spot_img
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
17:35
Home Blog Page 67

Koha e duhur për municione? Kosova hyn në lojë

0

Në Ballkan, ku balancat e sigurisë mbeten të brishta dhe veprimet shtetërore shpesh interpretohen përtej peshës së tyre reale, edhe hapat e vegjël marrin rëndësi të shtuar. Në këtë kontekst, prodhimi i planifikuar i municionit nga Kosova është një hap i kufizuar, por me potencial për të ndikuar në mënyrën se si vendi perceptohet në fushën e mbrojtjes.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026. Dhe, aktiviteti nuk do të ndalet me kaq.

“Kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë, me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake – dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, tha Kurti më 27 nëntor.

Marrëveshja për fabrikën u nënshkrua më 16 dhjetor, 2024, mes Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk, MKE.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktojë drejtpërdrejt me kompaninë, por, sipas një deklarate të saj nga tetori, Kosova do të pajiset me makineri për prodhimin e fishekëve dhe plumbave, një linjë prodhimi dhe montimi, laborator dhe pajisje testimi. Personeli i MKE-së do të ofrojë edhe shërbime prodhimi, mirëmbajtjeje, riparimi dhe asistencë teknike për stafin kosovar.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s në Bruksel nuk dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për njoftimin e Kosovës se do të nisë prodhimin e municionit në vitin 2026, as për standardet specifike që vendi duhet t’i ndjekë, por u shpreh vetëm se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të OKB-së, duke ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së, EULEX”.

NATO-ja nuk e ka mbështetur shndërrimin e FSK-së në ushtri – proces që pritet të përfundojë në vitin 2028. Autoritetet e Kosovës, përfshirë Kurtin, thonë se ai po zhvillohet sipas standardeve të NATO-s dhe se armatimi i blerë gjatë katër vjetëve të fundit – në vlerë mbi 430 milionë euro sipas tij – vjen nga vende anëtare të aleancës: SHBA-ja, Turqia, Gjermania e të tjera.

“Duke e rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën. Duke e ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës, e forcojmë partneritetin me aleatë”, tha Kurti.

Koloneli amerikan në pension, Ray Wojcik, e sheh vendimin e Kosovës për të prodhuar municione si një “iniciativë fantastike” – në linjë me pritjet e NATO-s që vendet aspiruese të zhvillojnë kapacitete industriale mbrojtëse. Në vlerësimin e tij, Kosova po e nis këtë prodhim në kohën e duhur: për të forcuar aftësitë e saj ende të kufizuara, për t’iu përgjigjur kërkesave më të larta të sigurisë pas luftës në Ukrainë dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal me aleatët.

“Një nga gjërat pozitive për Kosovën, falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR, është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët. Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar – dy nga aleatët e saj më të afërt, të cilët janë shumë mbështetës për të”, thotë Wojcik për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Wojcik, i cili ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, përmend edhe marrëveshjen rajonale të mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila, sipas tij, mbështet iniciativën për prodhimin e municioneve në Kosovë.

Argyro Kartsonaki, nga Instituti për Kërkime të Paqes dhe Politika të Sigurisë në Hamburg, pajtohet se është logjike që një shtet i vogël të përpiqet të forcojë sigurinë e vet, por paralajmëron, po ashtu, se këto veprime mund të perceptohen si kërcënim nga fqinjët, duke i rritur tensionet, në vend se t’i ulin ato.

“Kjo nuk do t’i ndryshojë dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëjë, megjithatë, është t’i ushqejë narrativët. T’i japë edhe një element propagandës dhe diskurseve populiste të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nëse kjo pastaj ekzagjerohet, mund të krijojë frikë dhe pasiguri të perceptuar. Dhe, frika e perceptuar është po aq reale sa edhe kërcënimi i vërtetë. Pikërisht këtu qëndron edhe delikatesa e këtij vendimi”, thotë Kartsonaki për Exposenë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka interpretuar marrëveshjen e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si shenjë të një gare armatimi, duke theksuar se Serbia “do të mbrohet me sukses nga çdo agresor i mundshëm”.

Në të njëjtën linjë, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbrojtje në Serbi, Millovan Drecun, ka pretenduar se fabrika turke e municioneve në Kosovë cenon sigurinë dhe pozitën e serbëve në vend, por pa sjellë prova konkrete për këtë.

Serbia, përndryshe, mbetet fuqia dominuese ushtarake në rajon, me një buxhet mbrojtjeje dukshëm më të lartë se ai i Kosovës dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm – SIPRI, Kosova në vitin 2024 ka ndarë rreth 162 milionë dollarë për mbrojtjen, ndërsa Serbia rreth 2.2 miliardë.

Serbia, po ashtu, mbetet eksportuesja kryesore e armëve dhe municioneve në rajon, duke përbërë mbi 65% të totalit të eksporteve, sipas Institutit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC). Pas saj renditen Bosnje dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat eksportojnë gjithçka – nga municionet e lehta deri te minat dhe raketat.

Koloneli Wojcik thotë se Kosova duhet t’i adresojë perceptimet e Serbisë duke komunikuar qartë se iniciativat e saj të mbrojtjes, përfshirë prodhimin e municioneve, synojnë t’i përmbushin standardet e NATO-s dhe të shërbejnë si mjet mbrojtës, jo si kërcënim.

“Është një përpjekje për stabilitet rajonal, pasi mund të veprojë si mjet parandalues ndaj Serbisë agresive, e cila ka kapacitete të mëdha prodhimi armësh dhe municionesh. Prandaj, për një sasi shumë të vogël armësh ose municionesh që do të prodhojë Kosova, nuk ka arsye shqetësimi për serbët”, thotë Wojcik.

Se çfarë lloji dhe çfarë sasie municionesh synon të prodhojë Kosova, nuk dihet saktësisht, pasi një pjesë e madhe e informacionit në fushën e mbrojtjes është e klasifikuar. Në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci – tani në detyrë – ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet plotësisht e vetëqëndrueshme, por mund ta zvogëlojë varësinë nga vendet e tjera, duke prodhuar municione dhe armatime që përdoren më shumë dhe sigurohen më vështirë.

Kartsonaki, nga Instituti për Kërkime të Paqes dhe Politika të Sigurisë, thotë se Kosova, si një vend i vogël, nuk mund të zhvillojë një industri të madhe të mbrojtjes, pa kufizuar ndjeshëm buxhetin e saj për fusha të tjera të rëndësishme.

“Çështja është se ju keni një shtet të vogël, me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë. A është ky vërtet investimi më i mirë që mund të bëni? Këtu nuk bëhet fjalë për Gjermaninë, e cila mund të prodhojë armë në një shkallë më të madhe, por, njëkohësisht, ka mjaft fonde për të mbuluar edhe aspektet sociale të shtetit”, thotë Kartsonaki.

Koloneli Wojcik thekson se buxheti i kufizuar i mbrojtjes e detyron Kosovën të veprojë me kujdes maksimal, duke investuar burimet në mënyrë të zgjuar. Ai nënvizon nevojën që përpjekjet në industrinë e mbrojtjes të koordinohen ngushtë me aleatët kryesorë dhe të shmangen partneritetet që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal ose përafrimin me Perëndimin.

Për të qenë efektiv, ai thotë se sektori i mbrojtjes duhet të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë transparencën, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

“Mendoj se Kosova ka treguar rezultate të qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin dhënë ndihmë për kaq shumë vite për sigurinë Kosovës, nëse do të kishte shqetësime për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo është një shenjë e mirë, dhe përpjekja për prodhimin e municioneve duhet të ndjekë të njëjtin model – duke u mbikëqyrur nga NATO-ja dhe partnerët kryesorë, si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndaj, rreziku për keqmenaxhim është shumë i ulët”, thotë Wojcik.

Shtetet e Bashkuara kanë në Kosovë kampin Bondsteel, që shërben si baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. NATO-ja ka ende mbi 4.000 paqeruajtës – kryesisht në veri të vendit, ku, në dy vjetët e fundit, janë shënuar tensionet më të rënda etnike që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë, por që nga ardhja e Kurtit në pushtet në vitin 2021, buxheti i mbrojtjes ka shkuar duke u rritur.

Edhe në nivel global, të ardhurat nga industria e armëve janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2024 – nxitur nga shpenzimet e larta ushtarake për shkak të luftërave në Ukrainë dhe në Gazë, si dhe tensioneve gjeopolitike rajonale dhe globale. Sipas Institutit SIPRI, shitjet e armëve dhe shërbimeve ushtarake janë rritur për 5.9 për qind vitin e kaluar, duke arritur një rekord prej 679 miliardë dollarësh.

Me fjalët e kolonelit Wojcik, prodhimi i municioneve në Kosovë mund të jetë në dobi edhe të aleatëve të NATO-s, përfshirë Ukrainën. /REL

Abdixhiku e publikon listën e LDK-së me emrat e 110 kandidatëve për deputetë

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë.

Ai ka thënë se kjo listë është e atyre që besojnë në shtet, në ligj, në meritë dhe në të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Kjo është lista e të ardhmes sonë. Një kombinim i njerëzve të dëshmuar në profesionet e tyre, aktivistëve të palodhur të LDK-së, gjeneratës së re që kërkon hapësirë e përgjegjësi, dhe figurave që kanë ndërtuar institucione, ekonomi, arsim e siguri. Çdo emër në këtë listë qëndron mbi vlera; integritet, besim dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë Abdixhiku.

Lista e plotë:

Mund të jetë një imazh i teksti që thotë "123 LISTA KANDIDATEVE PER DEPUTETE KUJTIM HYKMETE BAJRAMI DOARSA OSMANI RAFUNA HASANI XHELILI AVDULLAH HOTI REXHA GÊZIM KASAPOLLI SADIKU SADRIU AGANI RUGOVA GASHI LUMBARDH SALIHU SHAQIRI MULAJ BYTYÇI DAFINA KOLGECI FEIM GASHI GASHI SHEFQET SHEHU EKREM MUSTAFA FRROKAJ MUÇAJ AZEMI PRESTRESHI ARMEND YMERI KADRIU GOVORI DESKU HADERGJONAJ DORUNTINE MALOKU ALBAN ZOGAJ HASALLARI ISLAMI RAMADANI HAXHIKADRIU BERISHA XHELADINI RUDI KRASNIQI MYRTEZANI MUJKU BESIM GUDA BERISHA ARBER ISMAJLI MANAJ DUMOSHI QENDRIM SOFTOLLI VALENTINA DAFINA MUHARREM ASLLANI RONI KOSMANN FLORIAN DUSHI GEZIM HAZROLLI ΑΒΑΖΙ AGIM TEJECI MURATI KRYEZIU OSMANAJ KADOLLI HALILI MUSLIU ISMET GAFURR IBRAHIMI RUSINOVCI HOROSANI BUJARI T1O PARIS GURI"

Kjo është top 10-shja e listës së kandidatëve të PDK-së për deputetë

0

Partitë kanë kohë deri në mesnatë për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë.

Raportohet se emrat e dhjetëshes së parë në listën e kandidatëve për deputetë i prin kryetari i partisë, Bedri Hamza, kandidat për kryeministër:

  1. Bedri Hamza
  2. Uran Ismajli
  3. Vlora Citaku
  4. Enver Hoxhaj
  5. Arben Mustafa
  6. Besa Kabashi Ramaj
  7. Rrahman Rama
  8. Eman Rrahmani
  9. Sala Jashari
  10. Kujtim Gashi

Kurti: Do të angazhohemi për një “fitore edhe më të madhe” në zgjedhjet e 28 dhjetorit

0

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha se do të angazhohen që të arrijnë një “fitore edhe më të madhe” në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

“Me numrin 116 bashkë me qytetarët angazhohemi për një fitore edhe më të madhe”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Paraprakisht, LVV-ja shkroi në Facebook se ajo “fitore më e madhe” u “duhet”.

Haradinaj zbulon sloganin për zgjedhjet e 28 dhjetorit

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zbuluar sloganin e partisë së tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Pasi AAK-së i ka numri 129 për ta mbajtur në këto zgjedhje, kreu i kësaj parti bëri të ditur edhe sloganin: “Krah teje”.

Krasniqi rendit tri fitoret e LVV-së dhe tri të opozitës

0

Albert Krasniqi, nga organizata Demokraci Plus, ka renditur nga tri tema që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) “i ka fituar” dhe tri të tjera që “i ka fituar” opozita gjatë pesë vjet qeverisjes të Albin Kurtit.

Postimi i plotë:

Gjatë pesë viteve të qeverisjes së VV-së, janë disa çështje që qeveria i ka paraqitur si “suksese të padiskutuara” dhe disa të tjera që opozita i ka paraqitur me efekt si dështime të qeverisjes.

Temat që VV i ka fituar:

  1. Shtrirja e sovranitetit në veri dhe luftimi i grupeve kriminale atje.
  2. Fuqizimi ushtarak i Kosovës, duke krijuar idenë se vendi mund të përballet i vetëm me çdo kërcënim eventual nga Serbia.
  3. Imazhi i qeverisë ku rastet e korrupsionit paraqiten si të izoluara dhe si veprime që ndodhin pa dijenin ose përfshirjen e kryeministrit Kurti.

Temat që opozita i ka fituar:

  1. Mafia energjetike në nivele qeveritare, e cila – sipas opozitës – vepron në Kosovë dhe ka lidhje me Serbinë.
  2. Dobësimi i aleancave me shtetet mike, si rezultat i veprimeve të pamatura dhe qasjeve konfrontuese të qeverisë.
  3. Stagnimi ekonomik dhe mungesa e investimeve, përfshirë përkeqësimin e klimës së biznesit dhe rënien e investimeve të huaja.

Shatri: Qeveria po fsheh shifrat, 213 mijë të shpërngulur dhe punësimi në rënie

0

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, ka kundërshtuar deklarimet e Qeverisë Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati, lidhur me rezultatet ekonomike gjatë mandatit katërvjeçar.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Shatri ka thënë se ministri “po paraqet vetëm shifrat që i pëlqejnë”, ndërsa po anashkalon treguesit negativë, të cilët sipas tij tregojnë për krizë të thelluar demografike dhe ekonomike në vend.

Ai ka theksuar se gjatë viteve të qeverisjes aktuale nga Kosova janë shpërngulur 213 mijë qytetarë, si dhe ka pasur rënie të madhe të numrit të nxënësve, studentëve dhe të punësuarve, sipas tij të gjitha të dhëna të publikuara nga ASK-ja.

“Nuk e di ky ministri i financave ku i ka marrë do syze që po ia qesin vetëm do numra që po ka qef me i prezentuar e disa të tjerë që janë negativ nuk po i sheh. Ndoshta po mendon që krejt popullsia janë analfabet, çka t’ju thotë ai ata besojnë se ka thanë Hoxha amin është. Fatkeqësisht nuk është ashtu, po të ishte ashtu pse nuk tregon që për katër vite të qeverisë Kurti nga Kosova janë shpërngulur 213 mijë njerëz, sipas Vjetarit të Statistikave të Kosovës, që është publikim i ASK-së që është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Pra është dokumenti më zyrtar që mund të ketë vendi. Do të thotë 213 mijë njerëz janë shpërngulur brenda katër viteve, për vitin 2025 nuk ka të dhëna”, ka deklaruar ai.

Shatri ka detajuar edhe rënien e madhe të popullsisë shkollore, duke thënë se vendi po zbrazet me ritme alarmante.

“Nxënës në shkollat fillore 2024–2025 janw 21 mijë më pak se në vitin 2020–2021. Do të thotë 21 mijë nxënës deri në vitin e nëntë të shkollës janë më pak në Kosovë në fund të vitit 2024. 11 mijë janë nxënës të shkollave të mesme më pak, që po bëjnë 32 mijë, veç nxënës deri në shkollë të mesme. 31 studentë janë më pak në vitin shkollor 2024–2025 se sa në vitin 2020–2021. Nëse është ky sukses me shpraz Kosovën me këta të rinj që janë e ardhmja e Kosovës, po vazhdojmë me këtë sukses se edhe pesë vjet tjera nuk do të jetë askush këtu sipas kësaj dinamike”, ka theksuar ai.

Duke folur për tregun e punës, ai tha se gjendja është shumë më e rëndë sesa paraqitet nga qeveria.

“Kemi popullsi jo aktive që janë në moshë pune, 57 për qind janë popullsi jo aktive që nuk merren me kurgjë. Këta që janë në moshë pune konsiderohen prej 15 deri 65 vjeç, në këtë grupmoshë në Kosovë në vitin 2024 kanë qenë 57 për qind jo aktiv, që nuk merren me asgjë. Në këtë përqindje më të madhe ka grupi i fermave sepse papunësia te këta është shumë e shprehur”, ka thënë ai.

Ish-ministri ka bërë të ditur se vetëm brenda vitit 2024 janë 11 mijë të punësuar më pak sesa një vit më parë.

“Në vitin 2024 janë 11 mijë të punësuar më pak se në vitin 2023, do të thotë numri absolut i të punësuarve ka rënë për 11 mijë brenda një viti. Ky trend është mjaft shqetësues, sigurisht këta 11 mijë janë në grupin e atyre 213 mijëve që janë shpërngulur”, ka theksuar ai.

Shatri ka kritikuar ashpër edhe mënyrën se si qeveria po paraqet rritjen e pagave, duke e quajtur të rreme në raport me inflacionin e vërtetë të shportës së konsumit.

“Pagat mesatare edhe të sektorit publik edhe privat për katër vite nominalisht janë rritur 37 për qind, e neto janë rritur 32 për qind. Inflacioni në këtë periudhë e kemi në indeksin e çmimeve për këto vite është diku te 30 për qind. Ky inflacion është inflacioni mesatar i çmimeve ku hyjnë edhe çmimet e ndërtimit, çmimet e prodhimit e të tjera, kurse norma e rritjes së çmimeve të artikujve të konsumit për këtë periudhë sipas statistikave zyrtare është mbi 60 për qind. Që do të thotë paga është rritur 32 për qind, indeksi i çmimeve të artikujve të shportës është diku 60 e diçka për qind, i bie që 30 për qind ata të punësuar që marrin pagë në Kosovë kanë marrë më pak pagë me aftësi blerëse 30 për qind më të vogël se në vitin 2020. E viti 2020 është vit i krizës, vit i pandemisë”, ka deklaruar ai.

Letërsia për fëmijë, mes pasionit dhe sfidës së leximit

0

Të shtunën “News 24 Fundjavë” në News24 u fokusua te letërsia për fëmijët, rëndësia e librave dhe sfidave që përballen fëmijët.

Të ftuar në studio, ishin vajzat Elisa Peza dhe Ema Qazezi, të cilat dhanë disa mesazhe shumë të rëndësishme për bashkëmoshatarët e tyre, që fëmijët t’i përkushtohen leximit. Dy vajzat treguan se kanë lexuar deri në 500 libra.

Gjithashtu shkrimtarja Edlira Dedja në një lidhje online, në “News 24 Fundjavë”, u shpreh se shumë e lumtur që fëmijët vazhdojnë traditën e leximit.

“Jam shumë e gëzuar që fëmijët vazhdojnë traditën tonë. Kur lexon librat e Bedri Dedes sheh se ai ka qenë gjithmonë shumë hapa përpara, kur i ka shkruar këto vepra”, tha Edlira.

“Personalisht për mua nuk është shumë e vështirë sepse më fut në një botë komplet tjetër, sepse më pasuron fjalorin dhe më pëlqen shumë”, u shpreh Ema.

Gjatë intervistës, Edlira Dedja dha një mesazh shumë të rëndësishëm, duke u shprehur se leximi është pasuri. Dhe se duhet shumë përkushtim dhe punë që fëmijët të orientohen drejt leximit, në mënyrë që të mos mbeten vetëm pas teknologjisë.

“Ata fëmijët që janë mësuar të lexojnë që të vegjël, nuk besoj se kanë shumë ndryshim nga fëmijëria jonë”, tha ajo.

Gjithashtu tregoi ajo se shkrimtari Bedri Dedja ka ditur gjithmonë dhe ka pasur aftësinë t’i shndërronte lexuesit e vegjël vetë në personazh.

“Bedri Dedja ka qenë kundër një letërsie që jepte zgjidhje automatike por u jepte fëmijëve mundësinë që gjenin zgjidhjen që ata donin. Dhe  humori , shkrimi i tij i jepte mundësinë që të pjesë e lojërave të ndryshme. Bedri Dedja kishte aftësinë t’i shndërronte lexuesit e vegjël vetë në personazh”, u shpreh më tej ajo.

Sot në orën 23:59 përfundon afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë

0

Sot në orën 23:59 do të përfundojë afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Deri tani kanë përfunduar tri nga afatet kryesore që kanë të bëjnë me subjektet politike.

Aplikimi për certifikim i subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje; formimi i koalicioneve nga partitë politike; dhe njoftimi për mospjesëmarrje në zgjedhje – janë aktivitetet kryesore, afatet e të cilave kanë përfunduar më 30 nëntor, në orën 23:59.

Më 17 dhjetor nis edhe fushata elektorale, për zgjedhjet nacionale në vend.

Dy persona raportohen të zhdukur në Kosovë

0

Dy persona janë raportuar të zhdukur, një në Deçan dhe një në Klinë.

Në Deçan, djali e ka raportuar të zhdukur nënën e tij.

“Deçan 02.12.2025-09:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se nëna e tij viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.”

Ndërsa, në Klinë burri e ka raportuar të zhdukur gruan e tij.

“Klinë 06.12.2025-11:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se bashkëshortja e tij viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më. Rasti është duke u hetuar.”