spot_img
E premte, 1 Maj, 2026
10:31
Home Blog Page 1753

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e VV-së, urdhëron certifikimin e Listës Serbe

0

Gjykata Supreme e Kosovës ka dalë me aktvendim duke e hedhur poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje që e paraqiti kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare.

Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Lutfiu-Uka.

“Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me këtë aktvendim urdhërohet që ta certifikojë subjektin politik Lista Srpska dhe kandidatët e këtij subjekti për zgjedhjet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 09.02.2025, thuhet në aktvendimin e gjykatës.

Më 23 dhjetor, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ votuan kundër certifikimit të Listës Srpska me arsyetimin se kjo parti s’e njeh shtetin e Kosovës dhe se ka përdorur termin “Kosova dhe Metohia”.

Pas kësaj, Srpska u ankua te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili më pas ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë Listën Srpska.

Të premten, Vetëvendosje bëri ankesë në Gjykatën Supreme, e cila po ashtu e hodhi poshtë ankesën.

Në mbledhjen e KQZ-së, vetëm kryetari i saj, Kreshnik Radoniqi, kishte votuar për certifikimin e Listës Srpska, ndërsa dy anëtarët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi votuan kundër dhe të tjerët abstenuan.

Fillimisht, moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ tërhoqi kritika e shqetësime nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian e Gjermania.

Në reagimet e tyre të ngjashme, ata u shprehën se janë të shqetësuar për përfshirjen “e kritereve të motivuara politikisht” dhe u tha se rocesi i certifikimit duhet të bëhet mbi baza të standardeve ligjore dhe procedurave në përputhje me ligjet dhe se ky proces nuk duhet të politizohet.

KEDS angazhon rreth 1000 punëtorë dhe makineri për festat e fundvitit

0

KEDS njofton të gjithë konsumatorët se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për festat e fundvitit.

Përgjatë tërë verës janë kryer të gjitha mirëmbajtjet e parapara të rrjetit elektrik shpërndarës dhe janë implementuar afro 280 projekte në kuadër të planit investiv, me qëllim që të kemi një rrjet të qëndrueshëm.

Për festat e fundvitit, KEDS ka angazhuar rreth 1000 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që konsumatorët tanë të kremtojnë me drita. Përveç tyre, KEDS ka angazhuar edhe makineri të mjaftueshme si mbështetje logjistike e punëtorëve në mënyrë që intervenimi, në rast nevoje, të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv. Po ashtu, do të jenë në dispozicion 135 makineri e automjete,  prej tyre: 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove.

Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara.

U bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur. Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë.

Mozaiku i Tiranës tashmë është transformuar tërësisht

0

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamjet e këtij transformimi duke njoftuar edhe përfundimin e punimeve në qendrën e re të Mozaikut të Tiranës, i cili tashmë është gati të hapë dyert për publikun.

Ky projekt unik do të sjellë më pranë qytetarëve dhe turistëve mozaikët e mbyllur të periudhës së antikitetit dhe antikitetit të vonë, të ruajtur në sitet tona më të rëndësishme si Apollonia, Butrinti, Bylis, Durrësi, Elbasani, dhe shumë të tjera.

Duke pasur parasysh se mozaikët origjinalë janë të ekspozuar ndaj rreziqeve atmosferike, Mozaiku i Tiranës do të ofrojë një platformë që do të mundësojë ekspozimin e tyre në kushte optimale, me një grafik të mirëpërcaktuar vjetor.

Ky projekt është konceptuar si një qendër edukimi e inovacioni për fëmijët. Arkeologët thonë se këtu u ngrit një vilë romake që në shekullin III pas Krishtit. Gjatë punimeve për ndërtimin e një godine banimi në bllokun “Partizani”, në vitin 1972, u hasën rrënojat e kësaj ndërtese antike.

Me të filluar gërmimet, arkeologët nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Instituti i Historisë, zbuluan se ambientet ishin të shtruara me mozaik, ku u konstatua edhe prania e ambienteve të një kishe të kultit kristian. /atsh

Leposaviq, një person prezantohet si polic i rrejshëm

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar informacion për një person që është prezantuar rrejshëm si zyrtar policor.

Rasti ka ndodhur të hënën në Leposaviq, ku i dyshuari është identifikuar përmes mesazheve të shkëmbyera në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit, i dyshuari kosovar, ka përdorur rrjetet sociale për të dërguar mesazhe duke u paraqitur si pjesëtar i policisë.

Rasti është regjistruar si “prezantim i rremë”.

“Raportohet se policia përmes rrugëve operative ka pranuar informatë se një i dyshuar mashkull kosovar përmes rrjeteve sociale ka shkëmbyer SMS duke u prezantuar si polic. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e PK-së.

Rusia vazhdon sulmet ndaj Ukrainës edhe në ditën e fundit të vitit

0

Rusia nisi një sulm ajror në Ukrainë herët të martën dhe raketat kishin për synim Kievin, dhe shumë rajone të tjera me një kombinim raketash dhe dronësh.

Forcat ajrore të Ukrainës raportuan një kërcënim me raketa balistike në orën 3:00 të mëngjesit, ndërsa të paktën dy shpërthime të dëgjuara në Kiev menjëherë pas kësaj.

Një tjetër alarm për raketa u dha në orën 8:00 të mëngjesit, i ndjekur nga të paktën një shpërthim në qytet. Mbetjet e raketave ranë në lagjen Darnytskyi të Kievit, megjithëse autoritetet lokale nuk raportuan viktima apo dëme të konsiderueshme.

Në rajonin verilindor Sumy, sulmet pranë qytetit të Shostka shkaktuan shkatërrime të konsiderueshme.

Kryebashkiaku Mykola Noha konfirmoi dëmtimin e 12 ndërtesave të banimit dhe dy objekteve arsimore, së bashku me shkatërrimin e “objekteve të infrastrukturës sociale” të paspecifikuara.

Forcat ajrore të Ukrainës raportuan sulme shtesë me raketa dhe dronë në disa rajone të tjera, ndërsa forcat ruse vazhduan fushatën e tyre kundër infrastrukturës së vendit.

Përafërsisht gjysma e sistemeve energjetike të Ukrainës janë shkatërruar gjatë luftës, duke çuar në ndërprerje të shpeshta dhe të përhapura të energjisë elektrike.

Ndërsa Kievi ka marrë sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore nga aleatët perëndimorë për të mbrojtur infrastrukturën kritike, Rusia është përpjekur t’i mposht këto mbrojtje me sulme të njëkohshme me raketa dhe dron.

Policia shqiptoi mbi 1500 gjoba trafiku brenda 24 orëve

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1505 gjoba në trafik.

Sipas raportit të policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente në trafikun rrugor, 33 aksidente kanë qenë me lëndime dhe 88 me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe, policia njofton se janë arrestuar 13 persona, ndërkaq 8 të tjerë janë dërguar në mbajtje.

Ushtria izraelite me aksion në Jeruzalem, prish shtëpi të palestinezëve

0

Forcat e sigurisë izraelit raportohet se shkatërruan një ndërtesë apartamentesh që ishte duke u ndërtuar dhe që e njëjta i përkiste një familjeje palestineze në distriktin al-Salam, në qytetin e pushtuar të Jeruzalemit lindor.

Policia izraelite sulmoi lagjen Ras Shehada dhe mbylli të gjitha rrugët që të dërgonin në vendin ku bëhej aksioni, ndërsa automjetet ushtarake shkatërruan ndërtesën e banimit.

Sipas të dhënave të mbledhura nga guvernatori i Jerusalemit, autoritetet izraelite kanë kryer rreth 433 operacione me buldozer dhe kanë ndërmarrë aksione prishjeje në zonë që nga 7 tetori 2023.

Në orët e mëngjesit, ushtria izraelite njoftoi se vrau një zyrtar të lartë në fillim të këtij muaji nga grupi i armatosur palestinez Xhihadi Islamik.

Ushtria e identifikoi atë si Anas Muhammad Saadi Masri, komandant i njësisë raketore të Xhihadit Islamik në Gazën veriore.

Masri “drejtoi dhe mbikëqyri operacionet terroriste për lëvizjen që synonte qytetarët e shtetit të Izraelit”, tha ushtria në deklaratë, duke përfshirë lëshimin e raketave më 7 tetor dhe që atëherë.

 

Kancelari gjerman, Scholz: Migrantët janë pjesë e suksesit të Gjermanisë

0

Në fjalimin e tij tradicional të fundvitit, kancelari gjerman vlerësoi rolin e migrantëve në suksesin e ekonomisë gjermane dhe bëri thirrje për unitet përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme.

Në fjalimin e tij tradicional në prag të Vitit të Ri, kancelari gjerman Olaf Scholz vuri në dukje rolin e rëndësishëm të të huajve për ekonominë gjermane: “Ne jemi 84 milionë – vetëm një për qind e popullsisë botërore! Dhe megjithatë, ne jemi fuqia e tretë më e madhe ekonomike në botë. Sepse jemi të zellshëm,” tha politikani socialdemokrat në fjalimin e regjistruar, teksa fliste për sfidat ekonomike që e presin Gjermaninë  në vitin 2025: “Në mesin tonë janë edhe shumë të huaj që ndihmojnë dhe janë pjesë e historisë së suksesit të Gjermanisë. Nuk duhet të lejojmë që askush të na ndajë!”, shtoi ai.

Ngjarja në Magdeburg: “Atentat i një të çmenduri”

Sikurse një javë më parë presidenti në fjalimin e Krishtlindjeve, edhe kancelari reflektoi mbi ngjarjen tragjike të 20 dhjetorit në Magdeburg,  Të tronditur qëndrojmë përballë këtij akti çnjerëzor. Si mund të shkaktojë një atentator i çmendur kaq shumë dhimbje?  Shumë njerëz në Magdeburg dhe përtej saj po kërkojnë forcën për të vazhduar përballë një fatkeqësie të tillë.”

Lule të shumta vendosur në një memorial në Magdeburg, në kujtim të viktimave të sulmit tragjik në tregun e Krishtlindjeve

Lule në nderim të viktimave: Sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg ka tronditur Gjermaninë në prag të festave, dhjetor 2024.

Scholz theksoi rëndësinë e solidaritetit: “Dhe ne jemi një vend që qëndron bashkë. Edhe kjo është ndjerë fuqishëm në ditët e fundit në Magdeburg.” Ai vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e ofruar nga qytetarët në këtë moment krize. “Prej kësaj mund të marrim forcë – sidomos në kohë të vështira si këto,” tha kancelari.

Të premten, më 20 dhjetor 2024, një shtetas saudit përplasi qëllimisht një makinë në një treg të Krishtlindjeve në Magdeburg, duke lënë pas pesë të vdekur dhe mbi 200 të plagosur. Kjo ngjarje u shfrytëzua nga grupe të caktuara  për të nxitur dhunë ndaj të huajve.

Apel për pjesëmarrje në zgjedhje

Scholz bëri thirrje për përgjegjësi dhe pjesëmarrje aktive në zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen më 23 shkurt 2025. “Se si do të vazhdojë Gjermania, këtë e vendosni ju – qytetaret dhe qytetarët,” tha Scholz.

“Jo ata që zotërojnë mediat sociale,” shtoi ai, pa përmendur me emër pronarin e platformës X, Elon Musk. Miliarderi amerikan së fundmi kishte mbështetur partinë AfD në një opinion të botuar nga gazeta gjermane Die Welt, gjë që kishte shkaktuar kritika.

Në fjalimin e tij, Scholz vuri theksin edhe te sfidat e Gjermanisë, duke përmendur ekonominë, inflacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në përballjen me agresionin rus. Kancelari tha se të gjitha këto sfida mund të kalohen duke qëndruar së bashku: “Me respekt ndaj njëri-tjetrit, me besim dhe me angazhim për njëri-tjetrin, ne mund të arrijmë gjëra të mëdha bashkërisht.”

Traditë prej vitit 1952

Tradita e mbajtjes së fjalimit të fundvitit nga kancelari gjerman daton që nga viti 1952, kur Konrad Adenauer mbajti për herë të parë një fjalim të tillë. Që atëherë, është kthyer në një moment të rëndësishëm të komunikimit politik në Gjermani. Fjalimi transmetohet në televizionet publike më 31 dhjetor në mbrëmje. /DW

Kurti: S’shkoi në Hagë për formularë, Çitaku e quajti tallje

0

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti për deklaratën që e dha mbrëmë se e ka menduar që të shkojë në Hagë për vizitë, por se “u ndal” për shkak të nënshkrimit e plotësimit të formularëve.

“Unë e kam menduar vizitën në Hagë dhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është që duhej plotësuar shumë dokumente, formularë ku t’i nënshkruaj në dokumentet e Gjykatës Speciale. Unë nuk kam dashur ta bëj atë gjë, unë kam konsideruar e edhe sot mendoj që është gabim ajo”, tha Kurti në mediumin publik.

Por, këtë Çitaku e pa si “tallje pa kripë” me ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

“Mes shumë “perlave” të shprehura mbrëmë, Kryeministri paska deklaruar se nuk i ka vizituar luftëtarët e UÇK-së në Hagë, sepse, sipas tij, “priton të mbushë formularët”. Zot na ruaj! Ndoshta kjo shpjegon edhe mungesën e vizitave të tij në SHBA – ndoshta edhe për vizë amerikane është po i njëjti problem, “formularët”. Çfarë tallje pa kripë, çfarë përbuzje dhe mungese e plotë empatie ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë tonë. Turp”, ka shkruar Çitaku.

Zhduket një vajzë në Prishtinë, autoritetet po hetojnë rastin

0

Policia ka theksuar se një vajzë është raportuar e zhdukur të hënën në Prishtinë.

Rastin në polici e ka raportuar nënë e saj e cila ka thënë se nga e shtuna e javës së kaluar nuk di asgjë për vendndodhjen e saj.

“Ankuesja femër/kosovare ka raportuar se vajza e saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.