Në kuadër të Konferencës së Parë Ndërkombëtare “Shqipëria në periudhën bizantine”, mbajtur në Tiranë nga Akademia e Shkencave, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka prezantuar ekspozitën “Kodikët bizantinë dhe pasbizantinë”, duke shpalosur dorëshkrime të çmuara të trashëgimisë sonë dokumentare.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Endrit Musaj, zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme e Arkivave, Marinela Ndria, studiuesi Agamemnonas Tselikas, njohësi i gjuhëve të rralla, moderuesi dhe kuratori i ekspozitës, Sokol Çunga, si edhe bizantinologë dhe studentë të shumtë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Musaj vuri theksin te gatishmëria e DPA-së për promovimin e kësaj pasurie, që është pjesë e pandashme e historisë dhe e identitetit kombëtar.
“Rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë pati fatin historik që përveç dokumenteve të trashëguara nga institucionet shtetërore nga koha e Pavarësisë e tutje, të marrë nën kujdes edhe koleksione të çmuara dokumentesh, që tradicionalisht nuk kanë qenë pjesë e arkivave shtetërore. Ndër thesaret më të vyera, është Fondi ‘Koleksioni i Kodikëve të Shqipërisë’, që prezantohet në këtë ekspozitë. Ky fond ështe gurthemeli i kulturës së shkruar shqiptare dhe një ndër dëshmitë më të rëndësishme të vazhdimësisë sonë civilizuese”, u shpreh Musaj.
Ndërsa, në fjalën e tij të rastit, studiuesi Tselikas e vlerësoi ekspozitën, si një mundësi për të rënë në kontakt me të shkuarën.
“Të punosh me dorëshkrime, do të thotë të punosh jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të tashmen dhe të ardhmen. Teksa i shohim, biem në kontakt me autorin, me kopistin dhe me ata që i ruajnë”, tha Tselikas.
Përmes ekspozitës së përgatitur nga DPA-ja, publiku pati mundësinë të vrojtonte nga afër Kodikë bizantinë dhe pasbizantinë të ruajtur në fondet arkivore; dorëshkrime unike që dëshmojnë tradita liturgjike, artistike dhe intelektuale ndër shekuj; miniatura, shkrime të lashta dhe teknika ikonografike, që pasqyrojnë mjeshtërinë e skriptoriumeve të hershme.
Fondi “Koleksioni i Kodikëve të Shqipërisë” është shfaqur në vitin 2000 në Vatikan, në ekspozitën e titulluar “Gli Evangeli degli Popoli”, duke vetëdijësuar publikun vendas dhe ndërkombëtar për vlerën e dorëshkrimeve përkatëse.
Më tej, DPA-ja paraqiti një ekspozitë të radhës në vitin 2010, si dhe mori pjesë në Kongresin e XXI-të të Studimeve Bizantine ne Sofje, që funksion të evidentimit të këtyre materialeve arkivore. Po ashtu, DPA-ja ka mundësuar më herët një ekspozitë shëtitëse me pllakate, e cila krijoi një urë komunikimi midis trashëgimisë dhe publikut. /atsh


