spot_img
E hënë, 6 Prill, 2026
08:17
Home Blog Page 975

Begaj pret në takim Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi

0

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, të kryesuar nga Kryetari i këtij Këshilli, Enkel Rexhepi.

Presidenti i Republikës e uroi Rexhepin për marrjen e detyrës dhe e siguroi se ai e ndjek nga afër, edhe si një detyrë kushtetuese, të gjithë situatën e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kreu i Shtetit theksoi se për Institucionin e Presidentit të Republikës, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve, si dhe kultivimi dhe avancimi i identitetit kombëtar dhe kulturor të tyre, janë në fokus të veprimtarisë së tij.

Presidenti Begaj kërkoi më shumë bashkëpunim mes shqiptarëve të Luginës dhe përfaqësuesve të tyre politikë e institucionalë.

“Në të gjitha takimet e mia me partnerët ndërkombëtarë, kam ngritur dhe do të vijoj të ngre çështjen e pasivizimit të adresave, të përdorimit dhe respektimit të gjuhës shqipe, të ruajtjes së identitetit kulturor të shqiptarëve të Luginës, si dhe çështjet e arsimit në shqip. Por kërkoj nga ju më shumë bashkëpunim dhe angazhim të fortë në mbrojtje të këtyre të drejtave ligjore tuajat”, theksoi Presidenti.

“Në këtë detyrë jam avokat i shqiptarëve dhe i Shqiptarisë, dhe i tillë do të mbetem edhe përtej këtij funksioni”, tha në përmbyllje të këtij takimi Presidenti i Republikës.

KEK-u ua shtyn bizneseve deri nesër afatin për lidhjen e kontratave

0

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar bizneset që kanë dalë në treg të hapur se është shtyrë për një ditë afati për lidhjen e kontratave me këtë korporatë për furnizim me rrymë.

KEK-u tha se afati u shty deri nesër për shkak të “interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve”.

“Të nderuar konsumatorë, Ju falënderojmë për interesimin e treguar dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm. Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve, si dhe pamundësisë për të realizuar të gjitha kontratat brenda afatit të paraparë, ju njoftojmë se afati për lidhjen e kontratave për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF), bazuar në vendimin e ZRRE-së, është shtyrë deri nesër, më dt: 10.06.2025. Nëse jeni ndër konsumatorët që preken nga ky vendim dhe ende nuk keni lidhur kontratën tuaj, ju ftojmë të veproni sa më parë”, thotë KEK-u.

KEK është përcaktuar si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), për një periudhë kalimtare deri më 30 korrik 2025, për konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë.

12 tetori, zgjedhet lokale, KQZ: Jemi gati

0

Pas caktimit të 12 tetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), thonë se do të ndërmarrin të gjithë hapat ligjor për të filluar me përgatitjen e këtij procesi zgjedhor.

Valmir Elezi i KQZ-së, tha se së shpejti, KQZ-ja do të mbajë mbledhje për të miratuar afatet dhe planin e aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Ai ka treguar se çka përfshijnë këto aktivitete.

“Miratimi i afateve dhe i planit të aktiviteteve do të përcaktojë saktësisht fillimin dhe përfundimin e çdo aktiviteti zgjedhor. Këto aktivitete, që ndërlidhen drejtpërdrejt me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, ndër të tjera përfshijnë: aplikimi i subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe dorëzimi i listës së kandidatëve; verifikimi i përshtatshmërisë/aftësisë së kandidatëve; deklarimi i partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicionit; periudha e regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe votimi jashtë Kosovës; periudha për regjistrimin dhe Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta (VNPV); periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar; periudha për aplikimin dhe akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve dhe mediave; periudha emërimin e trupave zgjedhore (Komisionet Komunale të Zgjedhjeve dhe këshillat e Vendvotimeve) dhe trajnimin e tyre; certifikimi i Listës së Votuesve, e të tjera”, ka thënë Elezi për RTKlive.

Sot, e para e vendit shpalli 12 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, pas takimit të zhvilloi gjatë javës së shkuar me liderë të partive politike.

Sipas Presidencës, vendimi erdhi pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve nga partitë.

Apeli lë në burg Veliajn

0

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Në seancën e së hënës, Veliaj nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati Ermir Beta.

Për të njëjtën dosje hetimore, togat e zeza lanë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për biznesmenin Elman Abule.

Në këtë mënyrë, togat e zeza lanë të pandryshuar vendimin e datës 23 prill të Apelit të Posaçëm.

Ndërkohë, nga ana tjetër, masa e dhënë më 13 mars po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, me pretendimin e shkeljeve procedurale dhe, sipas palës mbrojtëse, nuk është proporcionale.

Sipas avokatëve, Veliaj ka ofruar garanci pasurore dhe nuk paraqet rrezik për prishjen e provave – pretendim që nuk është pranuar nga togat e zeza.

Mbi kryebashkiakun e Tiranës rëndojnë tre akuza: pastrim parash, korrupsion pasiv në 9 raste, dhe fshehje pasurie, e cila iu shtua para disa ditësh.

Ai u prangos më 10 shkurt me urdhër gjykate, ndërsa ka kundërshtuar disa herë publikisht akuzat.

Pas komunikimit të masës, Veliaj mbahet në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Zyra e Kryeministrit jep detaje për takimin Kurti-Hamza

0

Zyra e Kryeministrit ka dalë me komunikatë lidhur me takimin që ka pasur sot kryeministri në detyrë, Albin Kurti me Kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamzën.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Kurti e Hamza kanë folur rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal dhe shtyrjen para të nismave e projekteve.

Para Hamzës, Kurti ka takuar Kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.

“Pas takimit me kryetarin Atiq, kryeministri u mirëprit nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së jugut, Bedri Hamza, me të cilin diskutuan rreth bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror edhe atij komunal dhe shtyrjen para të nismave e projekteve nga të cilat përfiton komuna dhe qytetarët e saj”, thuhet në njoftim.

Rreth takimit me Atiq, ZKM thotë se Kurti u njoftua për punën e deritanishme dhe realizimin e projekteve që sjellin zhvillim ekonomik dhe shërbime efikase në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Sekretari i NATO-s kërkon rritjen e shpenzimeve në mbrojtje deri në 400%

0

Sekretari i përgjithshëm i aleancës ushtarake NATO, Mark Rutte, pritet të ripërtërijë thirrjet që shtetet anëtare të rrisin me shpejtësi shpenzimet e mbrojtjes në përgjigje të kërcënimeve globale në rritje, veçanërisht nga Rusia.

Një “rritje prej 400% e mbrojtjes ajrore dhe raketore” dhe mijëra automjete të tjera të blinduara dhe predha, janë të nevojshme për të ruajtur frenimin dhe mbrojtjen, sipas fragmenteve të fjalimit të Rutte të publikuara nga NATO.

“Ne shohim në Ukrainë se si Rusia shpërndan terror nga lart, kështu që ne do të forcojmë mburojën që mbron qiellin tonë”, pritet të thotë Rutte.

Rutte do të takohet me Starmer në Downing Street të Londrës përpara një samiti të NATO-s në Holandë, ku 32 vendet anëtare të aleancës pritet të angazhohen për një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake.

Udhëheqësi i aleancës ka propozuar një objektiv prej 3.5% të PBB-së së secilit vend për shpenzimet ushtarake dhe 1.5% të tjera për “shpenzimet që lidhen me mbrojtjen”, siç janë urat, fushat ajrore, portet detare dhe rrugët.

Objektivi i ri i propozuar nga Rutte do të përmbushte kërkesat e hershme të bëra nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili e ka kritikuar vazhdimisht objektivin prej 2% të aleancës si të pamjaftueshëm.

Objektivi aktual i NATO-s, i rënë dakord në një samit në vitin 2014, është 2% e PBB-së. Aktualisht, 22 nga 32 vendet anëtare e përmbushin ose e tejkalojnë objektivin aktual.

Vetëm Polonia e tejkalon objektivin prej 3.5% në 4.32%. Buxheti i mbrojtjes i SHBA-së, më i madhi në aleancë, arrin në 3.4% të PBB-së së saj.

Shumica e vendeve anëtare të NATO-s kanë sinjalizuar kohët e fundit plane për të forcuar aftësitë e tyre mbrojtëse në përgjigje të pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës nga Rusia dhe presionit në rritje nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ndaj aleatëve evropianë që të marrin përgjegjësi më të madhe për sigurinë e tyre.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Starmer është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes së vendit në 2.5% të PBB-së së saj dhe një rritje prej 3% deri në vitin 2034.

Javën e kaluar, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar zbuloi një plan për të ndërtuar 12 nëndetëse të reja sulmuese dhe gjashtë fabrika municionesh, duke shënuar riorganizimin më të gjithanshëm të mbrojtjes britanike në më shumë se tre dekada.

Gjermania është zotuar gjithashtu për një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake për vitin 2025.

Parlamenti i saj miratoi së fundmi një amendament kushtetues që përjashton shpenzimet e mbrojtjes që tejkalojnë 1% të PBB-së nga frena e borxhit të vendit, një veprim që mundëson investime dukshëm më të mëdha nga një komb historikisht hezitues për të qenë lider në shpenzimet ushtarake evropiane.

Çfarë temperature duhet ta mbajmë në ambientet e mbyllura gjatë verës?

0

Me rritjen e temperaturave dhe ardhjen e ditëve më të nxehta të verës, shumë prej nesh i drejtohen kondicionerëve për të krijuar një ambient më të freskët dhe të rehatshëm brenda shtëpisë apo zyrës.

Por shpesh lind pyetja: cila është temperatura ideale që të ndiheni mirë, të kurseni energji dhe të mos rrezikoni shëndetin?

Sipas ekspertëve të klimës dhe shëndetit, temperatura optimale për kondicionerin gjatë ditëve të nxehta është rreth 24-26°C gjatë ditës dhe rreth 25-27°C gjatë natës.

Kjo temperaturë ndihmon trupin të përshtatet gradualisht me ambientin, shmang goditjen termike dhe mbron nga ndryshimet e befta të temperaturës që mund të ndikojnë në sistemin respirator apo të shkaktojnë dhimbje koke dhe lodhje.

Një tjetër arsye për të mbajtur një temperaturë të moderuar është kursimi i energjisë elektrike.

Sa më i ulët të jetë temperatura e vendosur në kondicioner, aq më shumë punon pajisja dhe aq më i lartë bëhet fatura mujore.

Një ndryshim prej vetëm një grade mund të sjellë deri në 5-7% më shumë konsum energjie.

Gjithashtu, është e rëndësishme të mos qëndroni direkt përballë rrymës së ftohtë të ajrit dhe të kontrolloni rregullisht filtrat e kondicionerit për të shmangur shpërndarjen e mikrobeve apo alergeneve në ajër.

Për një verë më të shëndetshme dhe më të freskët, mos e teproni me ftohjen.

Ndonjëherë, freskia e tepërt mund të bëhet po aq e dëmshme sa nxehtësia, gjithçka ka të bëjë me balancën.

Dhe mos harroni të pini ujë, të vishni rroba të lehta dhe të qëndroni në ambiente të ajrosura mirë.

Moskonstituimi i Kuvendit, Rashiq: Po ndihem keq që vij 29 herë pa rezultate

0

Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se ndihet keq që për herë të 29 po merr pjesë në seanca të Kuvendit pa arritur ndonjë rezultat.

Ai theksoi se komuniteti shqiptar duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për situatën, ndërsa vetë ai ndihet i pafuqishëm si pjesë e pakicës në Parlament.

“Besoj se komuniteti shqiptar e kanë më shumë përgjegjësi, sesa ne që jemi pakicë këtu. Unë vet po ndihem keq që po vij që 29 herë pa kurrfarë rezultati”, u shpreh ai.

Rashiti: Sulmi në Banjskë nuk ishte nga një grup i thjeshtë kriminal

0

Gjykimi ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në shtator të vitit 2023 – po vazhdon sot me seancën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë seancë po dëshmon zyrtari policor në Njësinë për ndërhyrje të shpejtë, Alban Rashiti, i cili ishte plagosur në aksion.

Sipas Rashitit, për përdorimin e armëve që janë përdorur duhet të ketë trajnime specifike. Ka theksuar se gjithçka ka qenë e koordinuar, pra sipas tij, ata kanë qenë një grup mirë i përgatitur dhe nuk ka qenë grup kriminal i zakonshëm.

“Kanë qenë të strukturuar shumë mirë, aty është gjuajtur edhe me raketahedhës që kërkon kompetencë, as ushtari i thjeshtë nuk di ta përdorë raketahedhësin”, ka thënë ai.

Rashiti ka thënë se ende nuk e ka filluar punën shkaku i plagëve që ka marrë atë ditë.

Haxhiu: Është koha të braktiset ideja e qeverisë së unitetit

0

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu tha se ata si parti kërkojnë unitet për konstituim të Kuvendit, e sipas saj, ata që kanë propozuar një qeveri të tillë duhet t’i braktisin këto qëndrime.

Ajo këtë propozim e ka quajtur tendencë për në minimizuar e shkelur vullnetin e popullit.

“Ne kërkojmë unitet për konstituimin e Kuvendit. Është e rëndësishme të kemi unitet ta konstituojmë Kuvendin, qytetarët e kanë thënë falën e tyre më 9 shkurt. Kurti është lideri më i votuar në historinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje është partia me më së shumti vota në vend. Propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin popullit, por  nuk e kanë mbështetjen e LVV-së. Ata thonë qeveri të tranzicionit, por ne e kemi qeverinë e tranzicionit për momentin, sepse e kryejmë punën deri në qeverinë e ardhshme. Prandaj le t’i braktisin këto qëndrime të cilat janë kundër vullnetit të popullit e tentojnë ta minimizojnë atë vullnet e të kthehemi të unifikuar për ta konstituuar Kuvendin”, tha Haxhiu.

E pyetur nëse do të tërhiqej për t’i lënë vendin një kandidati tjetër, Haxhiu tha se kjo është e drejtë e partisë së parë.

“Së pari ka pasur përpjekje 6 herë që votimi për kryetar të bëhet me vota të hapura, nuk rezultoi i suksesshëm. Kemi letrën e presidentes Osmani që kërkon nga të gjitha partitë të kontribuojnë në konstituimin e kuvendit. Nuk është përgjegjësi vetëm e jona, është e të gjithë deputetëve. Votimi i mbyllur erdhi pas 6 dështimesh, sepse duhet të shihen të gjitha mënyrat për konstituimin e Kuvendit. Askush nuk mund të ndërhyjë në të drejtën e subjektit që ka dalë i pari në zgjedhje”, tha Haxhiu.