spot_img
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
19:17
Home Blog Page 1681

Trajneri i Evertonit zbulon gjendjen e Armando Brojës

0

Trajneri i Everton, Sean Dysche, ka zbuluar se rikuperimi i sulmuesit Armando Broja po shkon mirë.

Sipas tij, futbollisti shqiptar po punon shumë për tu rikthyer në fushë.

Dysche deklaroi se Broja mund të bashkohet me ekipin e parë nga java e ardhshme, por do i duhet ende pak kohë, për të marrë stërvitje të plotë, që të jetë gati për ndeshje.

“Broja po punon shumë për tu rikthyer. Të dhënat janë të mirë, por nuk është ende me ekipin e parë. Kalimi do të ndodhë, ndoshta nga java e ardhshme, ku do të fillojë me gjërat e lehta si nxehjet, lojërat për zotërimin e topit, dhe kjo ndërton rrugëtimin e të luajturit sërish. Broja është jashtë prej shumë kohësh dhe i duhen disa ndeshje për të marrë formën më të mirë”, deklaroi Dysche.

Shqiptari nuk luan një ndeshje nga miqësoret e verës, kur ishte pjesë e Chelsea.

Sulmuesi me shumë mundësi do të mungojë edhe për dy ndeshjet e radhës të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës.

Apple investon 1.1 miliardë dollarë në ofruesin e shërbimeve satelitore Globalstar

0

Apple bashkë me iPhone 14 ka lëshuar në përdorim sistemin e thirrjes emergjente edhe në ato vende ku nuk ka valë, duke përdorur infrastrukturën e ofruesit të shërbimeve satelitore me bazë në SHBA, GlobalStar.

Tash Apple ka zotuar 1.1 miliardë dollarë në një marrëveshje të re me Globalstar për të zgjeruar kapacitetin e infrastrukturës satelitore të këtij të fundit.

Përveç kësaj, Apple tani zotëron 20% të aksioneve të Globalstar, nëpërmjet një marrëveshje kapitali me vlerë 400 milionë dollarësh.

Këto investime pritet të ndihmojnë në rritjen e konsiderueshme të kapacitetit të Globalstar për të trajtuar kërkesat e mesazheve satelitore nga përdoruesit e iPhone.

Emergjenca SOS e Apple përmes shërbimit satelitor, fillimisht premtoi dy vjet shërbim falas, i cili më vonë u zgjerua për të mbuluar një vit tjetër.

Kjo do të thotë që përdoruesit e parë të iPhone 14 do të kenë mbështetje deri në nëntor 2025.

Me iOS 18, Apple njoftoi mesazhe satelitore të dyanshme përmes satelitit kur nuk është mbulim celular.

Ky funksion është i disponueshëm në iPhone 14 dhe pajisjet më të reja në operatorët e mbështetur në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Por, ende nuk është e qartë nëse Apple do të fillojë të tarifojë përdoruesit e serisë iPhone 14 për akses në mesazhet satelitore pas skadimit të periudhës falas vitin e ardhshëm.

Analistët thonë se drafti i Asociacionit nuk shkon në Kushtetuese para zgjedhjeve

0

Thirrja e faktorit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian e Amerikës për Kosovën që ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që qeveria të pozicionohet para qëndrimeve të ndryshme mbi këtë kërkesë, që për Kosovën vlerësohet si obligim juridik ndërkombëtarë.

Së fundmi kur kjo temë u riaktualizua, analistet nuk presin që të bëhen hapa para drejt shqyrtimit të draftit nga autoriteti më i lartë për interpretimin e Kushtetutës së vendit, nga frika, siç thonë e rezultatit zgjedhor të 9 Shkurtit.

“Mendoj se është pak e besueshme, për faktin që është koha më jo adekuate për zbatimin e tyre praktik, sido që të jetë, jemi 6 ditë para zgjedhjeve ne Amerikë, dhe shumë pak kohë para zgjedhjeve nacionale në Kosovë, dhe unë dua të besoj që kjo temë s’do të zërë vend të paktën jo në terma praktik, sepse normalisht autoriteti që do të ndërmerrte masa konkrete për themelimin e tij, nuk ka dilemë se do të penalizohej në zgjedhje”, ka thënë Afrim Hoti, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Faktori ndërkombëtarë është i habitur me për qasjen tonë, mes asaj që thuhet po, e asaj që thuhet nuk kemi mundësi ta bëjmë draf-statutin, pra të gjitha mënyrave të shpjegimit të qeverisë së Kosovës dhe organeve drejtuese, asociacioni është pjesë e planit franko-gjerman, të cilit qeveria i ka thënë po, dhe për këtë e mbanë për fjale faktori ndërkombëtarë qeverinë e vendit”, ka thënë Albinot Maloku, politolog, raporton rtk.

Gjatë javës, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Kosovës i janë grabitur kompetencat nga ana e Bashkimit Evropian, teksa deklarohej për draft-statutin e BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa shefi i qeverisë, Albin Kurti, tha se si kryeministër i një republike demokratike nuk mund të formojë asociacioni të komunave.

E mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit bënë pjesë edhe në raportin e sivjetmë të progresit që BE-ja ia dorëzoi Kosovës së fundmi.

Kryekuvendari Konjufca takohet me komandantin e ri të KFOR-it, flasin për sigurinë

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Enrico Barduani.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se këtë takim të parë, kryetari Konjufca e falënderoi gjeneralmajorin Barduani për vizitën dhe e uroi për detyrën e tij të re në krye të KFOR-it.

Ai u shpreh i bindur se do të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi midis misionit të NATO-s dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke thënë se ky raport është shumë i rëndësishëm për një gjendje sa më të mirë të sigurisë në vendin tonë dhe stabilitet sa më të qëndrueshëm rajonal.

Kryeparlamentari Konjufca theksoi se situata e sigurisë në vendin tonë paraqitet gjithnjë e më e mirë, por se qasja destabilizuese nga Serbia dhe përpjekjet ruse për ndërhyrje në rajon tregojnë për nevojën e angazhimit të përbashkët e të pandërprerë për garantimin e rendit dhe sigurisë.

“Ndërkaq komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë për angazhim në drejtim të thellimit të bashkëpunimit, në funksion të forcimit gjithnjë e më madh të stabilitetit, me të gjitha sfidat që gjenden përpara”, thuhet në njoftim.

SHBA akuzon rusët për krijimin e videos së rreme për votimet në Xhorxhia

0

Inteligjenca amerikane akuzoi më 1 nëntor “aktorët e ndikimit rus” për krijimin e videos, që supozohet se shfaq një imigrant nga Haiti i cili pretendon se ka votuar disa herë në shtetin amerikan të Xhorxhias.

Tri agjenci të inteligjencës – Zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Byroja Federale e Hetimit dhe Agjencia për Siguri Kibernetike dhe Siguri të Infrastrukturës – lëshuan një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë video.

Videoja shfaq një person i cili pretendon se është imigrant nga Haiti, e i cili flet se si ai synonte të votonte disa herë për nënpresidenten, Kamala Harris, në dy qarqe të Xhorxhia.

Xhorxhia është një nga shtatë shtetet ku do të zhvillohen betejat kryesore për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, ku garojnë Harris dhe ish-presidenti Donald Trump.

Sekretari i Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha më 31 tetor se videoja “sigurisht që është e rreme” dhe ka të ngjarë të jetë krijuar “nga hakerët rusë… të cilët tentojnë të nxisin mospajtime dhe kaos në prag të zgjedhjeve”.

Disa persona duke shikuar debatin presidencial mes kandidatit republikan, Donald Trump, dhe kandidates demokrate, Kamala Harris. Fotografi nga arkivi.

Ai tha se zyra e tij u vu në dijeni për këtë video që supozohet se shfaq një imigrant nga Haiti me disa letërnjoftime të shtetit të Xhorxhias, e i cili ka pretenduar se ka votuar disa herë më 31 tetor.

“Kjo video është e rreme dhe është shembull i dezinformimit që kemi parë në këto zgjedhje. Me gjasë është ndërhyrje nga jashtë në përpjekje për të nxitur mospajtime dhe kaos në prag të zgjedhjeve”, tha ai përmes një deklarate.

Zyrtarët e inteligjencës thanë se videoja është krijuar nga “aktorët e ndikimit rus” dhe është pjesë e “përpjekjes më të gjerë të Moskës për të ngritur dyshime të paqëndrueshme lidhur me integritetin e zgjedhjeve në SHBA dhe për të nxitur ndasi në mesin e amerikanëve”.

Në deklaratën e agjencive të inteligjencës u tha po ashtu se rusët kanë krijuar edhe videon e rremë ku shfaqet një person që thotë se është i lidhur me fushatën e demokratëve dhe që pretendon se ka marrë ryshfet nga një artist amerikan.

Për muaj të tërë, komuniteti amerikan i inteligjencës ka thënë se operacionet e ndikimit të Rusisë synojnë të përhapin narrativë përçarës dhe të promovojnë mbështetje për Trumpin, akuza që janë hedhur poshtë nga Rusia.

Thirrjet kundër Kosovës, i kushtojnë shtrenjtë Serbisë

0

Federata e Futbollit e Serbisë sot (e premte) ka marrë dënimin nga UEFA për shkeljet e bëra në ndeshjen e 12 tetorit ndaj Zvicrës.

Serbia dhe Zvicra ishin ballafaquar me njëra-tjetrën në kuadër të rrethit të tretë në Ligën e Kombeve.

Gjatë këtij takimi, tifozët serbë në kor kënduan këngë nacionaliste dhe anti-Kosovë, me ç’rast ky akt ka detyruar UEFA-n që t’i shqiptojë atyre një dënim.

Për këtë sjellje të tifozëve, UEFA ka vendosur që Serbia të luajë ndeshjen e ardhshme me mbyllje të pjesshme të tribunës si dhe 4000 vende me kusht për dy vjet.

Përveç kësaj ata do të duhet të paguajnë një kompensim financiar në vlerë prej 25 mijë eurosh.

Me 10 mijë euro ata janë dënuar për shkak së fishkëllyen himnin kombëtar të Zvicrës, teksa me 17,500 euro u dënuan për thirrjet anti-Kosovë.

Dënimet e shqiptuara nga UEFA karshi Serbisë për ndodhitë e ndeshjes ndaj Zvicrës:

1. Dënimi për sjellje diskriminuese: 25,000 euro dhe mbyllje të pjesërisht të stadiumit për ndeshjen e ardhshme (4000 vende me kusht për dy vjet).

2. Dënimi për fishkëllimat gjatë himnit të Zvicrës: 10,000 euro.

3. Dënimi për transmetim të mesazhit provokues (thirrje anti-Kosovë): 17,500 euro.

Bajrami i reagon Muratit, e akuzon për kapje të Zyrës Kombëtare të Auditimit

0

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me raportin e korrigjuar të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023 – i cili më herët potenconte se ishin shpenzuar mbi 31 milionë euro vetëm për karburante për një vit kalendarik nga Qeveria dhe institucione të tjera.

Deputetja e LDK-së ka publikuar dokumentin, ku ka thënë se Raporti i Auditimit për vitin 2023 është korrigjuar, teksa ka theksuar se qeveria, veç manipulimeve, tani është bërë edhe e parashikueshme.

Më tej Bajrami ka shtuar se një orë para se të pranohej shkresa me vendimin dhe raportin e korrigjuar të auditimit, kishte paralajmëruar se drejtuesja e ZKA-së, e cila, sipas saj, është motra e këshilltares së kryeministrit, mund të dalë në mbrojtje të qeverisë.

“Le që manipulues por tani edhe të parashikushëm

Sakt para një orë këtu në fcb e thashë:

‘Po ua rikujtoj se në krye të Zyrës Kombëtare të Auditorit e keni një zonjë që është motra e Këshilltares së Kryeministrit dhe nuk befasohem nëse ajo del edhe kundër raportit të saj e ju mbron juve’.

Sapo i pranove në e-mail shkresën, vendimin dhe Raportin e Auditimit për vitin 2023, të korrigjuar”, ka shkruar Bajrami.

Sipas Bajramit, raporti ishte në dorën e Ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe ekipit të tij gjatë fazës së draftimit, por nuk u vunë re gabimet atëherë. Deputetja shprehu shqetësimin se modifikimi i raporteve dy muaj pas publikimit është një dëshmi e ndërhyrjes në institucionet e pavarura.

“Për informatën e të gjithëve këtë raport e ka pasë si draft Hekuran Murati dhe krejt ekipi i tij, atëherë nuk i kanë vrejtë gabimet.

Sot, më shumë se kurrë duhet të ngritemi kundër kapjes së institucioneve të pavarura. Nëse këta arrijnë me i modifiku raportet e ZKA-së, dy muaj pas publikimit, mundemi me marrë me mend se çka janë në gjendje të bëjnë me raportet që i shkruajnë vetë, siç është ai i shpenzimeve vjetore”, ka shtuar Bajrami.

Ky reagim i Bajramit është në vazhdën e një debati më të gjerë mes saj dhe Muratit.

Pak më parë, Bajrami kishte kritikuar Muratin për menaxhimin e financave publike, duke e akuzuar atë se po e çon vendin në një krizë financiare për shkak të vendimeve të tij të dobëta. Në përgjigje, Murati kishte mbrojtur punën e tij dhe të ekipit të tij, duke pretenduar se auditimi i ZKA-së tregon përkushtimin për transparencë dhe përgjegjshmëri financiare.

Sllovakia, e gatshme t’i bashkohet planit të Kinës dhe Brazilit për luftën në Ukrainë

0

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, tha se Bratisllava është e gatshme që t’i bashkohet propozimit të paraqitur nga Brazili dhe Kina për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Fico u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, më 1 nëntor në Pekin dhe pas takimit tha se qëndrimi i Kinës ndaj luftës në Ukrainë është “i drejtë, objektiv dhe konstruktiv”.

Kina dhe Brazili bashkërisht në gusht publikuan “konsensusin prej gjashtë pikave” që synon një zgjidhje afatgjate politike për luftën që Rusia e nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Plani bën thirrje për uljen e intensitetit të luftimeve dhe njohjen se dialogu dhe negociatat janë rruga e vetme për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur propozimin “shkatërrues” dhe “kryesisht prorus”, pasi bënë thirrje për kompromis nga Ukraina dhe është krijuar pa marrë mendimin e Kievit.

Në shtator, në një intervistë për një media braziliane, ai e refuzoi atë, duke thënë se propozimi nuk ka të bëjë me drejtësi apo me vlera dhe i njëjti dështon të marrë parasysh qëndrimin e Ukrainës dhe çështjen e integritetit territorial.

Pavarësisht refuzimit të Zelenskyt, Fico tha se Sllovakia është e gatshme t’iu bashkohet shteteve të tjera që Kina ka thënë se e kanë pranuar pozitivisht propozimin “dhe të punojë me Kinën për të kontribuar në promovimin e një zgjidhjeje politike për krizën”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Qeveria kineze.

Fico, që ka kritikuar politika të Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe ka kundërshtuar sanksionet ndaj Rusisë, tha se Sllovakia “është shumë e interesuar për përpjekjet diplomatike të Kinës për konfliktin në Ukrainë dhe kemi shkëmbyer qëndrimet tona për këtë çështje thelbësore”.

Kina mund të luajë “rol vendimtar” sa i përket konfliktit në Ukrainë, tha ai përmes një postimi në Facebook.

Kina është kritikuar nga shtetet perëndimore për mbajtjen e raporteve miqësore me Rusinë dhe për ofrimin e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, sikurse pajisjet elektronike që janë të nevojshme për prodhimin e armëve.

Pekini ka thënë se për planin që ka zhvilluar me Brazilin ka pasur “përgjigje pozitive” nga më shumë se 110 shtete.

Fico nisi vizitën në Pekin më 31 tetor dhe do të qëndrojë në Kinë deri më 5 nëntor.

Dy shtetet njoftuan më 1 nëntor se kanë nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik dhe qytetarëve sllovakë do t’iu mundësohet qëndrimi në Kinë, pa vizë, për 15 ditë. /REL

VOA: Kosovë, shqetësime mbi shkallën e ulët të përfaqësimit të grave në jetën politike dhe publike

0

Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me të drejtat e grave në Kosovë, thanë të premten se ato vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara në jetën politike dhe publike në vend, ndërsa theksuan se edhe gratë që janë pjesë e këtyre fushave përballen me diskriminim dhe gjuhë të urrejtjes.

Këto komente u bënë gjatë një takimi këshillues të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Qendra e Kosovës për Studime Gjinore, me synim përafrimin e politikave të tyre për të çuar përpara çështjet që ndërlidhen me gratë në Kosovë.

“Rrugëtimi politik dhe publik nuk është më i lehtë, sabotimi dhe pengesat janë më të vrazhda, gjuha është më e vrazhdë, lajmëtarët apo transmetuesit e nënçmimeve ndaj grave janë më të sofistikuar, gjuha e urrejtjes ndaj grave është tej mase e ashpërsuar në nivel global”, tha Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore e Kosovës.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, që deri vonë njihej si raporti i progresit, thuhet se gratë ende mbesin të nënpërfaqësuara dhe se numri i tyre në poste të larta është i pakënaqshëm.

“Gjuha diskriminuese dhe sulmet verbale vazhduan, duke përfshirë edhe gratë në jetën publike, siç janë deputetet në parlament”, thuhet në raport, ku nënvizohet se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme.

Nënkryetarja të parlamentit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se përkundër përparimit që vendi ka shënuar ndër vite në përmirësimin e rolit të gruas, ka ende shumë punë për të bërë dhe posaçërisht në ndryshimin e mendësisë.

“Dhe këtu duhet të kemi fokus më të madh nëse duam të eliminojmë pabarazinë. Kohëve të fundit kemi parë sulme të ashpra ndaj grave në politikë dhe sferën publike dhe kjo vjen fatkeqësisht nga burrat dhe jo nga gratë. Unë mund të jap shembuj të panumërt në përvojën time dhe besoj që gjithësecila nga ju keni përvoja të ngjashme. Kështu cilat janë veprimet tona që sigurojnë se veprimet e tilla ndaj grave në pozita publike nuk i dekurajojnë gratë dhe vajzat tjera që të angazhohen”, tha ajo.

Luljeta Demolli nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore tha se raporti i Komisionit Evropian tregon qartë se përgjegjësia e institucioneve për të promovuar barazinë gjinore ende mbetet në shkallë të pakënaqshme.

“Investimet e vazhdueshme shtetërore në barazi gjinore në aspektin e kornizës ligjore por edhe të jetësimit praktik të saj janë absolutisht të domosdoshme, prandaj është shumë më mirë për shtetin e Kosovës që ato të bëhen me iniciativën tonë sesa pas kërkesave nga partnerët tanë të BE-së. Barazia gjinore është kusht për realizimin e të drejtave të njeriut prandaj shoqëria dhe institucionet e Kosovës e kanë të domosdoshme investimin e vazhdueshëm në promovimin e barazisë gjinore”, tha ajo.

Zonja Demolli theksoi se ligjet e Kosovës garantojnë barazinë gjinore në jetën politike e publike, por problem mbetet shkalla e ultë e zbatimit të tyre.

Ligji për zgjedhjet parasheh një kuotë gjinore prej të paktën 30 për qind gra në parlamentin e Kosovës ndërkaq ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje të grave prej 50 për qind. Në raportin e Komisionit Evropian theksohet nevoja për harmonizimin e këtyre dy ligjeve, që është kërkuar në vazhdimësi edhe nga organizatat e shoqërisë civile në vend.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë që u miratua në qershor të vitit të kaluar, la në fuqi kuotën prej 30 për qind.

Avokati i Popullit Naim Qelaj në fillim të këtij viti e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar këtë mospërputhje duke vlerësuar se kuota prej 30 për qind e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.

Organizatat që trajtojnë çështjet e barazisë gjinore shprehin shqetësimin me përfshirjen e paktë të grave në politikë dhe posaçërisht vendimmarrje, duke bërë thirrje për ndryshim të kësaj kulture si domosdoshmëri për zhvillimin e demokracisë në vend. /VOA

Rritja e pagave në sektorin publik, më e komplikuar seç duket

0

Punonjësit e sektorit publik në Kosovë mund të marrin paga me rritje nga janari i vitit të ardhshëm, siç u premtoi kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Por, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe profesorët e ekonomisë tërheqin vërejtjen se kjo rritje nuk ka bazë ligjore dhe se është premtuar vetëm për “përfitime zgjedhore”.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), dhe Mejdi Bektashi, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thonë se masa mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Dhe, nëse Kushtuesja konstaton se ka shkelje ligjore, vendimi shfuqizohet dhe pagat mbeten në nivelin aktual.

Sipas zotimit të Kurtit më 29 tetor, pagat do të rriten në dy faza – për 55 euro nga janari dhe për 55 euro të tjera nga korriku.

Cili ligj është shkelur?

Kurti tha se rritja e pagave do të bëhet me rritjen e nivelit të koeficientit për njësi, e jo të vetë koeficientit.

“Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, [niveli i] koeficientit do të rritet për 0.5 njësi, e pastaj nga korriku, 2025, edhe për 0.5 njësi të tjera. Pra, dikush që e ka koeficientin 5.6, në janar do ta ketë 6.1, kurse në korrik 6.6”, tha Kurti.

Vlera e koeficientit, ndërkaq, do të mbetet sa është aktualisht – 110 euro.

Për të përcaktuar pagën, niveli i koeficientit shumëzohet me vlerën e tij.

Por, në nenin 42 të Ligjit për pagat e sektorit publik, ku caktohet edhe shuma financiare e koeficientit prej 110 eurosh, thuhet se “ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave”.

Mund të rritet vlera financiare e koeficientit nga 110 euro e lart, por ndalohen ndryshimet në nivelin e koeficienteve, që, sipas këtij ligji, janë nga 2 deri në 18.

“Nuk ka nevojë të jesh as ministër, as jurist, por qytetar i thjeshtë… dhe nëse lexon nenin 42, kupton mënyrën se si është propozuar rritja… Qeveria rindërton një strukturë të re, duke u ofruar koeficient shtesë koeficienteve aktuale”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kontaktoi Zyrën për Informim të Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, për t’i pyetur rreth pretendimeve se rritja e pagave nuk ka bazë ligjore, por nuk mori përgjigje.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha në mbledhjen e Qeverisë më 30 tetor se në Projektligjin për buxhet është shtuar një dispozitë e re që e rregullon çështjen.

“[Dispozita] mundëson rritjen e koeficientit në tabelën e Ligjit të pagave, duke filluar nga janari për 0.5 njësi dhe nga korriku edhe për 0.5 njësi tjera, për të kompletuar rritjen për një njësi për të gjithë të punësuarit në sektorin publik”, tha Murati.

Në atë mbledhje të Qeverisë, ku foli ai, u miratua Projektligji për buxhetin për vitin 2025 – me vlerë prej 3.6 miliardë eurosh – i cili u dërgua për miratim në Kuvend.

Deputetët duhet ta miratojnë atë më së largu deri më 31 dhjetor, për të hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2025.

“Nëse Kuvendi e miraton këtë ligj me këtë dispozitë, është kundërligjore, pasi shkatërron strukturën, komponentët dhe nivelizimin e koeficienteve”, thotë Miftaraj.

“Kjo nuk do të thotë se pagat nuk do të dalin me rritje dhe në kohë. Por, mbetet te partitë politike opozitare, grupet që i përcakton Kushtetuta, se a do ta dërgojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese apo jo”, shton ai.

Euro - YouTube

Partitë opozitare heshtin

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës – më të madhes në opozitë – nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se a do ta votojë PDK-ja Projektligjin për Buxhet dhe, nëse miratohet si i tillë, a do ta shqyrtojë mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese.

Përgjigje të shkurtër në këto pyetje dha Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës:

“Ende nuk na ka ardhur [Projektligji për buxhet]. Kur të vijë, do ta trajtojmë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Në anën tjetër, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ishte i gatshëm të prononcohej.

“Kurth” i Kurtit

Bektashi thotë se shkelja e nenit 42 të Ligjit të pagave për sektorin publik nga ana e kryeministrit Kurti, i ka futur në “kurth” partitë opozitare.

Sipas tij, këto parti janë të informuara për shkelje ligjore me rastin e rritjes së pagave, por në situatën para zgjedhjeve, e kanë të vështirë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Tri partitë opozitare nuk kanë dobi elektorale që ta kundërshtojnë rritjen e pagave, sepse do t’u kthehej si bumerang”, thotë Bektashi, por shton se kjo qasje, megjithatë, është e gabuar.

“Çdo parti opozitare, çdo individ, për çdo shkelje duhet të veprojë apo të ndërmarrë masa, në mënyrë që të mos përsëriten këto shkelje flagrante ligjore”, thotë Bektashi.

Për dërgimin e ndonjë ligji për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese ka dy mundësi, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

E para – dhjetë a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë ta kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.

E dyta – brenda gjashtë muajsh nga hyrja e ligjit në fuqi, 30 a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës mund ta dërgojnë atë në Gjykatë Kushtetuese.

Nëse masa për rritje pagash përfundon në Kushtetuese, Miftaraj thotë se ajo, brenda gjashtë muajsh, duhet ta vlerësojë ligjshmërinë e saj.

“Nëse Gjykata, pas disa muajsh, vlerëson se vendimi është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë shfuqizohet në kohën kur e merr ajo vendimin dhe pagat kthehen në shumën e mëparshme”, shpjegon Miftaraj, instituti i të cilit monitoron sistemin e drejtësisë në vend.

Sipas tij, mund të ndodhë edhe që Gjykata Kushtetuese të konstatojë që pagat të mbeten të njëjta, por t’i kërkojë Kuvendit që ta rrisë shumën monetare të koeficientit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2023 ishte 730 euro, ndërsa neto rreth 630. Në sektorin privat, ndërkaq, është dukshëm më e vogël. /REL