spot_img
E hënë, 22 Dhjetor, 2025
01:08
Home Blog Page 243

Nis zbatimi i sistemit EES në disa pika kufitare të BE-së

0

Të gjithë qytetarët e Kosovës që do udhëtojnë jashtë vendit nga sot, do të përballen me Sistemin e Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES), në disa pika kufitare kryesore të Bashkimit Evropian.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ky sistem do të nisë së zbatuari gradualisht në të gjitha pikat kufitare të BE-së.

“Entry/Exit System – EES, është një sistem biometrik i cili regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve jo-anëtare të BE-së, duke mbledhur të dhëna: si shenjat e gishtërinjve dhe fotografi. Ky sistem synon përshpejtimin e kontrolleve kufitare dhe eliminimin e vulave në pasaportë. Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të monitorojë dhe informojëqytetarët për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftim.

Radoniqi: Procesi i votimit ka nisur me rregull, materialet janë shpërndarë me kohë

0

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur për media nga qendra e votimit në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, ku ka bërë të ditur se procesi i votimit ka nisur në mënyrë të rregullt.

“Sa i përket qendrave komunale, të gjitha përgatitjet janë bërë dhe të gjitha pajisjet janë shpërndarë në të gjitha komunat. Presim që nesër të fillojë numërimi në të gjitha komunat,” – ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka shtuar se materialet zgjedhore janë dërguar me kohë dhe se deri më tani nuk janë raportuar pengesa në procesin e votimit.

Sa i përket platformës për rezultate, Radoniqi ka thënë se kanë punuar në përmirësimin e saj.

“Zgjedhje për të cilat KQZ-ja ka punuar që gjashtë muaj. Kemi bërë përgatitje të shumta, ndryshime në proces sipas ligjit. Në këto zgjedhje kemi përmirësuar platformën. Kemi mbështetjen e Britanisë në ndërtimin e platformën, sa i përket qendrave komunale të gjitha përgatitjet janë bërë”

Mbi dy milionë qytetarë me të drejtë vote në Kosovë

0

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i votimit në mbarë territorin e Republikës së Kosovës ka nisur me kohë dhe në mënyrë të rregullt, me përjashtim të ndonjë qendre të vetme ku janë raportuar vonesa të vogla.

“Sot procesi i votimit zhvillohet në 948 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 janë qendra të rregullta për votimin e zakonshëm me 2,571 vendvotime, ndërkaq 38 qendra të tjera, nga një në secilën komunë, me 54 vendvotime, janë hapur për të mundësuar votimin me kusht,” ka deklaruar Elezi.

Ai ka bërë të ditur se, sipas listës së votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto zgjedhje është 2 milionë e 25 mijë e 105, të shpërndarë në 38 komuna të vendit.

“Përveç organizimit të vendvotimeve të rregullta, KQZ do të organizojë edhe votimin përmes ekipeve mobile lëvizëse për 3 mijë e 467 votuesit me nevoja të veçanta, të cilët janë regjistruar dhe evidentuar paraprakisht,” ka shtuar ai.

Elezi ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të votojnë për kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit në kuvendet komunale.

“Po ashtu, në këto orë të para të procesit, njoftojmë se përmes platformës elektronike qv.kqz-rks.org, secili votues mund të kontrollojë me lehtësi qendrën e tij të votimit,” ka theksuar ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka njoftuar se sot votohet për 38 kryetarë komunash dhe 942 anëtarë të 38 kuvendeve komunale.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 93 subjekte politike, prej të cilave 32 parti politike, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5 mijë e 624, prej të cilëve 205 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5 mijë e 419 kandidatë për kuvendet komunale,” ka deklaruar Elezi.

Kombëtarja demolon Serbinë në mes të Leskovcit

0

Shqipëria është afër kalimit në Kupën e Botës pas fitores së jashtëzakonshme ndaj Serbisë.

Ka qenë Rey Manaj, i cili shënoi një super gol në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Një super shansë e kishte edhe Nedim Bajrami, por nuk e arriti finishin si duhet.

Historiku i zgjedhjeve në Kosovë

0

Historia e zgjedhjeve në Kosovën e lirë fillon në vitin 2000, në kohën kur u organizuan zgjedhjet e para. Më 28 tetor të atij viti u mbajtën zgjedhjet për Kuvende Komunale, duke shënuar nisjen e një procesi të gjatë për ndërtimin e institucioneve të një vendi që po përgatitej dalëngadalë të bëhej shtet.

Misioni i OSBE-së në Kosovë e themeloi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2000 dhe ky institucion u kryesua nga shefat e këtij misioni deri në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe mori mbi vete përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve.

Proceset zgjedhore në Kosovë ndahen në dy etapa të rëndësishme historike: zgjedhjet para dhe pas pavarësisë së shpallur në vitin 2008.

Nga viti 2000 dhe deri më tani, në vendin tonë janë mbajtur me dhjetëra procese zgjedhore në nivel vendi apo të pjesshme. Ndërkohë që për Kuvendin e Kosovës janë organizuar 9 procese zgjedhore, për Kuvende Komunale janë organizuar 8 procese zgjedhore.

Zgjedhjet e drejtpërdrejta për Kryetar të Komunave filluan të mbahen nga viti 2007 dhe që nga ajo kohë janë organizuar 6 procese të tilla zgjedhore përgjatë viteve 2007, 2009, 2013, 2017, 2021 dhe 2025.

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve flasin se përgjatë 25 viteve, më shumë se 60 mijë persona kanë marrë pjesë në garat zgjedhore, si kandidatë për deputetë, kryetarë të komunave dhe asambleve  komunale. Në këtë shifër përfshihen edhe personat që janë certifikuar më shumë se një herë.

E numri më i madh i kandidatëve të certifikuar u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale. Gjatë 25 viteve, në 6 procese, statistikat e Komisionit Qendror Zgjedhor flasin për certifikimin e mbi 1,200 kandidatëve.

Të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , të kandidatëve të certifikuar ndër vite, tregojnë për dallimin e thellë në mes të dy gjinive. Përgjatë dy dekadave e gjysmë, nga numri i përgjithshëm i kandidatëve , për pjesëmarrje në proceset zgjedhore janë certifikuar mbi 19 mijë gra dhe mbi 41 mijë burra, raporton televizioni publik.

Për Zgjedhjet Lokale 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 5,624 kandidatë, prej  të cilëve 205 kandidatë për zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe 5,419 kandidatë për Zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Nga 205 kandidatë të certifikuar për t`i udhëhequr komunat, 185 janë burra dhe 20 gra, ndërkaq, në zgjedhjet për asamblistë, të kuvendeve komunale, nga 5.419 të certifikuar 3,395 janë burra dhe 2,024 gra.

Imazhe të reja tregojnë dëme dhe zhvendosje në qytetin e Gazës

0

Imazhet satelitore të publikuara nga kompania e inteligjencës Vantor, kanë kapur skena tërheqëse në të gjithë Gazën, ndërsa armëpushimi hyri në fuqi të premten.

Imazhet tregojnë dëmet e shkaktuara në një zonë veriore të Qytetit të Gazës rreth Sheshit Abed, i cili ishte përdorur si një kamp i vogël zhvendosjeje përpara përparimit të IDF-së në qytet.

Më në jug, mund të shihet një kamp shumë më i madh zhvendosjesh të ngritur rreth një kompleksi banimi të quajtur Hamad City, pranë Khan Yunis.

Ky kamp i shtrirë, me një sipërfaqe prej rreth 2.5 km katrorë, u krijua menjëherë pasi IDF njoftoi planet e saj për të pushtuar Qytetin e Gazës në gusht.

Më në fund, mund të shohim turma njerëzish dhe automjetesh që shkojnë në veri drejt qytetit të Gazës përgjatë rrugës bregdetare al-Rashid, një nga dy rrugët e miratuara për të kthyerit.

Një fëmijë goditet nga vetura në kryeqytet

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën “UÇK” në Prishtinë.

Zëdhënësi i policisë rajonale për Prishtinë Enis Pllana, ka konfirmuar se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor.

“Sot rreth orës 16:00 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën UÇK në Prishtinë. Si pasojë lëndime ka pësuar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, ka thënë Pllana.

Sylvinho zgjedh formatin 4-3-3 kundër Serbisë

0

Shqipëria dhe Serbia do të luajnë sonte në Leskovc, aty ku kuqezinjtë do të kenë shansin e fundit për një vend në “Play Off” të Botërorit 2026.

Sipas mediave, Sylvinho i ka besuar formatit 4-3-3.

Në portë do të jetë Strakosha. Mbrojtja do të përbëhet nga Hysaj, ajeti, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë është treshja Asllani, Laçi dhe Shehu. Ndryshimi i vetëm vjen nga krahu i majtë i sulmit, aty ku nuk do të jetë as Bajrami dhe as Hoxha, por Myrto Uzuni, ndërsa krahu i djathtë i është besuar Brojës. Në majën e sulmit do të jetë sërish Manaj.

Ndërkohë edhe Serbia ka publikuar 11-shen e saj me rreshtimin 3-5-2.

Sfida do të startojë në orën 20:45.

Ben Blushi tregon si u tmerruan botuesit nga romani i tij i ri

0

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi, ka ndarë një histori interesante lidhur me romanin e tij më të ri, që siç shprehet në një postim në rrjetet sociale, pritet të botohet në fillim të muajit nëntor.

Duke u ndodhur në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të dorëshkrimit, Blushi tregon për një eksperiencë befasuese që ka kaluar me disa shkrimtarë dhe botues, të cilët e kanë lexuar dhe kanë dhënë reagime të ndryshme.

Një shkrimtar, i pari që ka patur në dorë tekstin, Blushi thotë se “e cilësoi romanin si një vepër që do të ndajë letërsinë shqipe në dy periudha, para dhe pas tij”. Tjetri, më entuziast, i sugjeroi autorit “ta botojë patjetër dhe me çdo sakrificë”.

Por një botuese e ka parë me skepticizëm dhe përgjigjja e saj për autorin ka qenë se nuk mund ta botojë romanin, pasi, sipas saj, “ai lart” nuk do e lejonte. Në fillim, shkruan Blushi, mendoi se bëhej fjalë për një pengesë të natyrës religjioze, por më vonë – siç shprehet, kuptoi se “ai lart” ishte burri i botueses. Një tjetër botues e lexoi romanin deri në mes dhe, i tmerruar, nuk mundi ta vazhdonte. Kurse një botues i tretë, pa hezitim, u shpreh: “Nuk kam frikë. Jam ateist”.

Pas kësaj “përballje” të panatyrshme, Blushi thekson se ka vendosur të zgjedhë botuesin e tretë… Por jo vetëm kaq, ai lë hapur mundësinë për një botues të katërt, pa treguar ende se çfarë shkruhet në vepër.

Autori ka mbajtur mister përmbajtjen e plotë të romanit të ri. Një subjekt që duket se do të ngjallë reagime të forta, kur ai të promovohet dhe zërë vend në stendat e Panairit të Librit muajin e ardhshëm apo libraritë e kryeqytetit dhe jo vetëm.

Shënimi i Blushit në Facebook:

NJË HISTORI E SHKURTËR E ROMANIT TIM TË RI

Isha në shtypshkronjë për të korrektuar variantin përfundimtar të romanit tim të ri që del në fillim të muajit nëntor.

Është herët për të treguar më shumë për përmbajtjen, por për të qetësuar dyshimet e mia ia dhashë dorëshkrimin dy shkrimtarëve dhe tre botuesve.

Shkrimtari i parë tha se ky roman e ndan letërsinë shqipe në dy pjesë: para dhe pas tij.

Shkrimtari i dytë tha duhet ta botosh patjetër dhe me cdo sakrificë.

Botuesja e parë më tha nuk e botoj dot sepse nuk më lë ai lart.

Në fillim mendova se ai lart ishte Zoti, por më vonë mora vesh se ishte burri i saj.

Botuesja e dytë e lexoi deri në mes dhe u tmerrua aq shumë sa nuk lexoi dot gjysmën tjetër.

Botuesi i tretë më tha nuk kam frikë. Jam ateist.

Zgjodha të tretin.

Nuk e di a do më duhet një i katërt.

A do të arrijë Kurti t’i sigurojë 61 vota për Qeverinë e re?

0

Pas konstatimit të djeshëm se seanca e Kuvendit të Kosovës është konstituar me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetari i pestë, sot Lëvizja Vetëvendosje (LVV) menjëherë ka dërguar tek presidentja e Republikës së Kosovës, emrin e Albin Kurtit si mandatar për krijimin e Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, Kurti tashmë ka në dispozicion vetëm 15 ditë për të krijuar shumicën e thjeshtë prej 61 votash për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë, aktualisht partia që drejton kryeministri në detyrë, ende s’ka asnjë marrëveshje për koalicion me ndonjë prej partive politike, gjë që do t’i siguronte votat e mjaftueshme për bërjen e Qeverisë së re.

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka zvarritur për muaj të tërë procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit në mungesë të numrave për zgjedhjen e tij.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, Kurti ka zhvilluar takime me pakicat jo-serbe, përkrahjen e të cilëve e ka, ndërkohë bisedime ka pasur edhe me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj.

Pavarësisht takimeve me Limajn, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje, meqë Limaj kërkonte garanci nga Kurti që i ka 61 votat për krijimin e Qeverisë së re, në këmbim të votave të NISMA-s për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ndërkohë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takime rreth krijimit të Qeverisë së re, derisa nga LVV thonë se s’duan institucione të reja që dalin nga një bashkëpunim me PDK-në.

Kurti në Kuvend i ka 56 deputetë, përfshirë Nenad Rashiqin dhe ata të komuniteteve jo-serbe, që janë të pamjaftueshme për votimin e Qeverisë së re, për të cilën kërkohen plotë 61.

Ndonëse s’kanë koalicion me asnjë parti, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjithë kohës thonë se i kanë votat për krijimin e Qeverisë së re.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar sot se “Qeveria Kurti 3 po vjen”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pasi ka dekretuar Kurtin për krijimin e Qeverisë së re, ka thënë se pret që një gjë e tillë të bëhet shpejt dhe që institucionet e reja të punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.