja jo miqësore ndaj Greqisë”, tha kryeministri.

Rama u shpreh se disa individë ishin angazhuar në protestë kundër ardhjes së tij, duke përdorur fletushka dhe parulla që lidhen me termin e “Vorio Epirit”.

“Vorio Epiri është një term i vdekur”, deklaroi Rama.

Në fjalën e tij me emigrantët në Selanik, kryeministri tha se Reformën në Drejtësi nuk e bëri SHBA, por ishte vullneti i PS. Kreu i qeverisë, nuk ia mohon kontributin që kanë dhënë SHBA dhe BE, por thotë se “Amerika aty ka qenë edhe më parë, por nuk ishte berë reformë”.

Po ashtu, Rama ironizoi edhe opozitën dhe Sali Berishën, duke thënë se “Pa SHBA dhe BE nuk do të nënshtroheshin dot ata që bërtasin në penxhere”.

 

“A ia vlejti kur zemrën e shite”, Besi thumbon sërish Xhensilën

0

Bes Kallaku është një ndër emrat më të lakuar të shtypit rozë sidomos pas ndarjes së bujshme me Xhensila Myrtezaj.

Pak ditë më parë Besi ka publikuar projektin e tij më të ri në bashkëpunim me këngëtaren Eli Malaj.

Ndjekësit e tij menjëherë kanë nisur aludimet se kjo këngë i dedikohet Xhensilës, duke parë se dhe teksti është shkruar nga aktori i njohur.

“Falja, të gjithë më thonë falja, jo nuk ma bën zemra. Doja të ta falja. A ia vlejti kur zemrën e shite”, janë disa nga vargjet e këngës, ku nënkuptohet se fajtore e ndarjes mund të ketë qenë Xhensila.

Kjo është kënga e dytë që Besi bën me pothuajse të njëjtën temë.

Edhe në bashkëpunimin e tij të mëparshëm, artisti fliste për një femër që i kishte thyer zemrën, duke e quajtur “Mosmirënjohëse”.

Tashmë, pas disa muajsh nga divorci i bujshëm me këngëtaren, Besi ka zgjedhur këtë mënyrë për të zbuluar se ka qenë Xhensila shkaku për këtë ngjarje.

Deri më tani, asnjë nga ish-çifti, apo miqtë e afërt, nuk flasin për detaje nga kjo ndarje.

Vetë Xhensila, edhe me mikeshat e afërta ka zgjedhur që mos të japë shumë detaje nga kjo ndarje, duke u mjaftuar me faktin se prej kohësh kishin probleme.

Sakaq, më i prekur është shfaqur Besi, i cili edhe përtej këngëve, është shprehur nëpër miq se ndarja ka ardhur me kërkesë të Xhensilës, pasi ai vetë nuk do të donte ta prishte familjen.

Këngëtarja dhe aktori i humorit kanë marrë vendimin për t’i dhënë fund marrëdhënies së tyre, ndërsa dokumentet e depozituar në gjykatë nga ana e Xhensila Myrtezajt për zgjidhjen e martesës kanë zbuluar detaje nga ndarja e çiftit, prindër të dy fëmijëve.

Në dokumentet e depozituara në gjykata nga ana e këngëtares mësohet se ish-çifti prej rreth 1 viti nuk jetojnë së bashku.

Në padi thuhet se martesa e tyre ka qenë harmonike, por në dy vitet e fundit marrëdhëniet në çift janë acaruar.

Gjithashtu, thuhet se martesa ka mbetur formale, nuk funksionon më dhe ka humbur kuptimin e saj për të cilin është lidhur.

Shkak, sipas padisë, “kanë qenë keqkuptimet e vazhdueshme, të cilat edhe pse me përkushtim nga të dyja palët, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhje përfundimtare”.

“Paditësja Xhensila Kallaku dhe i padituri Besart Kallaku, kanë lidhur martesë ndërmjet tyre, të cilën e kanë celebruar në datë 13.06.2018, siç vërtetohet edhe nga certifikata e martesës e lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile 381, Njësia Administrative nr. 9. Palët ndërgjyqëse janë njohur me dashuri. Paditësja dhe i padituri janë njohur në një moshë shumë të re. Ata kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre mbi baza të dashurisë dhe respektit reciprok. Palët ndërgjyqëse kanë filluar të bashkëjetojnë me njëritjetrin në vitin 2011, në banesën e prindërve të të paditurit. Më datë 1 (një) Shtator të viti 2017 palët kanë realizuar martesën faktike. Pas celebrimit të dasmës së tyre, palët kanë filluar bashkëjetesën”, thuhet në padinë e depozituar në gjykatë.

Ndërsa vazhdon: “Marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë të mira dhe harmonike. Në dy vitet e fundit, marrëdhëniet në çift janë acaruar, shkak kanë qenë keqkuptimet e vazhdueshme, të cilat edhe pse me përkushtim nga të dyja palët, nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për zgjidhje përfundimtare. Çifti ka rreth një vit që nuk jetojnë më bashkë. Në kushtet që martesa ka mbetur formale nuk funksionon më, dhe ka humbur kuptimin e saj për të cilin është lidhur, paditësja i drejtohet Gjykatës me padi për zgjidhjen e kësaj martese dhe rregullimin e pasojave që vijnë prej saj”, deklarohet në padinë për zgjidhje martese pa faj.”

Xhensila Myrtezaj iu drejtua Gjykatës me padi për divorc, pas konflikteve me ish-partnerin e saj për pasurinë.

Fillimisht dyshja tentuan t’i jepnin fund martesës me marrëveshje, por pas kërkesës së aktorit që këngëtarja të hiqte dorë nga pasuria u janë drejtuar dyerve të gjykatave.

Padia e parë e këngëtares për zgjidhjen e martesës u kthye mbrapsht nga Gjykata për shkak se nuk e kishte firmosur, por kishte autorizuar avokaten.

Gjithashtu u kthye mbrapsht edhe padia e po ashtu për arsye procedurale i është kthyer edhe Bes Kallakut.

Këngëtarja dhe aktori e kanë ridorëzuar padinë të plotësuar sipas procedurave.

Haradinaj: Nuk ka pasur asnjëherë më shumë korrupsion sesa në qeverisjen e Kurtit

0

Ish-kryeministri Kosovës, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjëherë më shumë korrupsion sesa në qeverisjen e Kurtit, për shkak të “lidhjeve të shkurta e dostave”.

Në një intervistë për EO, Haradinaj ka thënë se në fillim të fushatës Lëvizja Vetëvendosje vetëm ka filluar me hidhërimet ndërmjet partisë, edhe pse sipas tij, “Kurti ka dhënë autorizime të pakufizuar miqve të tij nëpër shumë borde e vendimmarrje në ministri”.

“Vetëm ka filluar që të sillet si opozitë e ardhshme meqë nuk do ta krijojnë Qeverinë më, ata vetëm kanë filluar me hidhërimet e veta në mënyrën e tyre të sjelljes, po e shohim një Vetëvendosje të pa përgjithshme që e kemi parë shumë herë në opozitë”.

“Për fat të keq korrupsioni nuk ka qenë asnjëherë më shumë se tani unë e kam vërejtur herët sepse do të ketë shumë korrupsion për shkak të lidhjeve të shkurtat, e kam quajtur ‘lidhje të shkurta, dostat’, Kurti i ka dhënë autorizime të pakufizuar miqve të tij, besnikëve të tij nëpër shumë borde e vendimmarrje në ministri e kam ditur që do vijë kështu. Ky është shefi i korrupsionit vetë Kurti të këqijave që ndodhin”, ka thënë Haradinaj.

E nëse qytetarët i japin mundësi AAK-së të jetë në krye të vendit, Haradinaj premtoi se do të bëjë kthesë të madhe me anëtarësimin e menjëhershëm të Kosovës në NATO.

“Me ndryshimet që do të ndodhin në qeverisje, me 9 shkurt, të japin mundësinë opozitës që të bëjnë Qeverinë, nëse më jepet besimi me e udhëheq besimin e pozitës, unë synojnë që kthesën me bë përmes anëtarësimin drejtpërdrejtë në NATO, pra kthesën me bë direkt në NATO”, deklaroi ai.

Anëtarësimi në NATO, për kryetarin e AAK-së, është hap i rëndësishëm në progresin e Kosovës drejt integrimit, zhvillimin ekonomik dhe investimeve kapitale, raporton EO.

“Anëtarësimi e hap perspektivën edhe të investimeve edhe të zhvillimit dhe na mundëson me ec shpejt në botën e zhvilluar. Në këtë rast që qytetarët dhe rinia me mbet në Kosovë, dhe mos me pasur nevojë ta lëshojnë vendin. Por edhe në arsim e shëndetësi e të gjitha temat që kanë mbetur gjatë kështu me marrë një nivel tjetër kjo është kthesa. E kjo kthesë bëhet me anëtarësimin e shpejtë në NATO”, ka përfunduar kryetari i AAK-së.

Rukiqi kritikon Qeverinë, qytetarët të pashpresë, rrugë të vetme e shohin migrimin

0

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin publik.

Në një intervistë për EO, Rukiqi ka deklaruar se LDK-ja ka bërë propozimin e saj të koeficientit, pavarësisht rritjes të pagës, ai ka thënë se ‘qytetarët janë të dërrmuar dhe pa shpresë nga siguria e jetesës’.

“Ne e kemi propozuar koeficientin tone, ne jemi në opozitë, ne nuk mund të bëjmë tani rritje tjetër, por normalisht me udhëheqjen e qeverisë, koeficienti 150 është dukshëm më stabil më i qëndrueshëm dhe normalisht edhe me më shumë ndikim tek xhepat e secilit shërbyes publik, kur them me më shumë ndikim pozitiv për shkak se me një anë e adreson rritjen e çmimeve edhe në anën tjetër e adreson nevojën që ti mbajmë këta shërbyes në Kosovë që pavarësisht pagës shumica prej tyre thellësisht të dërrmuar nga siguria e jetesës në kuptim të asaj se a kanë mjete të mjaftueshme me i paguar faturat e veta”.

Rukiqi ka thënë se qytetarët janë realisht të pashpresë, ngase gjatë katër viteve Qeveria Kurti nuk ka përmbushur asnjë premtim.

E nëse LDK-ja do të jetë në krye të shtetit, Rukiqi premtoi se në javën e parë të qeverisjes do të sigurojnë qytetarëve paga të dinjitetshme.

“Këta i marrin 25 mijë dhe tentojnë me krijuar në iluzion optik që janë krijuar 75 mijë vende pune”, kështu thotë anëtari i LDK-ës, për premtimet e Qeverisë.

“Janë realisht të pashpresë për shkak se 4 vite shkuan pa u bërë asgjë dhe pa u mbush asnjë premtim dhe në këtë situatë shumë prej tyre e shohin rrugë të vetme migrimin. Kështu që duhet me u ndikuar drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së tyre dhe në këtë mënyrë ndikojnë të gjithë këta profesionist, polic të dinjitetshëm, mjek të dinjitetshëm, zjarrfikës të dinjitetshëm, mësimdhënës të dinjitetshëm e të gjitha kategoritë që janë të shërbimit publik duke qenë të dinjitetshëm me një pagë të dinjitetshme të cilën ne e sigurojmë në javën e parë të Qeverisjes ndihen mirë duke punuar në Kosovë dhe duke punuar në vendin e vet”.

“Unë e kam bërë një analizë, është e pasaktë ajo që thotë qeveria për dy arsyeje, arsyeja e parë është për shkak se e fut në llogarinë e vet edhe vendet e punës që janë humb përkohësisht në pandemi që kanë qenë rreth 225 mijë kanë humb përkohësisht po them për shkak se për një kohë njerëzit nuk kanë punuar, ekonomia ka qenë e mbyllur, d.m.th. ato vende pune kanë qenë atu, vetëm që nuk kanë arritur të punojnë të njëjtit për shkak se ka qenë ekonomia e mbyllur”.

“Arsyeja e dytë që nuk është e saktë ajo që po thotë qeveria është për shkak se shumica e këtyre vendeve të punës janë vende një ditë angazhim, disa ditë angazhim, kontrata afatshkurtra, kontrata shërbimesh, pastaj disa skemat të punësimit të përkohshëm, do të thotë nuk janë vende pune të qëndrueshme, për më shumë një element që duhet të theksohet dhe që është shumë i rëndësishëm të theksohet në llogarinë e të papunëve, tash nëse dalim tek të papunët njerëzit të cilët janë në moshë pune dhe që nuk janë aktiv në kërkim të vendit të punës pra që nuk shkojnë në zyrat e punësimit i kanë përjashtuar nga llogaritja e papunësisë”, ka theksuar ai.

Tutje, ai shtoi se për të rinjtë në Kosovë, Qeveria nuk ka krijuar kushte të shkollimit, trajnimeve, e as vend pune, për këtë sipas tij, “rrugë të vetme e shohin migrimin”.

“Raporti i Progresit dje thekson që  33.4 % e të rinjve në moshë pune d.m.th. që janë të moshës së re dhe që janë të aftë për punë as nuk janë në vend pune e as nuk janë duke u shkolluar dhe as nuk janë duke e ndjekur ndonjë trajnim, dhe sipas të njëjtit raport po këta të rinj duke mos pasur as shkollim, as trajnime, as vend pune rrugë të vetme e shohin migrimin”.

Në fund, ai ritheksoi se kjo Qeveri po tenton të mbulojë me çështje politike “dështimet e vazhdueshme të tyre”.

“Nuk është çështje e mbulimit është çështje e arsyetimit të vazhdueshëm të dështimit që i kanë nëse ka dështime e nuk arrin me i shtuar më shumë se dy kilometra rrugë të reja në vend, normalisht që ki me tentuar me i ngarkuar njerëzit me tema politike të cilat aspak nuk kanë ndikim në jetën e tyre”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka njoftuar se nga janari i vitit 2025 do t’i rris pagat në sektorin publik.