spot_img
E diel, 28 Dhjetor, 2025
05:00
Home Blog Page 1676

Donald J. Trump: Një rrugëtim i pazakontë drejt presidencës

0

Në pak më shumë se nëntë vite, ish-presidenti dhe ndoshta presidenti i ardhshëm Donald Trump ka reformuar Partinë Republikane në një vend gjithnjë e më të ndarë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, i hedh një vështrim përpjekjeve të ish-Presidentit Trump për një rikthim politik historik.

“Tani mund të themi se ish-Nënpresidenti Joe Biden është zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara…”, njoftohej në mediat amerikane.

Ky duhej të ishte fundi.

Por kur fundi erdhi, Donald J. Trump, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i gatshëm ta pranonte humbjen.

“Nëse numëroni votat e ligjshme, unë fitoj lehtësisht. Nëse numërohen votat e paligjshme, ata mund të përpiqen të na i vjedhin zgjedhjet”, tha atëherë ish-Presidenti Trump.

Ai u bëri thirrje mbështetësve që ta pengonin Kongresin të certifikonte rezultatet më 6 janar 2021.

“Do luftojmë me gjithçka. Dhe nëse nuk luftoni me gjithçka, nuk do ta keni më vendin tuaj”, tha ish-Presidenti Trump.

Ajo që rezultoi ishte një skenë e paimagjinueshme më parë në Amerikë, që çoi në ngritjen për herë të dytë të akuzave në Kongres për shkarkimin e tij. Mospranimi i humbjes nga zoti Trump, ishte në përputhje me refuzimin e tij të vazhdueshëm ndaj të zakonshmes.

“Mendoj se ajo që shihni është dikush që ka besim të jashtëzakonshëm në intuitën e tij”, thotë Russ Buettner, nga gazeta “The New York Times”.

Russ Buettner dhe Susanne Craig janë gazetarë investigativë në gazetën ‘The New York Times’ dhe bashkëautorë të librit “Lucky Loser”, një vështrim jo i këndshëm i rrethanave se si zoti Trump e shndërroi veten në një miliarder që mbështetet në forcat e tij.

“Që nga fillimi i viteve ‘80, ai nuk u ka besuar vërtet njerëzve që kanë ekspertizë të fushës në pothuajse çdo gjë. Ai gjithmonë kërkon ta rrëzojë mendimin e tyre dhe t’i bëjë gjërat siç i dëshiron ai që të dalin”, thotë gazetari Buettner.

Ndërtesat e zotit Trump mbartnin emrin e tij me gërma të mëdha të arta, një shfaqje e guximshme e ambicieve të tij.

“Kur po jepte një intervistë për gazetën ‘The New York Times’, kishte një pasuri prej 200 milionë dollarësh. Kjo ishte rritur në një miliard kur ai po fliste një dekadë më vonë për emisionin ‘60 Minuta’,” tregon gazetarja Susanne Craig, nga “The New York Times”.

Zoti Trump shkëlqente në tërheqjen e vëmendjes dhe kultivimin e një imazhi për veten e tij si mundësues i marrëveshjeve. Ai fitoi miliona dollarë vetëm nëpërmjet licencave për përdorimin e emrit të tij.

Por pas suksesit qëndronin telashet. Kompanitë e tij shpallën falimentimin gjashtë herë. Kazinotë e tij humbën të ardhura dhe u mbyllën. Zoti Trump u rimëkëmb me spektaklin e tij televiziv, “The Apprentice”, që mundësoi edhe rolin e tij më të madh deri më tani.

“Zonja dhe zotërinj, unë po kandidoj zyrtarisht për president të Shteteve të Bashkuara dhe ne do ta bëjmë vendin tonë sërish madhështor”, deklaroi ai në qershor të vitit 2015.

I vendosur dhe pa doreza, zoti Trump ishte një kandidat polarizues dhe nacionalist.

“Kur Meksika dërgon njerëzit e saj, ata nuk dërgojnë më të mirët e tyre… Ata po sjellin drogën, po sjellin krimin, ata janë përdhunues dhe disa, supozoj, janë njerëz të mirë”, tha zoti Trump.

Si president, ai emëroi tre anëtarë të Gjykatës së Lartë që ndihmuan në rrëzimin e të drejtave federale për abortin.

“Numri i vdekjeve në SHBA është tani mbi 150,000”, njoftonin mediat gjatë pandemisë.

Në fillim të vitit 2020, pandemia COVID-19 sprovoi ish-Presidentin Trump. Ai përshpejtoi prodhimin e vaksinave për të shpëtuar jetë njerëzish. Por ai gjithashtu u duk se sugjeroi që shkencëtarët të studionin injektimin e klorinës për të vrarë virusin.

Me mbi 9 milionë amerikanë të infektuar dhe me numrin e vdekjeve që i kaloi 230 mijë, votuesit atë nëntor zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të ardhshëm.

Pas lënies së detyrës, ish-Presidenti Trump u përball me padi të shumta penale dhe është ish-presidenti i parë që është gjendur fajtor për një vepër penale.

E megjithatë, ai kurrë nuk ka qenë më popullor se tani.

Duke i mbijetuar dy atentateve këtë vit,… ai vetëm e ka forcuar lidhjen me mbështetësit e tij.

“Zoti ka një plan për Trump-in. Dhe ai absolutisht u kursye për disa qëllime dhe arsye. Dhe shpresojmë se do të bëhet presidenti i 47-të”, thotë mbështetësja Pam Smith, nga Pensilvania.

Politika amerikane nuk ka qenë më e njëjta që kur Donald Trump-i u bë pjesë e saj.

Dhe njeriu që dikur ishte bashkautor i librit “Arti i Rikthimit”, tashmë mund të jetë duke realizuar një nga rikthimet më të mëdha në historinë amerikane./VOA

Premton Hamza: Pagat rriten 50 % për shërbyesit civilë, asnjë pension nën 200 euro

0

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, e ka dhënë premtimin më të madh deri më tani për rritjen e pagave në sektorin publik.

“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50 % për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30 %. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro. Ndërsa, pensionet kontributdhënëse do të rriten me 30 %, duke u bazuar në përvojën e punës”, ka thënë Hamza.

“Ju më njihni mua. Kur premtoj, e bëj edhe realitet”, ka shtuar ai.

Hamza ka treguar se do të ofrojë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private, duke siguruar kështu mundësi më të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve.

Po ashtu, ai ka premtuar se krijojë edhe qendra për kujdesin ndaj të moshuarve në secilin rajon.

Bislimi: Raporti i Progresit dëshmon se po ecim drejt përafrimit me BE-në

0

Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Raporti për Vendin 2024 është dëshmi e radhës e rritjes ekonomike dhe progresit të Kosovës.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Bislimi tha se raporti vjetor për vendin i hartuar nga Komisioni Evropian, rikonfirmoi zhvillimin ekonomik që po njeh vendi.

“Në kapitullin 2.3 të raportit ku flitet për zhvillimin ekonomik dhe konkurrueshmërinë, theksohet rritja ekonomike, rritja e punësimit, rritja e të hyrave buxhetore, rritja e investimeve të huaja direkte, ulja e papunësisë, forcimi i stabilitetit makroekonomik, përmirësimi i raportit eksport-import, ulja e inflacionit, ulja e borxhit publik, zvogëlimi i informalitetit”, ka shkruar ai.

Tutje, Bislimi ka shkruar se në raport, përmenden politikat gjithëpërfshirëse veçanërisht në subvencionimin e faturave të energjisë elektrike, konsolidimi fiskal, përmirësimi i ambientit të të bërit biznes dhe zgjerimi i sektorit bankar.

“Blloku i kritereve ekonomike është një prej më kryesoreve të procesit të integrimit evropian, dhe Kosova po tregon se po ecën me hapa të shpejtë drejt rritjes ekonomike dhe përafrimit me Bashkimin Evropian. Ka ende shumë punë për të bërë, por gjatë qeverisjes tonë po dëshmojmë maturi në dizajnimin e politikave ekonomike dhe drejtimin e vendit kah një trajektore e drejtë dhe e qëndrueshme e rritjes dhe zgjerimit të kapaciteteve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Kamala Harris: Nga bijë emigrantësh, tek një emërim historik për presidente

0

Kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, vjen nga një prej zonave më të larmishme dhe liberale të Shteteve të Bashkuara.

Siç njofton nga Oakland i Kalifornisë korrespondenti i Zërit të Amerikës Matt Dibble, ajo e ka ndërtuar karrierën duke gërshetuar rolin si zyrtare e rreptë e zbatimit të ligjit me atë të reformatores me shikim nga e ardhmja.

Kamala Harris lindi në vitin 1964 dhe historia e saj fillon në lagjet e larmishme dhe progresive të Gjirit të San Franciskos.

Prindërit e saj emigrantë, Shyamala Gopalan nga India dhe Donald Harris nga Xhamajka, u takuan në Berkeley të Kalifornisë, ku të dy studentët e talentuar ndiqnin studimet pasuniversitare në Universitetin e Kalifornisë.

Universiteti Berkeley i viteve 1960 ishte një qendër e të drejtave civile dhe aktivizmit për paqen.

Zonja Harris ka thënë se ndër kujtimet e saj më të hershme janë kur merrte pjesë me nënën e saj në protesta.

Në vitin 1970, nëna dhe babai i saj u ndanë.

Shyamala Gopalan, me dy vajzat e saj, morën me qera një apartament në një zonë të Berkeley-t.

“Ata jetonin mbi një çerdhe fëmijësh, në një apartament modest me dy dhoma gjumi, me një banjë.”

Shoqja e fëmijërisë e zonjës Harris, Carole Porter e njohu atë në stacionin e autobusit të shkollës.

“Ne ishim grupi i dytë që i dhamë fund ndarjes racore në shkollat ​e ​Berkeley-t.”

Zonja Harris ndoqi Universitetin Howard, një kolegj historikisht afrikano-amerikan dhe më pas fakultetin juridik.

Në një kohë kur burgosja e burrave me ngjyrë në Kaliforni ishte në nivele rekord, ajo punoi si prokurore, një rol që shpesh shihet negativisht në komunitetin afrikano-amerikan.

“Ajo donte të sillte ndryshim në mënyrë që njerëzit të mos ndiqeshin penalisht bazuar në racizmin sistemik dhe strukturor.”

Në vitin 2002, zonja Harris hyri në garë për postin e Prokurorit të Qarkut të San Franciskos.

“Nuk kishte pasur kurrë më parë një prokurore qarku grua. Ajo erdhi nga pozita më e dobët, por që në fillim kishte diçka shumë të veçantë”, thotë Andrea Dew Steele, aktiviste demokrate për angazhimin e grave.

Zonja Harris fitoi garën e ngushtë dhe filloi të punojë për rritjen e dënimeve për krimet e dhunshme, ndërsa ata që dënoheshin për herë të parë për krime të lehta i drejtonte në programin e saj të rehabilitimit të quajtur “Back on Track”.

E zgjedhur Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010, ajo u bëri trysni bankave të paguanin 20 miliardë dollarë për praktikat mashtruese të huadhënies, luftoi tregtinë ndërkufitare të drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore dhe mbrojti barazinë për martesën.

Në vitin 2016, zonja Harris u zgjodh në Senat, ku u bë shpejt një zë i fuqishëm për çështjet e emigracionit, kujdesit shëndetësor dhe reformës së drejtësisë penale. Ajo u bë e njohur për pyetjet e saj të mprehta gjatë seancave dhe aftësinë e saj për të mbajtur përgjegjës udhëheqës të fuqishëm.

Por në garën për president të vitit 2020, fushata e zonjës Harris pati vështirësi mes kaosit në ekipin e saj.

“Padyshim që është folur për ndryshime të shpeshta në ekipin e saj, vështirësitë për të mbajtur njerëz të talentuar në orbitën e saj’”, thotë Gil Duran, ish-ndihmës i zonjës Harris.

Zoti Biden fitoi emërimin dhe në fund i kërkoi zonjës Harris të ishte kandidatja për nënpresidente. Të dy ata fituan dhe ajo u bë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë në atë post.

Përballë një fluksi të madh imigrantësh që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara, Nënpresidentja Harris u angazhua me udhëheqësit rajonalë për të trajtuar problemet e paqëndrueshmërisë dhe varfërisë në vendet e tyre.

Ajo u vu shpejt në shënjestër.

“Ajo ishte përgjegjëse për sigurimin e kufirit dhe nuk e di as nëse ka qenë ndonjëherë atje”, thotë republikania Kathy Willmont.

Zonja Harris është bërë më komode si përfaqësuese në skenën botërore, duke e vënë theksin tek mbështetja dhe qetësimin e tensioneve.

Dhe në një karrierë të karaketrizuar nga thyerja e barrierave dhe tejkalimi i pritshmërive, zonja Harris arriti edhe një majë tjetër, duke u bërë kandidatja demokrate për presidente kur Joe Biden u largua papritur nga gara. /VOA

Moska mohon të jetë mbrapa videos së rreme për zgjedhjet në SHBA

0

Moska ka mohuar të shtunën të ketë qenë mbrapa videos së rreme për zgjedhjet amerikane, pasi inteligjenca amerikane ka thënë se Rusia qëndron mbrapa një videoje të tillë, në të cilën shfaqet një imigrant prej Haitit, duke thënë se ka votuar disa herë.

Tri agjenci amerikane të inteligjencës kanë thënë të premten se “aktorë të ndikimit rus”, kanë krijuar një video, në kuadër të “përpjekjeve të gjera të Moskës për të krijuar pikëpyetje për integritetin e zgjedhjeve amerikane”.

Në deklaratën e këtyre agjencive është thënë se aktorët rusë qëndrojnë mbrapa videos së rreme.

“E kemi vërejtur deklaratën e shërbimeve amerikane të inteligjencës, me akuza për vendin tonë për krijim të videove të fabrikuara për shkeljet zgjedhore në Shtetet e Bashkuara. I shohim si të pabazuara këto akuza”, ka thënë Ambasada ruse në Shtetet e Bashkuara, përmes një postimi në Telegram.

Në klipin 20-sekondësh shihet një burrë me një të folur robotike duke thënë se “ne jemi prej Haitit. Kemi ardhur në Amerikë gjashtë muaj më parë, ne tashmë kemi shtetësi amerikane dhe jemi duke votuar për Kamala Harrisin”.

Sekretari i shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, zyrtar i lartë në këtë shtet të luhatshëm për preferencën zgjedhore, ka thënë të premten se kjo video është shembull i “dezinformës me shënjestër”.

Raffensperger ka thënë se kjo video “qartësisht e rreme”, me shumë mundësi është prodhuar prej “fabrikës ruse të lajmeve të rreme”.

Ambaada ruse, në anën tjetër, ka thënë se Rusia nuk ka siguruar asnjë dëshmi për t’i bazuar pretendimet e zyrtarëve amerikanë.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen më 5 nëntor.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, është kandidate e demokratëve për presidente, ndërsa ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është kandidat i republikanëve.

Gara mes tyre raportohet të jetë e ngushtë. /REL

Krasniqi thotë se Hamza është kryeministri që i duhet sot Kosovës

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në hapje të Konventës së PDK-së, ka thënë se më shumë se një bashkim për partinë, kjo konventë është një zotim për një Kosovë më të mirë.

“Sonte, mbi vizionin për një Kosovë më të mirë, Partia Demokratike e Kosovës po e nisë një epokë të re. Si Kryetar i PDK-së, unë ju premtoj se do të udhëheqim me shembull. Ndryshimin do ta shihni në çdo vendim e çdo projekt që do të marrim përsipër. Në secilën sfidë që do ta trajtojmë. Kosova meriton një qeveri që i shërben, e mbron dhe e fuqizon popullin e vet, jo një qeveri që kërkon t’i shërbejë vetvetes, siç e ka bërë kjo e tanishmja për katër vite me radhë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Lideri i PDK-së ka thënë se me qeverisjen e Bedri Hamzës, nga ekonomia tek infrastruktura, nga arsimi tek shëndetësia, nga siguria te diplomacia, në secilën fushë, vizioni i PDK-së është i qartë: ma mirë.

“Për ta arritur këtë, secili prej nesh duhet të fillojë ndryshimin nga vetvetja. Si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, unë kam vendosur i pari që ta bëj këtë ndryshim.  Prandaj, me bindje të plotë e kam nominuar kandidat për Kryeministër Bedri Hamzën. Këtë e kam bërë për shumë arsye, por ua them një që i përmbledh të gjitha: Unë jam i bindur që Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund të ketë sot Kosova. Kosovën duhet ta bëjmë më të mirë”, ka thënë Krasniqi.

“Si dikush që ka punuar gjatë me Bedriun dhe e njeh mirë atë, unë ju siguroj se te Bedriu, Kosova nuk do të gjejë thjesht një Kryeministër, por një njeri të vendosur për ta bërë vendin tonë më të fortë, më krenar dhe më të mirë”, ka shtuar ai.

Në mesin e fjalimit të tij, Krasniqi është ndalur për të nderuar dy ish-kryetarët e PDK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, ku edhe u transmetua një video që përshkruan jo vetëm rrugëtimin e tyre, por edhe sukseset e Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së.

“E di dhe e kuptoj, që sikur mua, të dy ju mungojnë shumë secilit prej jush dhe mezi presim rikthimin e tyre pranë familjeve e miqve të shumtë. Por, deri atëherë, le t’ua bëjmë bashkë një premtim. Ëndrrat tuaja, të thurura në vizionin e partisë sonë për një Kosovë më të mirë, do t’i çojmë përpara: Partia Demokratike e Kosovës është gati për këtë detyrë”, ka thënë Krasniqi.

Në fund të fjalës së tij, Krasniqi ka thënë se historia e dashurisë dhe kontributit për Kosovën vazhdon me Partinë Demokratike të Kosovës, duke kërkuar nga secili qytetar që as të mos ndalet dhe as të dorëzohet në misionin për ta bërë Kosovën më të mirë.

“Partia Demokratike e Kosovës, përmes kurajës për ndryshim, do të ndërtojë një të ardhme që e nderon trashëgiminë tonë politike. E ajo e ardhme – është një e ardhme që sjell mundësi të reja dhe një jetë më të mirë për çdo familje në vendin tonë”, ka përfunduar ai.

Finlanda regjistron uraganin e parë në histori

0

Në perëndim të Finlandës, për herë të parë në histori, era ka arritur forcën e stuhisë, si pasojë e së cilës 17 mijë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike që nga e shtuna.

Në Rauma në jugperëndim të vendit, shpejtësia mesatare e erës të premten në mbrëmje arriti 33.5 metra në sekondë, në Pori deri në 30.3 metra në sekondë, raporton shërbimi publik finlandez Yle.

Një erë me një shpejtësi mesatare prej të paktën 33 metra në sekondë konsiderohet një uragan në Finlandë.

Kjo është hera e parë që një uragan i vërtetë është regjistruar në Finlandë, tha meteorologu Mati Hutonen.

“Tregues të tillë nuk janë regjistruar kurrë në historinë e vëzhgimeve, në këtë kuptim janë vërtet të rrallë”, tha meteorologu në detyrë në Institutin Meteorologjik Tuomo Bergman.

Sipas tij, të premten në mbrëmje janë ndërprerë rreth 40 mijë shtëpi në perëndim dhe jug të Finlandës, ndërsa mëngjesin e sotëm 17 mijë amvisëri kanë mbetur pa energji elektrike.

Shefi i Zjarrfikësve Kari Kankaanpaya i Shërbimit të Shpëtimit Satakunta tha se shpëtuesit thirreshin shpesh për pemët e rrëzuara që dëmtonin pronën.

Sipas parashikimeve të meteorologëve, nesër në Finlandë do të mbërrijë një ciklon i ri i fuqishëm.

Ai do të ndjekë afërsisht të njëjtën rrugë, kështu që ekziston mundësia që uragani të përsëritet.

IDF: Zbuluam e shkatërruam një fabrikë të madhe nëntokësore të armëve të Hamasit

0

Një fabrikë e madhe e prodhimit të armëve nëntokësore që dyshohet se i përket Hamasit u gjet dhe u shkatërrua nga trupat izraelite në Rripin e Gazës, njoftoi IDF.

“Trupat e Divizionit 252 gjetën rrjetin e tuneleve, ku Hamasi kishte prodhuar më parë armë. Vendi ishte në zemër të popullatës civile”, pranë lagjes Zeitoun të qytetit të Gazës”, tha IDF.

Në tunel, ushtria izraelite tha se gjeti qindra komponentë të përdorur për të bërë raketa, mortaja, granata dhe pajisje zhytjeje, këto të fundit do të përdoreshin nga Hamasi për të depërtuar në Izrael nga deti.

Gjithashtu në tunel, ata gjetën disa dhoma të cilat përfshinin kuzhina, dhoma gjumi dhe zyra.

Simeone: Nuk ka kuptim të luash futboll në këto ditë të vështira

0

Pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën komunitetin autonom të Valencias, në lindje të Spanjës, trajneri i Atleticos së Madridit, Diego Simeone, foli në një konferencë për shtypin për të shprehur kundërshtimin e tij për të luajtur ndeshjet e La Ligas këtë fundjavë.

Rajoni i Valencias është goditur nga përmbytjet shkatërruese që kanë vrarë të paktën 211 njerëz këtë javë.

Dy ndeshje në zonat e prekura, Valencia-Real Madrid dhe Villarreal-Rayo Vallecano, janë shtyrë.

“Është e qartë se nuk ka kuptim të luash në këtë ditë. Kjo që po ndodh është diçka shumë e vështirë.

Dhe është emocionuese të shohësh sesi njerëzit po ndihmojnë me një lopatë ose me mjetet që kanë. Ka solidaritet mes njerëzve.

Kjo tregon shumë për popullin e Spanjës. Ne duam të ndihmojmë ku të mundemi.

Ka njerëz që po kalojnë kohë shumë të vështira, është shumë e trishtueshme.

Dhe ne e gjejmë veten në një situatë ku na thonë të ecim përpara dhe ja ku jemi. Po Vazhdojmë”, tha “Cholo” para gazetarëve, para ndeshjes së nesërme ndaj Las Palmas.

Një grua zgjidhet në krye të Konservatorëve në Britani

0

Kemi Badenoch është liderja e ardhshme konservatore e Britanisë, duke pasuar Rishi Sunak, duke marrë përsipër detyrën e vështirë të ringritjes së partisë pas humbjes së saj në zgjedhjet e korrikut.

Badenoch mori 53,806 vota ndaj 41,000 të Robert Jenrick, nga gjithsej 131,680 votues.

Gara katërmujore për të zëvendësuar Rishi Sunak përfundoi të shtunën, me rezultatin e votimit të lidershipit të shpallur në mëngjes pasi votimi i anëtarësimit u mbyll të enjten.

Konservatorët po përpiqen të tërhiqen nga rezultati i zgjedhjeve të korrikut, i cili i pa ata të marrin vetëm 121 deputetë, pasi humbën vendet ndaj Laburistëve.

Emigracioni, ekonomia dhe mënyra se si konservatorët mund të rivendosin besimin me elektoratin dhe të rifitojnë votuesit e humbur janë diskutuar gjatë gjatë fushatës zgjedhore.

Ajo tha në fjalën e saj të parë: “Është nderi më i madh të zgjidhem në këtë rol, të drejtoj partinë që dua – partinë që më ka dhënë kaq shumë. Shpresoj se do të jem në gjendje ta shlyej këtë borxh”.

Kryeministri Keir Starmer ishte ndër të parët që e uroi atë.