spot_img
E martë, 30 Dhjetor, 2025
04:59
Home Blog Page 88

Kurti në Konferencën e Mjedrës: “Qeveria do të jetë partner i fermerëve, jo spektator”

0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, ku ka vlerësuar suksesin e sektorit të frutave të imta dhe ka premtuar se Qeveria do të mbetet një mbështetëse e drejtpërdrejtë e fermerëve.

Në një sallë me mbi 350 pjesëmarrës, përfshirë edhe 30 fermerë nga Shqipëria, Kurti tha se rezultatet e viteve të fundit në bujqësi janë dëshmi e reformave të qëndrueshme dhe përfshirjes së të gjitha komuniteteve në zhvillimin ekonomik të vendit.

Kosova sot është histori suksesi. Jemi më të sigurt në Evropë sa i përket sundimit të ligjit dhe kjo nuk është rastësi, por rezultat i reformave të qëndrueshme, rritjes ekonomike dhe klimës së stabilitetit,” u shpreh Kurti, duke shtuar se 75% e prodhimtarisë së frutave të imta shkon për eksport, duke gjeneruar rreth 10 milionë euro të ardhura.

Ai theksoi se vendi ka ngritur një zinxhir të plotë prodhimi – nga ara te qendrat e punimit – duke krijuar modele bashkëpunimi që po sjellin kontrata afatgjata në tregjet ndërkombëtare.

Kurti njëherësh ripërsëriti zotimin:
“Një premtim nga qeveria: Do të jem partner, jo spektator.”


Demelezi: Nga janari nisin konferencat e reja bujqësore

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Bujqësisë, Imri Demelezi, tha se Konferenca e Mjedrës mbetet ngjarja e vetme bujqësore që ka arritur të mbajë aktivitet të pandërprerë për një dekadë.

Ai paralajmëroi se nga janari pritet të nisë “Java e Konferencave të Bujqësisë”, duke theksuar se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për inovacion, zhvillim dhe rritje të kapaciteteve.

Sot bujqësia është më e fortë falë investimeve dhe përkushtimit të fermerëve. Interesi për kulturën e mjedrës po rritet vazhdimisht dhe sektori ka siguri financiare,” tha ai.


Caritas Switzerland: Dhjetë vjet bashkëpunim dhe qëndrueshmëri

Drejtoresha e Caritas Switzerland, Rita Glavitza, theksoi rëndësinë e partneritetit dhjetëvjeçar me fermerët kosovarë, duke e quajtur këtë konferencë një platformë të fuqishme për inovacion, shkëmbim përvojash dhe ndërtim të një bujqësie të qëndrueshme.

Zhvillimi i vërtetë ndodh kur familjet kanë të ardhura të sigurta dhe të rinjtë shohin të ardhme në vendin e tyre,” u shpreh ajo.

Ajo kujtoi se Konferenca e Mjedrës nisi si një nismë e vogël e Caritas-it, për t’u kthyer sot në një prej eventeve më të rëndësishme bujqësore në vend.

Sa kanë kohë subjektet politike për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë në KQZ?

0

Kosova ka hyrë në muajin kur do të mbahen zgjedhjet nacionale. 25 ditë kanë mbetur deri në ditën kur qytetarët e vendit do t’i drejtohen përsëri kutive të votimit

Partitë politike ju kanë mbetur veç edhe 4 ditë deri në dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë në KQZ.

Këtë për media e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetareve dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë përmes platformës listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

“Sarajevo Safari”, Haradinaj: Nëse Serbia dënohet për gjenocid, për ne është fitore

0

Ish-nënkryetari i OVL – UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka komentuar detajet e reja që janë publikuar nga gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, ku përmendet edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Haradinaj, tha se nëse Serbia dënohet si shtet për gjenocid, kjo do të ishte fitore për vendin tonë.

Sipas tij, pavarësisht mundësisë së dënimit, mendësia e serbëve nuk ndryshon.

“Nëse Serbia dënohet për gjenocidin në Kosovë, për ne do të jetë fitore. Mendësia e serbëve nuk ndryshon, se ata qysh në djep mësohen me qenë njerëz okupues, me pushtu e sidomos në urrejtje. Por, politikat ndryshojnë nëse Serbia dënohet për gjenocidin”, tha Haradinaj në Klankosova.

Kurti s’flet për reagimet e ashpra të ambasadave për moscertifikimin e Listës Serbe

0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar të deklarohet lidhur me reagimin e ashpër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

SHBA-ja kritikoi ashpër veprimet e Vetëvendosjes, duke thënë se ato dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat amerikane. Sipas deklaratës, këto veprime rrezikojnë edhe rifillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet dy shteteve.

Kurti, si në raste të tjera, shmangu pyetjet e gazetarëve.

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Kosovë theksoi se “përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe janë të pamenduara dhe përçarëse”. Ajo shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike.

Sipas Ambasadës, veprimet e tilla minojnë stabilitetin e vendit dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut strategjik dhe avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.

Nga “libri i ndaluar” te gjuha që flet me Zotin

0

Një udhëtim personal nëpër “Koleksionin e Biblave” në Bibliotekën Kombëtare

Në një ditë të zakonshme plenare, me dosje ligjesh mbi tavolinë dhe me zërin e sallës që herë ngrihet, herë bie, vendosa të bëj një shmangie të pazakontë: të dal nga Kuvendi dhe të hyj në Bibliotekën Kombëtare.

Në pamje të parë, duket si një lëvizje teknike – nga një institucion në një tjetër. Në të vërtetë ishte një udhëtim i vogël në kohë: nga debati i sotëm politik, tek një histori shumë më e gjatë se çdo legjislaturë, një histori që fillon qysh në faqet e para të gjuhës sonë të shkruar.

Shkaku ishte i bukur: hapja e ekspozitës “Koleksioni i Biblave”, ku për herë të parë ekspozohen mbi 400 Bibla të rralla të mbledhura nga mesi i shekullit XV deri në ditët tona, të shtypura në Itali, Francë, Gjermani, Holandë, Greqi e më tej; të plotësuara me dorëshkrime të çmuara të Shkrimit të Shenjtë.

Por shkaqet e vërteta të një udhëtimi të tillë janë gjithmonë më të thella se sa ftesa zyrtare e Drejtorit te Bibliotekës, Zotit Pirro Misha, te cilin e falenderoj përzemërsisht për organizimin e ekspozitës.

Për mua, Bibla nuk është thjesht “libri i besimit”. Shumë përpara se të merrja përgjegjësi publike, unë jam ulur pranë Biblës si student i së drejtës. Tema e diplomës sime, në fillim të viteve ’90, ka qenë historia e institucioneve të Izraelit të lashtë dhe e së drejtës së dokumentuar në Bibël. Këtë tekst, që shumëkush e sheh vetëm si libër feje, unë e njoha fillimisht si libër ligji: aty ku ligji, mëshira, falja dhe drejtësia nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por dialogojnë.

Më vonë, në fund te viteve ‘90 dhe përgjatë viteve 2000, pata një tjetër privilegj: të shërbej si anëtar i Shoqërisë Biblike Ndërkonfesionale të Shqipërisë. Dhe aty pashë nga afër një skenë që nuk e harroj dot lehtë: një prift katolik, një prift ortodoks dhe dy pastorë protestantë të ulur rreth të njëjtës tavolinë, mbi të njëjtin tekst, duke punuar fjalë për fjalë, varg për varg, mbi përkthimin e Biblës nga gjuhët origjinale.

Nga kjo tryezë doli përkthimi me titull domethënës “Së bashku”. Jo vetëm për faktin që është fryt i punës së përbashkët të tre traditave të kishës, organizuar me mjeshtëri nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale, por sepse simbolizon diçka që ne shpesh harrojmë: në Europë feja ka qenë shpesh pretekst ndarjeje, kurse në Shqipëri ka pasur momente të fuqishme ku besimi në Zot është bërë arsye bashkimi.

Kjo nuk është normale as në botën e shoqërive biblike. Rasti shqiptar konsiderohet unik: tre tradita të ndryshme që, në vend se të prodhojnë tre përkthime “konkurente”, zgjedhin të ulen në një tryezë dhe të ofrojnë një tekst të përbashkët për shoqërinë.

Por kjo histori nuk nis me ne. Ne jemi, në rastin më të mirë, vazhdim i një tradite shumë më të vjetër.

Shpesh e harrojmë se gjuha jonë e shkruar ka hyrë në histori duke i folur Zotit. Gjon Buzuku, me Mesharin e tij, është dëshmia e parë e madhe: aty shqipja është gjuha e lutjes, e bekimit, e lajmërimit të mbretërimit të Zotit.

Shekuj më vonë, Vangjel Meksi do të përkthente tekstin e Dhiatës së Re, shkruar shqip me shkronja greke, të cilin nuk do arrinte t’a shihte të botuar. Derisa mbërrijmë te Kostandin Kristoforidhi, i cili jo vetëm përkthen, por edhe e pastron, ndreq e forcon shqipen. Bibla, në duart e tij, kthehet në një lloj laboratori ku provohen fjalë, ritme, struktura. Është domethënës fakti që Shoqëria Biblike Angleze, që e kontaktoi Kristoforidhin, pranoi të sponsorizonte një abetare të gjuhës shqipe – jo ngaqë kishte objekt pune librin shkollor, por sepse Kristoforidhi i bindi se pa një abetare, njerëzit nuk mund të lexojnë Biblën.

Në këtë kuptim, mund të themi pa rënë në patetizëm se: shqipja u mësua të shkruhet duke folur me Zotin.

Hapat e parë të gjuhës sonë të shkruar, hapen në faqet e teksteve biblike e liturgjike.

Kjo linjë vazhdon me familjen Qiriazi, Fan Nolin dhe me gjithë ata emra që sot ndoshta i njohim si shënime në anashkrime historish.

Ekspozita “Koleksioni i Biblave” nuk tregon vetëm anën e ndritshme të kësaj historie.

Ka edhe një korridor të errët, që nuk mund ta anashkalojmë.

Nga viti 1967 deri në vitin 1990, Bibla u bë “libër i ndaluar” në Shqipëri.

I njëjti libër që qëndron në themelet e letërsisë perëndimore, që ka frymëzuar art, muzikë, pikturë, jurisprudencë, u trajtua si rrezik për shtetin ateist. Jo vetëm Bibla, natyrisht, por ajo është simboli më i thjeshtë për t’u kuptuar.

Kam dëgjuar rrëfimin e një mësuesi matematike në Berat, i burgosur vetëm sepse në shtëpi iu gjet një Ungjill. Nuk ishte agjitator politik, as organizator klandestin; thjesht lexonte një libër që shteti e kishte shpallur të papranueshëm.

Nëse dikur fjala e parë e shkruar shqip ishte Bibla, në atë periudhë kjo fjalë u fut në bodrum, u dogj, u sekuestrua, u kriminalizua. Nga “libri i parë” u bë “libri që nuk duhej parë”.

Prandaj ka diçka të pazëshme, por të fuqishme, në faktin që sot, në Bibliotekën Kombëtare, ekspozohen qindra Bibla – të vjetra e të reja. Të restauruara, të dokumentuara, të vendosura në vitrina me dritë. Ka një lloj drejtësie të vonuar në këtë kthim nga bodrumi në vitrinë.

Sot Shqipëria është një shoqëri shumë më e larmishme se sa mund të duket në pamje të parë. Kemi të krishterë të të gjitha traditave, myslimanë, bektashinj, ateistë, agnostikë, njerëz që përkufizohen si “shpirtërorë, por jo fetarë”, madje edhe individë të besimeve të tjera që jetojnë e punojnë në vendin tonë.

Në një ambient të tillë, është e lehtë të ngatërrojmë dy qëndrime të kundërta:

– shoqërinë që ka frikë nga librat,

– dhe shoqërinë që i beson vetes mjaftueshëm sa t’i ekspozojë librat, t’i vendosë në dritë dhe t’i diskutojë.

Unë besoj se ne duhet të zgjedhim të dytën.

Një shoqëri e pjekur nuk ka frikë nga librat. Nuk ka nevojë t’i kyç me çelës, nuk ka nevojë t’i censurojë, nuk ka nevojë t’i demonizojë. Një shoqëri e pjekur i ruan, i studion, i kritikon, i lexon e i rilexon, i sheh edhe nga jashtë, edhe nga brenda.

Në këtë kuptim, “Koleksioni i Biblave” nuk është ekspozitë “vetëm për besimtarët”. Është ekspozitë për të gjithë:

– për besimtarin e krishterë që dëshiron të shohë rrugëtimin e tekstit të tij të shenjtë;

– për ateistin që dëshiron të kuptojë nga e ka marrë kaq ndikim kultura perëndimore;

– për studentin e gjuhësisë që ndjek evolucionin e shqipes;

– për juristin që kërkon rrënjët e konceptit modern të ligjit;

– për historianin që lexon nëpër faqe fatet e një kombi të vogël në një kontinent të trazuar.

Ata që kanë punuar me këto tekste – përkthyesit, redaktorët, botuesit, restauruesit, ruajtësit në kohë ndalimi – meritojnë sot mirënjohje. Jo vetëm si “heronj besimi”, por edhe si shërbestarë të gjuhës dhe kulturës sonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 dhjetor 2025.

Nuk është vetëm një lajm kulturor në kalendarin e fundvitit; është një ftesë për një takim me veten.

Nëse vendos ta vizitosh, do të të sugjeroja ta bësh me tri pyetje në mendje:

Çfarë i ka bërë ky libër gjuhës sonë?

Çfarë i ka bërë këtij libri historia jonë?

Çfarë mund të më mësojë sot, edhe nëse nuk besoj si personat që e kanë shkruar?

Për secilin prej nesh përgjigjet do të jenë të ndryshme. Por fakti që mund t’ua bëjmë vetes këto pyetje lirshëm, në mes të Tiranës, në një Bibliotekë Kombëtare ku dikur një libër i tillë nuk lexohej dot publikisht, është vetë një shenjë shprese.

Nga “libër i parë” në “libër i ndaluar”, e sot në “libër i ekspozuar”, udhëtimi i Biblës në shqip është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Dhe, po, unë vazhdoj të besoj se: shqipja ka mësuar të shkruhet duke folur me Zotin.

Tani është radha jonë të mësojmë të lexojmë, me guxim, me mendje të hapur dhe me respekt, librat që dikur i kemi fshehur në errësirë. /BalkanWeb

Mungesa e Kuvendit fut institucionet e mbikëqyrjes në krizë

0

Dhjetëra borde dhe agjenci kyç në Kosovë po funksionojnë me boshllëqe, ose janë pothuajse të paralizuara, për shkak të Kuvendit jofunksional që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Mungesa e kuorumit ka bllokuar vendimmarrjen në institucione si KPM-ja, RTK-ja, dhe agjencitë rregullative, raporton REL.

Ekspertët paralajmërojnë pasoja serioze për shërbimet publike dhe sundimin e ligjit.

Nën kryesimin e Kosovës, CEFTA miraton katër vendime kyçe

0

Në kuadër të Javës së CEFTA-s me temën “Tregtojmë së bashku, drejt Evropës”, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, mori pjesë në Takimin e Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, i mbajtur në Prishtinë nën kryesimin e Kosovës përmes MINT, me pjesëmarrjen e të gjitha Palëve të CEFTA-s dhe përfaqësuesve nga DG ENEST i Komisionit Evropian.

Takimi rezultoi me miratimin e katër vendimeve të rëndësishme për avancimin e lehtësimit të tregtisë së lirë të mallrave dhe shërbimeve, duke siguruar mbështetje për administratat doganore dhe institucionet përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut, me fokus në rritjen e sigurisë, efikasitetit dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.

Vendimet e miratuara janë:

Vendimi 8/2025 i Komitetit të Përbashkët të CEFTA-s, që ndryshon Vendimin 1/2025 mbi Programet për Njohjen e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO).

Vendimi 9/2025 që ndryshon Vendimin 1/2015 mbi krijimin e organeve të CEFTA-s.

Vendimi 10/2025 mbi Bashkëpunimin Dixhital.

Rekomandimi 1/2025 mbi Strategjinë e Menaxhimit të Rrezikut Doganor të CEFTA-s 2025–2028.

Këto vendime rikonfirmojnë angazhimin e përbashkët për thellimin e integrimit ekonomik rajonal dhe avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, në funksion të integrimit në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, falënderoi palët e CEFTA-s për kontributin dhe pjesëmarrjen aktive në zbatimin e Programit të Punës për vitin 2025, me kryesim nga Kosova.

Ajo mirëpriti mesazhet e Komisionit Evropian lidhur me njohjen reciproke të dokumenteve dhe marrëveshjeve, duke theksuar se, si Kryesuese e Komitetit të Përbashkët për vitin 2025, inkurajon vazhdimin e këtij niveli angazhimi, me synim që bashkëpunimi rajonal të jetë funksional dhe të përshpejtohet integrimi në Bashkimin Evropian.

Kosova nikoqire e “Javës së CEFTA-s”

Përleshje mes katër punëtorëve të një kompanie në Klinë

0

Policia rajonale e Pejës ka njoftuar se në Klinë ka ndodhur një rrahje dje. Aty janë përleshur katër punëtorë të një kompanie dhe të njëjtit janë dërguar në QKMF-në e Klinës për trajtim mjekësor.

Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy të tjerë janë liruar.

“Drejtoria Rajonale e Policisё nё Pejё, Stacioni Policor Klinё, me datën 02.12.2025, rreth orёs 10:55, ёshtё njoftuar pёr njё rrahje e cila ka ndodhur në rrugën “Drini i Bardhё” nё Klinё. Policia menjёherё ka dalё në vendngjarje, aty ёshtё kuptuar se pas njё rrahje nё mes veti katёr persona (punёtorë tё njё kompanie), si pasojё e rrahjes kanё pёsuar lëndime tё rёnda trupore, ku tё njëjtit janё dёrguar nё QKMF-Klinё pёr tretman mjekёsor. Tё gjithё tё dyshuarit janё arrestuar nga njёsitet e Stacionit Policor nё Klinё dhe pas intervistimit nga hetuesit, me urdhёr tё prokurorit tё Shtetit, dy (2) nga ta janё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё, ndёrsa dy (2) tё tjerё janё liruar nё procedurё të rregullt.”

Bajrami kritikon ashpër Kurtin: Subvencionet e tij janë skema të korrupsionit publik

0

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka folur për rritjen e çmimeve (inflacionit) në Kosovë, por edhe subvencionet e Qeverisë Kurti.

Bajrami për këto subvencione tha se janë skema të korrupsionit publik.

“Si mund ta kuptoni ndryshe? Dhe tani më thoni ju mua se cila prej partive të tjera politike në Kosovë ka qenë e barabartë në garë për zgjedhjet lokale me Albin Kurtin? Albin Kurti i cili shpërndan 26 milionë derisa gjatë krejt kohës këtë muaj mbajti pa paga punëtorët e Radio Televizionit publik, të cilët e kishin buxhetin e ndarë, për të cilën kishte vendim të Qeverisë Hoti, ku paratë mund të lëshohen e pastaj t’i lihet Komisionit për Buxhet dhe Financa, që kurdo që të formohet që ta bëj kontrollin”, deklaroi ajo në Klan Kosova.

Misini: Hekuran Murati nuk ka lidhje me ekonomi

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina shqyrtojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes

0

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka realizuar një takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez, në kuadër të ministerialit SHBA – Karta e Adriatikut (A5).

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, takimi u fokusua në mundësitë për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes dy ministrive dhe forcave të armatosura të të dyja vendeve.

Postimi i plotë:

𝐌𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢 𝐌𝐚𝐪𝐞𝐝𝐨𝐧𝐜𝐢 𝐭𝐚𝐤𝐨𝐢 𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐢𝐧 𝐞 𝐌𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞𝐬 𝐬ë 𝐁𝐨𝐬𝐧𝐣ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐇𝐞𝐫𝐜𝐞𝐠𝐨𝐯𝐢𝐧ë𝐬, 𝐙𝐮𝐤𝐚𝐧 𝐇𝐞𝐥𝐞𝐳

Në kuadër të ministerialit SHBA – Karta e Adriatikut (A5), ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci zhvilloi takim bilateral me ministrin e Mbrojtjes së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez. Gjatë takimit, të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive dhe ushtrive.

Bashkëpunimi rajonal mbetet një komponent thelbësor për garantimin e një mjedisi të sigurt, të qëndrueshëm për mirëqenien e qytetarëve dhe të vendit.