Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka mbështetur kritikat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë seancës së përbashkët parlamentare Kosovë – Shqipëri, për mos formimin e Komisionit që do të verifikonte standardet e punës së Gjykatës Speciale.
“Edi Rama nuk e ka tepruar, e kemi tepruar ne që s’kemi formuar Komisionin që mbikëqyr punën e Gjykatës Speciale. Si PDK kemi pasur kërkesa, diskutime e lutje, kemi qenë të hapur në çdo formë për miratimin e një rezolute, për krijimin e diçkaje që do të na arsyetonte funksionin e Dhomave të Specializuara, se fundja është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Nuk kemi shkuar më tutje vet si grup parlamentar, sepse s’kemi dashur që një çështje kaq e ndjeshme të shihet si politike apo përçarje mes partive”, tha Krasniqi në RTK.
Krasniqi për procedurat që kanë shoqëruar deri te certifikimi i Listës Serbe, ka thënë se partia e tij ka parë të nevojshme pritjen e rekomandimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme.
Ndërkaq, sa i përket mundësisë së sulmeve në veri, Krasniqi ka kritikuar Kurtin për alarmime, në vend të punës së ngushtë me institucionet e sigurisë dhe jo thirrjeve publike.
Po ashtu, Krasniqi e ka kritikuar Qeverinë për subvencionet ndaj pensionistëve dhe fëmijëve, duke e cilësuar si akt që shpërfaq paaftësinë për implementim të buxhetit.
Ai ka thënë se thirrja e fundit e ministrit të Financave, Hekuran Murati, për rikthim të mjeteve prej 100 eurove për këdo që s’është i kënaqur me vendimin, është tallje me qytetarët.
“Këto janë subvencione që në esencë tregojnë paaftësinë e Qeverisë të implementojë buxhetin, e që pastaj ngarendin që t’i shpenzojnë mjetet që s’dinë t’i dërgojnë në investime kapitale. Buxhetet e viteve të fundit kanë qenë jo efikase në shpenzime. Çdo ndihmë ndaj qytetarëve të varfëruar është e mirëseardhur, por s’është zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi e ka quajtur të pashpjegueshme reduktimin e energjisë elektrike në kohën e rritjes së faturave tash e dy vjet.
“E para çmimet investive për kapacitete të reja gjeneruese në energji të ripërtërishme në mënyrë të veçantë, sidomos te solare dhe me erë, kanë rënë dukshëm. E dyta ka pasur aq shumë kërkesa dhe interesim nga investitorët e huaj e vendor si asnjëherë më parë, asnjë nga ta s’është lejuar të shkojnë më tutje”, tha ai.