spot_img
E mërkurë, 22 Prill, 2026
16:57
Home Blog Page 1807

FOTO / “Vrapo babadimër” në Prishtinë mblodhi fonde për humanizëm

0

Këtë të diel është mbajtur edicioni i nëntë i mini-maratonës “Vrapo babadimër” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Qëllimi i aktivitetit është mbledhja e fondeve për qëllime humanitare.

Pjesëmarrësit e kryejnë vrapin në zonën e qendrës së kryeqytetit. Të gjithë janë në disponim të mirë, meqë vrapin e bëjnë për një qëllim më të madh dhe jo për garë mes njëri-tjetrit.

Në përfundim e sipër të garës.

Ky aktivitet përkrahet ndër vite edhe nga institucionet shtetërore. Në fotografi shihet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me tre fëmijë.

Autoritetet në Prishtinë e kanë dekoruar qytetin pak ditë para Vitit të Ri.

Prandaj edhe kanë qenë të shumtë në mini-maratonën e së dielës.

Portret / Gazeta franceze ndjek hapat e Edon Zhegrovës në Prishtinë

0

E përditshmja franceze “L’equipe” i ka bërë një portret të gjatë sulmuesit shqiptar që po shkëlqen në kampionatin vendas me Lille.

Dy të dërguarit e saj specialë gazetari François Verdenet dhe fotografi Franck Faugère kanë udhëtuar drejt Prishtinës për të ndjekur hartën e rrugës së Edon Zhgrovës nga një refugjat i lindur në Gjermani, tek futbollisti që nga mosha 2 deri në 15 vjeç u formua në Kosovën e pasluftës.

zhegrova Lequipe

storm• po e sjell në shqip këtë artikull për një nga lojtarët shqiptarë më në formë të këtij momenti.

PRISHTINË – Kur kjo anekdotë u arrin në vesh, Agimi dhe Artani nuk mund ta ndalin buzëqeshjen, kur u trgon historinë e mëposhtme. Ngaqë Edon Zhegrova i mërziste bashkëlojtarët e tij te Lille duke u folur vazhdimisht për Kosovën, atë vendosën ta gjobisnin atë me nga 5 euro çdo herë që ai përmendte emrin e vendit të tij

Ai supozohet të ketë humbur shumë para në dhomën e zhveshjes së LOSC-së (Lille-shënim i Lapsi.al) duke mos ndalur së bëri këtë. Aq krenar ndihet Edoni për origjinën e tij dardane sa arrin ta shesë Prishtinën si “Miami”. Agimi dhe Artani, të dy trajnerë të KF Flamurtarit, qeshin edhe më shumë me këtë krahasim, ndërsa ulen në tribunën e vjetër prej druri të stadiumit të klubit të tyre të përjetshëm. Lagjja me kazanët e mbeturinave që derdhen në trotuar, telat elektrikë që prekin asfaltin dhe fasadat e rrënuara nuk ka asnjë lidhje me Floridën. Në horizont, kodra e Taslixhës të kujton një prej favelave braziliane.

Vendi ende ruan shenjat e një konflikti që përfundoi një çerek shekulli më parë, por që vazhdon të shenjojë qytetin dhe mendjet e njerëzve. Pikërisht këtu u rrit që prej moshës 2 vjeçare, Edon Zhegrova, pranë prindërve të tij, Lulzim dhe Sanije, motrës Valza dhe vëllait të vogël Erblin, kur ata u kthyen nga Gjermania.

Edoni ka lindur më 31 mars 1999 në Herford, në Nordrhein-ëestfalen, duke u bërë, si shumë bashkatdhetarë të tij, një fëmijë i mërgimit. Pas kthimit, familja Zhegrova jetoi në shtëpinë e trashëguar familjare, së bashku me gjyshërit dhe kushërinjtë.

“Babai i tij kishte marrë një post si roje burgu,” – tregon Agim Hoxha, një nga trajnerët e tij të parë te Flamurtari.

“Edoni filloi të luante futboll në rrugë. Ai erdhi në klub rreth moshës 6 vjeç. Zbriste i vetëm dhe qëndronte shpesh deri natën. Ai ishte tashmë mbi nivelin e të tjerëve. Vëllai i tij, i cili është një vit më i vogël, iu bashkua më vonë. Erblini ishte gjithashtu një lojtar i mirë, por mbrojtës. Ai ishte më fizik dhe shpesh përdorte forcë, por Edoni gjithmonë ia dilte me teknikën e tij. Ai i mahniste të gjithë me driblimet e tij. Ishte i vetmi lojtar që nuk merrte udhëzime”.

Aktualisht me statusin e njërit prej arbitrave më të rinj të Superligës kosovare, Rrezart Hasani, zbret një kornizë të vjetër nga muri i zyrës. Ai ka qenë një ish-mbrojtës i djathtë, kampion i Kosovës për kategorinë U13 gjatë sezonit 2011-2012 ku Zhegrova kish filluar të shkëlqente. Flamurtari kishte mposhtur Kosovën e Vushtrrisë me 3 gola nga ylli vendas, më 12 qershor 2012, në finale (4-1).

“Unë luaja pas tij dhe isha i detyruar të mbuloja hapësirat,” qesh ish-shoku i skuadrës. “Ai nuk dinte të mbronte! Por askujt nuk i interesonte sepse Edoni dinte të fitonte ndeshjet. Ti i jepje topin dhe nuk e shihje më. Ne argëtoheshim shumë me të. Ishte shumë shakaxhi. I pëlqente jeta, topi shumë, por jo dhe aq shkolla!”

Gjatë shtatë sezoneve të tij te KF Flamurtari – një klub ikonë në Kosovë që nuk iu nënshtrua kurrë serbëve gjatë luftës dhe që mban ngjyrat kuqezi për besnikërinë ndaj Shqipërisë – Zhegrova u trajtua me shumë kujdes nga të gjithë. Familja e tij nuk kishte shumë euro, të cilat sapo kishin zëvendësuar markat gjermane si valutë lokale.

“Ne i ofronim licencën dhe disa veshje sportive sepse ishte shumë i talentuar,” kujton Artan Bytyqi, përgjegjësi i shkollës së futbollit. “Mbaj mend që ndonjëherë luante me dy këpucë të ndryshme të ripërdorura. Ne gjithmonë i kushtonim shumë vëmendje. Ishte pak si maskota dhe krenaria jonë. Ai kishte një vetëbesim të jashtëzakonshëm. Agim Hasani, trajneri i ekipit tonë të parë, ndonjëherë e merrte në stërvitjet e të rriturve ndërkohë që ai sapo kishte hyrë në adoleshencë!”

Nuk e kaloi te AC Milan për shkak të vizës

Sulmuesi i dobët, me fytyrën ëngjëlli, ishte djalli i vogël i rrugëve me asfalt të Prishtinës. Reputacioni i tij ishte përhapur në të gjitha rrugicat e kryeqytetit, me rreth 230,000 banorë. Ky reputacion nuk vonoi të kapërcente kufijtë.

“Një ditë të vitit 2012, Edoni erdhi në stërvitje duke qarë”, kujton Agim Hoxha. “Sapo kishte mësuar që AC Milan po organizonte një përzgjedhje në Prishtinë dhe ai nuk ishte regjistruar. E mora për dore dhe bëmë 3 kilometra në këmbë për të arritur aty në momentin e fundit. Ai mori jelekun e fundit… dhe doli i pari përpara më shumë se 300 fëmijëve! AC Milan e ftoi për një javë në Itali.”

Ky udhëtim i parë jashtë kufijve të Kosovës si futbollist e shenjoi shumë yllin e ardhshëm.

“Kur fitova, nëna ime kishte lot gëzimi në sy,” kujton sulmuesi i Lille-s. “E përjetova atë provë si një ëndërr fëmijërie. Shkova në San Siro për të parë një ndeshje kundër Chievo Veronës. Takova brazilianin Pato. Bëmë disa foto. Ajo javë mbetet një moment shumë i rëndësishëm”.

Por supertalenti nuk mundi të transferohej në Itali. Vizat nuk për të dalë nga Kosova, e cila mbetej një lloj “toke askujt” në hartën e Europës nuk jepeshin kollaj.

Edoni, ende adoleshent, vazhdonte të luante me argëtim dhe nuk e shihte futbollin si një profesion. Ai u transferua te FC Prishtina, që atëherë ishte referenca kryesore në futbollin kosovar.

“Unë i thashë trajnerit ta merrte,” thotë Muhamet Pajaziti (27 vjeç), një mik i tij që sot ka ngritur një biznes xhamash dhe pasurish të paluajtshme në Prishtinë. “Banoja në lagjen fqinje, në Kolovicë. Ishte 10 minuta larg shtëpisë së Edonit, i cili shpesh vinte të hante tek unë para ndeshjeve. Edhe sot është shumë mirënjohës për atë periudhë me familjen time. Ne kishim një kosh basketbolli në oborr dhe luanim me shokët. Por Edoni gjithmonë donte të ndryshonte rregullat që të shënonim me këmbë! Ishte teknikisht mbresëlënës. Ai shpesh ishte i tejkualifikuar te FC Prishtina. Mbaj mend një ndeshje që fituam 10-1. Ai shënoi tetë gola. Shpesh më thoshte që një ditë do të luante për Barcelonën. Ishte adhurues i Lionel Messit.”

Gazmend Haliti e ndihmoi të kalonte një nivel më lart, me ekipin U15 të FC Prishtinës duke fituar edhe një tjetër titull kombëtar.

“E vetmja gjë që i kam dhënë është disiplina taktike” – thotë me modesti ai që e trajnoi Zhegrovën nga mosha 13 deri në 15 vjeç, para se ai të largohej për në Belgjikë. “Edoni gjithmonë bënte atë që donte. Ishim të detyruar t’i jepnim liri të plotë në lojë. Ai është një talent i lindur, por një dashamirës i vërtetë i futbollit. Ai vinte një orë para stërvitjeve për të bërë ushtrime shtesë. Ndonjëherë ai jep përshtypjen e një çunaku të relaksuar ose pak arrogant, por në të vërtetë ishte një fëmijë punëtor dhe me respekt. FC Prishtina ishte klubi më i madh në vend, me shumë konkurrencë, por ishte i pari që vendosja në listën e formacionit. E dallova menjëherë kapacitetin e tij për të arritur nivelet më të larta.”

Adoleshenti vazhdonte të mahniste, skautët e huaj filluan të interesoheshin për të, por talenti i Balllkanit mbetej i penalizuar nga mbyllja e kufijve. Kosova, kjo “copëz” e vogël, nuk ishte ende e njohur nga UEFA dhe FIFA. Ajo u bë pjesë e këtyre organizatave vetëm në vitin 2016, falë punës së Fadil Vokrrit, një ish-sulmues i përfaqësueses jugosllave, i kthyer në legjendë kosovare dhe president i Federatës deri në vdekjen e tij në qershor 2018.

“Atëherë, djemtë si Edoni mund të shkonin nëpër turne vëtëm në Shqipëri,” kujton Gramoz Vokrri, djali i ish-drejtuesit, që tashmë është mik i ngushtë i futbollistit që numëron 42 paraqitje dhe 5 gola për kombëtaren e Kosovës. “Edoni madje për pak do të luante për Shqipërinë. Ai gjithashtu mund të përfaqësonte Gjermaninë, ku kishte lindur, apo Belgjikën, ku u transferua më vonë te Standard Liège, Saint-Trond dhe KRC Genk. Por ishte babai im ai që e bindi të priste ftesën nga Kosova. Ai u thirr për herë të parë për një ndeshje miqësore kundër Madagaskarit, në mars 2018, në Franconville (Val-d’Oise), pranë Parisit. Fituam 1-0… dhe ishte ai që shënoi golin.”

Fenomeni kosovar kishte nisur karrierën. Shumë larg rrugëve të rrënuara të Taslixhës, ku sot hasen fëmijë të shumtë me fanellat e LOSC mbi supe.

Radoiçiq pret vendimin për aktakuzën në Serbi, Kosova kërkon ekstradimin e tij

0

Për Kosovën, ish-politikani serb, Millan Radoiçiq, mbetet thelbi i problemeve të sigurisë. Për më shumë se një vit, emri i tij lakohet si “kriminel”, “terrorist” e “kontrabandist” dhe përmendet në akuza – qofshin zyrtare apo verbale – për orkestrimin e sulmeve në Kosovë.

“Të gjitha këto sulme që kanë ndodhur, por edhe sulmet në të ardhmen që i planifikojnë, drastikisht bie gjasa që të realizohen, nëse u dorëzohet institucioneve të Kosovës, të policisë e të drejtësisë, Millan Radoiçiq”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai e bëri këtë deklaratë pas sulmit të 29 nëntorit në Ibër-Lepenc – kanalin që furnizon me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit. Kurti implikoi Radoiçiqin dhe vetë shtetin e Serbisë në organizimin e tij, edhe pse udhëheqja serbe e mohoi çdo përgjegjësi.

Radoiçiq, përndryshe, ka një aktakuzë në Kosovë – për rastin e sulmit të armatosur në Banjskë – e cila, mes tjerash, e ngarkon me terrorizëm. Kundër tij ka edhe një fletarrestim.

Ajo që dihet është se ai gjendet në Serbi – së paku sipas autoriteteve atje. Ndaj, Kurti, pas sulmit në Ibër-Lepenc, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i bëjë trysni Beogradit për ta dorëzuar në Kosovë.

“Në Kosovë ka sundim të ligjit. Gjykatat janë pakrahasimisht më të mira se në Serbi. Këtë e thonë edhe raportet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të sigurojë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës nëse ka marrë ndonjë garanci nga bashkësia ndërkombëtare. Ngjashëm, as Departamenti amerikan i Shtetit e as Bashkimi Evropian nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se si do të procedojnë pas thirrjes së Kurtit.

Augustin Palokaj, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, thotë se gjasat që Radoiçiq t’i dorëzohet Kosovës, janë joreale.

“Kjo kërkesë apo ky kusht nga kryeministri i Kosovës shihet si i logjikshëm dhe i arsyeshëm, pasi që Serbia nuk është duke ndërmarrë ndonjë masë”.

“Mirëpo, Serbia nuk ekstradon askënd në asnjë vend tjetër, kështu që Bashkimi Evropian ka mirëkuptim për të gjitha vendet e rajonit, që nuk i ekstradojnë shtetasit e tyre në vendet e tjera – me përjashtim të strukturave gjyqësore ndërkombëtare”, thotë Palokaj për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin, thotë se koha për t’i bërë presion presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të ndërmarrë masa kundër Radoiçiqit, është tani, përpara se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, ta marrë detyrën në janar.

Vogel thotë se ky presion duhet të vijë nga BE-ja, sepse kthimi i Trumpit nuk pritet të sjellë ndonjë gjë pozitive për Ballkanin Perëndimor, sipas tij.

“Nëse do të kishte presion për ekstradimin e Radoiçiqit, është vështirë të thuhet, marrë parasysh marrëdhëniet e komplikuara mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është e pazakonshme për shtetet që të mos i ekstradojnë shtetasit e tyre. Por, administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, dhe BE-ja duhet t’ia bëjnë të qartë Vuçiqit se është e patolerueshme që Radoiçiq të vazhdojë të jetë i lirë në Serbi”, thotë Vogel për Exposenë.

Serbia është duke zhvilluar po ashtu hetime kundër Radoiçiqit, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Një polic i Kosovës është vrarë në këtë sulm, ndërsa në përleshjen e armatosur që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, Nenad Stefanoviq, tha në fillim të këtij muaji se vendimi për të ngritur aktakuzë kundër Radoiçiqit, do të merret në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2025.

Në Serbi, Radoiçiq dyshohet për vepra të tjera penale, përkatësisht për “krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme dhe prodhim, mbajtje dhe trafik të paligjshëm të armëve”.

Pas seancës dëgjimore në Beograd, në tetor të vitit 2023, ai u la i lirë, por iu kërkua të mos dilte nga Serbia dhe të paraqitej dy herë në muaj në stacionin policor kompetent.

Nga Gjykata e Lartë në Beograd konfirmuan se kjo masë i është zgjatur deri në janar të vitit 2025 dhe se Radoiçiq është “duke e respektuar”.

Se në cilin vend të Serbisë ndodhet ai, nuk është e qartë. Ministria e Brendshme serbe nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se në cilin stacion policor lajmërohet. Thirrjeve të REL-it nuk iu përgjigj as avokati i Radoiçiqit, Goran Petronijeviq.

Një avokat tjetër serb, Bozho Prelleviq, thotë se vendimi i Prokurorisë së Lartë në Beograd mund të jetë të ngrejë aktakuzë kundër Radoiçiqit, ose të mos e ngrejë fare atë.

“Vendimi zakonisht merret pas analizimit të provave. Meqenëse ky rast është i mbyllur për publikun, ne nuk e dimë se çfarë provash ka prokurori dhe nuk e dimë se kush është dëgjuar”, thotë Prelleviq.

Prokuroria serbe nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë kanë zbuluar hetimet dhe çfarë veprimesh janë ndërmarrë.

Megjithatë, njoftimi i saj se do të dalë me një vendim, u bë në ditët kur BE-ja pritet të vendosë për zhbllokimin e mundshëm të negociatave të anëtarësimit me Serbinë.

Palokaj thotë se BE-ja do t’i lidhë këto dy çështje me njëra-tjetrën, por, sipas tij, pa ndonjë rezultat të prekshëm në praktikë – për këtë arsye:

“Ka shtete anëtare në BE [si Hungaria], por edhe në NATO që nuk janë të interesuara që të dëshmohet roli i Serbisë në Banjskë, sepse nëse BE-ja e ka cilësuar këtë sulm si terrorist, dhe nëse dëshmohet se Serbia mbështet veprime të tilla, atëherë Serbia do të duhej të trajtohej si një vend që sponsorizon terrorizmin”.

“E, për një gjë të tillë nuk janë të interesuara disa vende të BE-së dhe nuk janë të interesuara as Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Palokaj.

Palokaj shton se, jozyrtarisht, në BE pranojnë se e dinë saktë se kush janë përgjegjësit e sulmit në Banjskë dhe se veprat e tyre tashmë janë dëshmuar.

Ai thotë se BE-ja, parimisht, pret që ata të arrestohen dhe të gjykohen në Serbi, por, sipas tij, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, nëse Serbia e sheh se nuk ka pasoja nga mosveprimi.

Kjo situatë padyshim se reflekton edhe në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, sepse Kurti e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në këtë proces me dorëzimin e Radoiçiqit.

“Druaj se rajoni është duke hyrë në një periudhë të paqëndrueshmërisë së madhe, kryesisht për shkak të administratës së ardhshme të Trumpit”, thotë Vogel.

“BE-ja duhet të veprojë dhe duhet të veprojë tani. Ndaj dialogut duhet pasur një qasje krejtësisht të re. Më duket se shefja e re e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja e Zgjerimit, Marta Kos, janë të vetëdijshme për këtë”, shton ai.

Në një takim me Kallasin, më 3 dhjetor, Kurti ka thënë se nuk ka hequr dorë nga dorëzimi i Radoiçiqit si një nga kushtet për vazhdimin e dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një ditë më vonë, në takim me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien, Kurti ka folur po ashtu për rëndësinë e arrestimit të Radoiçiqit, duke thënë se ai e ka mbështetjen e presidentit të Serbisë, Vuçiq, dhe të aparatit shtetëror atje.

Në një forum në fund të qershorit, O’Brien ka thënë se Serbia ka premtuar se Radoiçiq do të përballet me ligjin, në lidhje me sulmin në Banjskë.

Më herët, përmes misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, Serbia ka kërkuar informacione nga Kosova për Banjskën, por Kosova e ka refuzuar këtë kërkesë.

Në lidhje me këtë foli këtë javë edhe ministri i Punëve të Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla:

“Janë dy gjëra të ndryshme kur thuhet që ne t’ia japim provat që i kemi Serbisë, e ajo të organizojë pastaj një maskaradë – kinse gjykim për Radoiçiqin – dhe është tjetër që Radoiçiq të na dorëzohet neve përmes EULEX-it”.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me EULEX-in dhe patjetër që do të ishim të vullnetshëm për ta shfrytëzuar atë mundësi që Radoiçiq të vihej para drejtësisë në Republikën e Kosovës”, tha Sveçla.

Radoiçiq, prej vitesh, është nën sanksionet e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar.

Në Kosovë, ai dyshohet edhe për disa vepra të tjera kriminale, përfshirë vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Zgjidhja përfundimtare, mesa duket, do të varet krejtësisht nga vullneti i palëve të përfshira për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në ndjekjen e drejtësisë dhe të stabilitetit. Por, deri te zgjidhja e tillë, që shpesh është në pëllëmbë të dorës, mund të duhen edhe vite kohë.

OEK: Shmangni gjykimet e padrejta dhe etiketimet ndaj bizneseve vendore

0

Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje për përmbajtje nga “çdo lloj veprimi apo deklarimi që dëmton reputacionin e bizneseve vendore”, duke iu referuar Spitalit Amerikan dhe Grupit Dukagjini.

“Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje të gjithë personave të caktuar që të përmbahen nga çdo lloj veprimi apo deklarimi që dëmton reputacionin e bizneseve vendore, të cilat kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të Kosovës”, thuhet në krye të reagimit të OEK.

Oda Ekonomike e Kosovës kujton se “Kushtetuta e Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për të gjithë, dhe është përgjegjësi ekskluzive e organeve kompetente të gjyqësisë që të trajtojnë dhe të vendosin mbi çdo çështje ligjore”.

“Çdo ndërhyrje apo gjykim publik nga individë të caktuar, për arsye personale apo interesa të tjera, është e papranueshme dhe dëmton imazhin e këtyre bizneseve”, thuhet në reagim.

“Bizneset vendore kanë luajtur një rol kyç në sjelljen e investimeve ndërkombëtare dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë. Akuzat dhe njollosjet e pabaza nuk shërbejnë si mesazh pozitiv për investitorët potencialë, por përkundrazi mund të shkaktojnë largimin e investimeve nga vendi ynë”, thuhet tutje në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës.

OEK thekson se në gjithë botën, bizneset herë pas here përballen me sistemin e drejtësisë për çështje të ndryshme, por “në çdo rast u njihet e drejta e prezumimit të pafajësisë dhe mundësia për të dëshmuar të drejtën e tyre në gjykatë”, dhe se “e njëjta duhet të respektohet edhe në Kosovë”.

“Andaj, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon që të shmangen gjykimet e padrejta dhe etiketimet ndaj bizneseve vendore, dhe që çështjet ligjore të trajtohen vetëm nga organet përkatëse të drejtësisë. Bizneset në Kosovë janë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit, dhe mbështetja ndaj tyre është thelbësore për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe për të nxitur investime të reja”, thuhet në reagim.

OEK thekson se “mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe zhvillimin e një ambienti të drejtë dhe të favorshëm për aktivitetin e tyre ekonomik”.

Mbyllet Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, një festë e kulturës evropiane

0

Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë u mbyll mbrëmjen e djeshme pas aktiviteteve intensive si biseda frymëzuese me autorë evropianë, shfaqje nga aktorë shqiptarë dhe një koncert i mrekullueshëm me muzikantë të rinj.

Autori kroat Miro Gavran, i cili vizitoi Tiranën falë mbështetjes së Ambasadës Kroate, hapi aktivitetet e ditës së tretë në bisedë me regjisorin Andi Begolli, me reflektime mbi rrugëtimin e tij nga shkrimtari për fëmijë te dramaturgu dhe romancieri i mirënjohur.

Duke trajtuar temat e vetmisë dhe ndërveprimin e dramës dhe komedisë, ai eksploroi emocione që rezonojnë universalisht. Me mbi 50 vepra, Gavran tregoi se si shkrimi i tij ndërthur përvojat personale me imagjinatën, duke i ftuar lexuesit në hapësira thellësisht intime.

Gjatë bisedës u shijua dhe shfaqja e veprës së tij nga aktorët shqiptarë Luiza Xhuvani dhe Ilirda Bejleri, duke ofruar një eksperiencë unike për publikun.

Ndërkaq, autori italian Paolo Giordano u bë pjesë e FELT falë mbështetjes së Ambasadës Italiane, me sesionin e tij të moderuar nga autori shqiptar Enkel Demi dhe botuesja e tij në shqip Arlinda Dudaj. Duke diskutuar për veprën e tij të fundit “Tazmania”, tashmë e përkthyer në shqip, ai zbuloi se si romani lindi gjatë pandemisë si një përgjigje ndaj trazirave globale – një reflektim mbi shpresën e rreme për të shpëtuar nga vështirësitë e jetës. E përshkruar si një metaforë për të ikur nga e zakonshmja, por duke mos pasur kurrë sukses, Tazmania i fton lexuesit të përballen me realitetin, duke ndezur biseda që provokojnë mendime.

FELT 2024 u mbyll me koncertin e Musica Nova, organizuar në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Performanca kremtoi bashkëpunimin dhe pasurinë kulturore të festivalit, duke ofruar një mbyllje të përsosur të tre ditëve të përsosmërisë letrare dhe artistike evropiane.

Në mbyllje të festivalit, delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë falënderoi të gjithë autorët, moderatorët, ambasadat dhe të pranishmit që si u shpreh në një postim në rrjetet sociale, e bënë FELT një festë të vërtetë të kulturës evropiane. /atsh

Nikaj zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm i Partive Liberale të Evropës Juglindore, LIBSEEN

0

Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj, është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Rrjetit të Partive Liberale të Evropës Juglindore (LIBSEEN), ka njoftuar PDK.

Partia Demoratike e Kosovës është bërë anëtare e LIBSEEN nga viti 2022 kur ka marrë udhëheqjen e saj kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi i cili bashkë me Nikajn filloi “internacionalizimin e PDK-së duke e anëtarësuar në të gjitha rrjetet e partive liberale”.

Javë më parë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u zgjoh nënkryetar i Internacionales Liberale në Kongresin e mbajtur në Kili.

“E përgëzojmë sekretarin Nikaj për këtë detyrë të re duke i uruar suksese në angazhimin e përbashkët drejt avancimit të demokracisë dhe fuqizimit të vlerave liberale”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Ndërtuesit paralajmërojnë rritje të çmimeve të banesave për 2025, shkaku është ikja e punëtorëve

0

Mungesa e fuqisë punëtore, ngritja e çmimit të materialit ndërtimor, po ashtu ngritja e çmimit të tokave me koncesion janë arsyet që, sipas ndërtuesve, po çojnë në rritje të çmimit të banesave.

Ndërtuesit po paralajmërojnë rritje të çmimit të ndërtesave për vitin që po vjen. Kjo për shkak se siç tha ndërtuesi Shefqet Pozhegu nga Shoqata e Ndërtuesve, janë duke pasur mungesë të fuqisë punëtore dhe ngritje të çmimeve të materialit ndërtimor.

Arsye është edhe rritja e çmimit të tokës me koncesion, tha Pozhegu për Radio Kosovën.

“Nuk do të ketë zbritje të çmimit për ndërtesa, por do të ketë vetëm rritje të çmimit, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore në Kosovë. Poashtu edhe çmimet e materialeve janë në ngritje e sipër e poashtu edhe tokat që ne i marrim me koncesion ose përqindje edhe aty ka rritje të çmimeve. Janë këto dy a tre faktorë që na shtyjnë rreth ngritjes së çmimeve. Problemi është te fuqia punëtore sepse, nëse ka ngritje të pagave, fuqia punëtore rri e nëse s’ka rritje të pagave, atëherë ata ikin në Evropë”, tha ai.

Ai tha se çmimi i metrit katror për momentin është 1350 euro deri në 1450 euro, varësisht nga zonat. Edhe kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve, Faton Hoxha, i tha Radio Kosovës se çmimet do të varen nga kosto e punës dhe e materialit. Ai tha se në mars do të shihen ndryshimet.

“Rritja ose ulja e çmimeve varet nga çmimet e materialeve dhe kostos së punës, e cila është në ngritje. Poashtu koncesioni për tokën ka shkuar në nivele shumë të larta. Të shohim se si po fillon viti dhe deri nga marsi mund ta dimë se si po shkojnë punët”, ka thënë ai.

Në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë pati rritje për 0.9% në tre mujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me tre mujorin e dytë të po këtij viti.

Ndërkaq, krahasuar TM3 2024 me të njëjtën periudhë të vitit paraprak TM3 2023, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati rritje për 4.5%.

Rritje kishte te energjia (20%), pagat (1.3%), materialet (0.7%), makineritë (0.4%) dhe kostot e tjera (0.2%), sipas ASK-së.

Kurti takohet me zv/kryeministrin e Sllovenisë, Luka Mesec

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar zëvendëskryeministrin e Sllovenisë, njëkohësisht ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta të Sllovenisë, Luka Mesec.

“Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale Kosovë – Slloveni, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe për rolin e mërgatës sonë në forcimin e urave ndërmjet dy popujve dhe vendeve. Gjithashtu bashkëbiseduan edhe për situatën gjeopolitike në botë me theks në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrisë.

ZKP-ZKM-15-12-2024-3

Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës, si në rrafshin evropian e ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.

Të mërkurën, me rastin e vizitës së zëvendëskryeministrit slloven Mesec në Kosovë ku u mirëprit nga ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë. Kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Slloveni, si dhe anasjelltas, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtën për pension në vendin ku jetojnë.

Arrestohet një grup terrorist në Maqedoni të Veriut

0

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut mbrëmë ka njoftuar se gjatë një operacioni ka shkatërruar një grup terrorist që vepronte në rajonin Strugë-Gostivar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se bëhet fjalë për organizata terroriste.

“Po flasim për organizata terroriste, katër persona të cilëve u është hequr liria. Ata, në bashkëpunim me persona që nuk ndodhen në territorin e Maqedonisë, monitorohen për një kohë të gjatë nga organet kompetente të sigurisë dhe janë ndërmarrë veprime të koordinuara në bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë. Kemi shumë prova në drejtim të dyshimit të bazuar se këta persona kanë vepruar në drejtim të organizimit të disa ngjarjeve të padëshiruara në të ardhmen që mund të rrezikojnë sigurinë e Maqedonisë dhe të vendeve tjera. Qëllimi i tyre ishte të indoktrinonin njerëz të tjerë nga Ballkani, të cilët do të mund të vepronin në drejtim të realizimit të qëllimeve të tyre”, tha Toshkovski.

Zbulohet një mini tru në zemër!

0

Hulumtime të reja nga Instituti Karolinska dhe Universiteti Columbia kanë zbuluar se zemra ka një sistem nervor të saj të pavarur, i quajtur mini-tru, që luan një rol kritik në rregullimin e ritmit të saj, i pavarur nga truri.

Ky sistem rezulton të jetë shumë më kompleks dhe i larmishëm nga sa ishte kuptuar më parë.

Të kuptuarit më i thellë i këtij sistemi mund të hapë rrugën për trajtime novatore për sëmundjet e zemrës.

Studimi, i kryer duke përdorur peshkun zebër si model, është botuar në Nature Communications.

Prej kohësh është menduar se zemra kontrollohej vetëm nga sistemi nervor autonom, i cili transmeton sinjale nga truri.

Rrjeti nervor i zemrës, i cili ndodhet në shtresat sipërfaqësore të murit të zemrës, është konsideruar si një strukturë e thjeshtë që përcjell sinjale nga truri.

Megjithatë, kërkimet e fundit sugjerojnë se ky rrjet ka funksione shumë më të avancuara.

Roli i sistemit nervor të zemrës – Shkencëtarët kanë zbuluar se zemra ka një sistem nervor kompleks, i cili është thelbësor për të kontrolluar ritmin e saj.

Ky mini-tru ka një rol kryesor në mbajtjen dhe kontrollin e rrahjeve të zemrës, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si truri rregullon funksione ritmike si frymëmarrja apo lëvizja, shpjegon Konstantinos Ampatzis, kërkues kryesor dhe docent në Departamentin e Neuroshkencës, në Institutin Karolinska, Suedi, që drejtoi këtë studim.

Kërkuesit identifikuan disa lloje neuronesh në zemër që kanë funksione të ndryshme, përfshirë një grup të vogël neuronesh me veti stimuluesi kardiak.

Ky zbulim sfidon pikëpamjet aktuale për mënyrën se si kontrollohet ritmi i zemrës dhe mund të ketë implikime klinike.

Ngjashmëritë me zemrën e njeriut – U habitëm kur pamë sa kompleks është sistemi nervor brenda zemrës, thotë Konstantinos Ampatzis.

Të kuptuarit më i mirë i këtij sistemi mund të sjellë njohuri të reja për sëmundjet e zemrës dhe të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja për sëmundje si aritmitë.

Studimi u krye te peshku zebër, një model kafshor që tregon ngjashmëri të forta me ritmin e zemrës së njeriut dhe funksionet e saj të përgjithshme kardiake.

Studiuesit ishin në gjendje të hartonin përbërjen, organizimin dhe funksionet e neuroneve brenda zemrës duke përdorur metoda të ndryshme, si sekuencimi i ARN-së me një qelizë të vetme, studime anatomike dhe teknika elektrofiziologjike.

Objektiva të reja terapeutike – Tani do të vazhdojmë të hetojmë se si ‘truri’ i zemrës ndërvepron me trurin aktual për të rregulluar funksionet e zemrës në kushte të ndryshme si ushtrimet fizike, stresi apo sëmundjet, thotë Konstantinos Ampatzis.

Synojmë të identifikojmë objektiva të reja terapeutike duke shqyrtuar se si ndërprerjet në rrjetin nervor të zemrës kontribuojnë në çrregullime të ndryshme të zemrës.