spot_img
E diel, 21 Dhjetor, 2025
21:33
Home Blog Page 23

Policia heton zhdukjen e dy vajzave në Prishtinë e Podujevë

0

Dy vajza janë raportuar të zhdukura në Prishtinë e Podujevë, bëhet e ditur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Në Prishtinë, një nënë ka raportuar se vajza e saj e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

Ndërkohë në Podujevë, një burrë ka raportuar se vajza e tij është larguar nga shtëpia më 10 dhjetor dhe nuk është kthyer më. Sipas tij, nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.

Policia ka njoftuar se të dyja rastet janë duke u hetuar.

Ramadani paralajmëron program stërvitor për të rinjtë 18-25 vjeç në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

0

Kandidati për deputet i AAK-së, Burim Ramadani, ka dalë me një propozim për programin special për trajnimin e të rinjve për mbrojtje dhe siguri.

Ai ka thënë se ata do të stërviten nga ushtria e policia.

“Do të fillojmë programin për stërvitjen e të rinjve 18-25 vjeç për mbrojtje dhe siguri. Në 7 vjetorin e themelimit të Ushtrisë, prezantojmë programin special për stërvitjen e rinisë tonë nga Ushtria e Policia. Kjo do të përfshijë programe pranverore, verore, vjeshtore dhe dimërore në pjesë të ndryshme të Kosovës, ku të rinjtë do të aftësohen në përkrahje të Ushtrisë, Policisë dhe të Zjarrëfikësve në rast nevoje. Ne e dimë që rinia jonë është e guximshme dhe e do Kosovën”, ka shkruar ai.

Nga periferi në fokus: Si e percepton SHBA-ja Ballkanin?

0

Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare – një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.

Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.

Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të migracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.

Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.

Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji – “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.

Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.

“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.

Për kritikët, strategjia është e ngarkuar ideologjikisht.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.

Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.

Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.

“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan… se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore – në Uashington.

Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.

Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.

Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.

Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.

Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.

“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.

Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” – se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.

Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.

Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.

Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.

“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.

Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.

Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.

Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.

“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.

Një anketë e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti tregon se udhëheqësit e dy fuqive të mëdha gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në disa vende të Ballkanit.

Në Serbi, për shembull, 50 për qind e të anketuarve kanë një opinion “shumë të favorshëm” për Vladimir Putinin e Rusisë, ndërsa 38 për qind e kanë të njëjtin opinion për Xi Jinpingun e Kinës.

Në Kosovë, vetëm 7 për qind e të anketuarve shprehin opinion “shumë të favorshëm” për Putinin dhe 6 për qind për Xinë. E, për Trumpin kjo përqindje arrin në 52.

Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.

Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.

Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.

“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës – nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.

Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.

Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.

Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.

“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.

Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.

“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.

Kjo lë të kuptohet se në një rajon ku koha e pritjes së garancive të jashtme po mbaron, testi i vërtetë për Kosovën është gatishmëria për të zbatuar të drejtat e premtuara për qytetarët serbë dhe për të treguar se kompromisi demokratik, jo përplasja e vazhdueshme, është rruga drejt sigurisë dhe mbështetjes më të madhe evropiane. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet peng i vetes, duke u dhënë të drejtë skeptikëve. /REL

Petritsch: Roli i SHBA-së po tkurret, Kosova duhet të përshtatet sepse…

0

Ish-diplomati austriak, Wolfgang Petritsch, thotë se epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.

Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.

“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë e Radios Evropa e Lirë.

Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.

Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.

Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.

“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.

Qeveria kërkoi shkarkimin e tij, Vehbi Miftari shfaqet me Osmanin në Vatikan

0

Shefi i Misionit të Posaçëm të  Kosovës në Vatikan, Vehbi Miftari, është parë duke e shoqëruar presidenten Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj atje. Para disa javësh, Miftari, i kishte reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që kishte shkuar në një koncert të Korit të Operës së Kosovës në Bazilikën Santa Maria in Aracoeli.

Në reagimin e tij, Miftari e ka pyetur Kurtin se kush është marrë me organizimin e vizitës së tij, nëse jo Misioni i Kosovës në Vatikan.

“Kryeministër! Ishit në Vatikan? Po Misioni i Kosovës në Vatikan, a ishte aty, ashtu siç e kërkon praktika diplomatike dhe sjellja shtetërore? A e kishit vënë në dijeni? Kush u mor me organizimin, nëse jo misioni juaj në shtetin e Vatikanit?”, kishte shkruar Miftari.

Pikërisht kjo, kishte qenë arsyeja sipas raportimeve, Qeveria nëpërmjet MPJD i kishte kërkuar presidentes Osmani që ta shkarkojë Miftarin nga detyra.

Në një dokumet të publikuar nga “Demokracia” kërkesa është nënshkruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, i cili pretendon se Miftari ka kryer “veprime të paautorizuara”, “sjellje të papranueshme” dhe “shkelje të etikës profesionale”, të cilat sipas MPJD-së dëmtojnë integritetin e shërbimit të jashtëm të shtetit.

“Nëpërmjet kësaj shkrese, ju lutem të pranoni arsyetimin lidhur me kërkesën për lirimin nga detyra të Shefit të Misionit të Posaçëm në Vatikan, z. Vehbi Miftari. Lirimi nga detyra propozohet për shkak të sjelljeve dhe veprimeve të paautorizuara të Shefit në fjalë, sjellje dhe veprime që përbëjnë shkelje të etikës profesionale dhe dëmtojnë integritetin e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, të ndryshuar me Ligjin Nr. 03/L-207, si dhe me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm, Nr. 02/2009, e ndryshuar dhe plotësuar me Rregulloren Nr. 04/2014. Mbete mi në dispozicion për të ofruar çdo informacion shtesë mbi arsyetimin e kësaj kërkese, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhej në kërkesë.

Miftari ka qenë këshilltar politik i Presidentes Vjosa Osmani për tri vite, si në Presidencë, ashtu edhe më herët në kohën kur ajo drejtonte Kuvendin e Kosovës.

Ai dha dorëheqje nga pozita e këshilltarit në janar 2024, ndërsa pak javë më pas u emërua Shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, një detyrë e ndjeshme diplomatike që kërkon pëlqimin e shtetit pritës dhe vendimmarrje të përbashkët mes Presidentes dhe Kryeministrit.

Behrami: Qytetarët janë lodhur nga fushata “kush është më serb”

0

Kandidati për deputet të Kosovës nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, përmes një Video ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga fushata negative.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës janë lodhur nga kaosi, janë lodhur nga përçarjet, nga narracioni se kush është më serb, se kush është me Vuciqin, Radojeciqin”, ka thënë Behrami.

Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës janë të interesuar në përbashkim dhe mirëqenie sociale.

“Qytetarët e Kosovës janë të interesuar në stabilitet, në vende të punës, në mirëqenie sociale, në mirëqenie ekonomike dhe marrëdhënie normale me SHBA-të”, ka theksuar ai.

Artan Behrami, i cili mban numrin 75 në listën e PDK-së, ka thënë se për të gjitha këto garantues është Bedri Hamza.

7 vjet nga formimi i Ushtrisë së Kosovës

0

Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018, miratoi tri ligjet që e ndryshojnë mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve u votuan një nga një.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Shënohen 27 vjet nga rënia e komandant Mujë Krasniqit

0

Sot mbushen 27 vjet nga rënia heroike e komandantit Mujë Krasniqi dhe 41 dëshmorëve.

Në shënim të kësaj dite mbahet Akademi Përkujtimore, e cila organizohet me rastin e 27-vjetorit të rënies së 41 Dëshmorëve të Kombit, bashkë me komandantin e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, më 14 dhjetor 1998, në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Akademia do të mbahet në Kino ABC, Prishtinë, më 14 dhjetor, ora 16:00.

Mujë Krasniqi ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.

51 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

0

Policia e Kosovës ka publikuar raportin ditor me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

Sipas raportit, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 22 aksidente me të lënduar dhe 29 të tjera me dëme materiale.

Policia ka vazhduar zbatimin e rregullave në komunikacion, ku brenda një dite ka shqiptuar gjithsej 1,701 gjoba trafiku.

Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 10 persona, prej të cilëve 5 i ka dërguar në mbajtje.

KQZ nis procesin e dërgimit të fletëvotimeve për votimin me postë

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot do të fillojë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës dhe që janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Bëhet fjalë për rreth 58 mijë votues që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi, të cilëve KQZ do t’ua dërgojë në adresën e tyre pakon me fletëvotim.

Lajmi për këtë aktivitet të KQZ-së është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, njoftoi Elezi.