spot_img
E hënë, 6 Prill, 2026
08:17
Home Blog Page 977

I dyshuari për rrëmbimin e një vajze në Gjilan bie në prangat e policisë

0

Është arrestuar i dyshuari për rrëmbimin e një vajzë në Gjilan. Ai është dërguar në mbajtje.

“PRIVIM I KUNDËRLIGJSHËM NGA LIRIA- Gjilan / 07.06.2025 – 13:20. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin, sot më 08.06.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Dje në raportin e policisë u njoftua se dikush e ka futur pa dëshirën e saj një vajzë në veturë dhe është nisur për Prishtinë.

Çfarë dihet deri më tani për vdekjen e të riut nga Pozherani i Vitisë

0

Policia e Kosovës ka thënë se në bazë të hetimeve fillestare, Ideal Halabaku, 26-vjeçari që u vetaksidentua në autostradën “Arber Xhaferi”, s’e kishte humbur jetën për shkak të aksidentit.

Në njoftimin e Policisë u bë e ditur se tashmë i ndjeri ishte aksidentuar rreth orës 05:00, ku kishte rënë nga Ura e Kaçanikut në autostradë, ndërsa tek në ora 13:15 ishte lajmëruar Policia nga një qytetar.

“Më datë 08.06.2025, rreth orës 13:15, jemi njoftuar nga një qytetar për gjetjen e trupit të pajetë të viktimës I.H (M/K) i moshës 26 vjeç. Dyshohet se viktima kishte pësuar aksident trafiku rreth orës 05:00 të mëngjesit në autostradën “Arbën Xhaferi”, afër fshatit Bob, komuna e Kaçanikut“, u tha në njoftimin e policisë.

Tutje, policia bëri të ditur se hetuesit e trafikut kanë konstatuar se vdekja e viktimës nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.

Policia ka bërë të ditur se do të japë informacione shtesë pas ekzaminimit të nevojshëm nga hetuesit rajonalë.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim kanë ndihmuar në tërheqjen e trupit nga vendi ku ka rënë tashmë i ndjeri.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se ka përfunduar operacioni emergjent në Komunën e Kaçanikut, ku për fat të keq një person ka humbur jetën. Ekipet tona kanë bërë tërheqjen e trupit të pajetë në bashkëpunim me autoritetet përkatëse“, u tha në njoftimin e tyre.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili e cilësoi vdekjen e të riut si vdekje tragjike dhe u shprehu ngushëllime familjarëve.

“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë”, tha Sokol Haliti.

Vazhdon sot procesi gjyqësor për rastin “Banjska”

0

Gjykimi kundër tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale në rastin “Banjska” – ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës në shtator 2023 – do të vazhdojë sot me seancën e dytë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Në seancën e parë të mbajtur në prill për rastin e sulmit në këtë fshat në veri të Kosovës, tre të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale.

Gjatë asaj seance, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve e sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau Bunjakun.

Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Dyzet e dy të dyshuarit akuzohen terrorizëm, vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, ndërsa Radoiçiq akuzohet edhe për lehtësim dhe financim në kryerjen e terrorizmit, si dhe për shpëlarje parash.

Gjykata theksoi në prill se gjykimi ndaj tyre duhet të vazhdojë pas arrestimit dhe ekstradimit të tyre në Kosovë.

Në seancën e parë në prill, pas deklarimit për fajësinë nga tre të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronët në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Tre të akuzuarit i mohuan akuzat dhe pretenduan se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Çfarë përmban aktakuza për rastin “Banjska”?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet, raporton REL.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Ish-pjesëtari i NjSO-së, Arbnor Spahiu, niset drejt Suboticës për t’u marrë në pyetje nga prokuroria serbe

0

Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, i cili u ndalua të dielën nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Horgosh, është nisur pak çaste më parë drejt Suboticës, ku pritet të merret në pyetje nga prokuroria serbe.

Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline avokati i tij, Artan Koci, i cili është angazhuar në këtë rast që nga dita e djeshme. Ai ka theksuar se nuk ekziston asnjë procedurë penale ndaj Spahiut dhe është i bindur se gjithçka do të përfundojë në favor të tij.

“Prokurori do ta marrë në pyetje dhe më pas do të vendosë. Jam i bindur se gjithçka do të përfundojë në të mirë të klientit tim, pasi që nuk ka asnjë bazë për ndalimin e tij”, ka deklaruar avokati Koci.

Spahiu u ndalua pa ndonjë njoftim paraprak apo urdhër arresti në fuqi, ndërsa autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me arsyet e ndalimit të tij.

Situata ka ngjallur shqetësim në opinionin publik, veçanërisht për mënyrën se si po trajtohen ish-pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Kosovës gjatë kalimit përmes territorit serb.

Cakolli: Nuk ka asnjë logjikë dhe as arsye që të angazhohen asistentë për deputetë të cilët nuk po i ushtrojnë funksionet e tyre

0

Instituti Demokratik i Kosovës ka ngritur shqetësimet e tyre lidhur me angazhimin e asistentëve personalë të deputetëve në një situatë ku Kuvendi ende nuk është funksionalizuar plotësisht.

Eugen Cakolli nga KDI theksoi se për FrontOnline se ndonëse ligjërisht nuk ka ndalesë për një veprim të tillë, ai mbetet i diskutueshëm për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore dhe administrative.

“Ligjërisht, duke qenë se deputetët tashmë e kanë marrë mandatin e tyre, nuk ka një ndalesë të drejtpërdrejtë që do ta pengonte angazhimin e asistentëve të tyre. Megjithatë, në këtë fazë mungon një bazë e qartë ligjore dhe administrative për një veprim të tillë, pasi Kuvendi ende nuk është konstituuar dhe nuk janë funksionalizuar organet e tij,” u shpreh Cakolli

Ai shtoi se përtej aspektit ligjor çështja është edhe më problematike në aspektin parimor dhe etik.

“Nuk ka asnjë logjikë dhe as arsye që të angazhohen asistentë për deputetë të cilët aktualisht nuk po ushtrojnë funksionet e tyre, përtej pjesëmarrjes në seanca tejet të shkurtra. Edhe pse seancat po thirren çdo 48 orë, ato po zgjasin vetëm disa minuta, pa asnjë aktivitet parlamentar substancial,” theksoi ai.

Në përmbyllje, Cakolli paralajmëroi për pasoja në administrimin e fondeve publike në një kohë kur institucionet ndodhen në bllokadë.

“Në këto rrethana, angazhimi i stafit mbështetës jo vetëm që është i panevojshëm, por ngre edhe pikëpyetje serioze etike dhe praktike për mënyrën si menaxhohet paraja publike në kushte të një bllokade institucionale,” përfundoi ai për FrontOnline.

Gruda: Dehari e nis seancën me ‘ka kuorum’, e mbyll me ‘nuk ka kuorum’, qysh s’paska?

0

Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shpjeguar dhe shtjelluar “shkeljet” dhe “absurdet” e Avni Deharit, kryesuesit të seancës konstitutive thjesht për nga virtyti i moshës.

“Shkelje në mënyrë të pashembulltë të Kushtetutës së Kosovës dhe Rregullores së Kuvendit. Është shkelje që e dallon në shikim të parë, totalisht absurde, komplet jodinjitoz, nga një njeri që është ashtu tjesht për shkak të moshës”, tha Gruda në “ATV”.

“Që një element. Kur fillon seanca, te recitali – përcilleni një gjë që e thotë Avni Dehari, se skenarin ia ka bë Vetëvendosja. Ai thotë: ‘fillon seanca se ka ka kuorum. E hudhim në votim komisionin…nuk kalon, edhe a di çka thotë masnej Avni Dehari? E mbylli seancën se nuk ka kuroum. Qysh nuk ka kuorum? A the që ka kuorum kur filloi mbledhja? Sepse instituti i kuorumit e ka kuptimin e numrit të nevojshëm të njerëzve, më shumë se gjysma. Ne jemi në sallë, ai thotë s’ka kuorum. Qysh s’ka kuorum?”, tha Gruda.

Tahiri: Shteti është në bllokadë funksionale, pa përfaqësim dhe pa vendimmarrje institucionale

0

Ish-deputeti Besnik Tahiri ka thënë se situata me moskonstituimin e kuvendit nuk duhet të normalizohet. Ai shton se shteti është në bllokadë institucionale.

“Rrafsh katër muaj pas zgjedhjeve, ende nuk kemi konstituim të Kuvendit, kjo situatë nuk guxon të normalizohet. Shteti është në bllokadë funksionale, pa përfaqësim dhe pa vendimmarrje institucionale”, ka shkuar mes tjerash ai.

Postimi i plotë:

Rrafsh katër muaj pas zgjedhjeve, ende nuk kemi konstituim të Kuvendit, kjo situatë nuk guxon të normalizohet. Shteti është në bllokadë funksionale, pa përfaqësim dhe pa vendimmarrje institucionale.

Kjo është një krizë e thellë politike, që po e minon funksionimin demokratik dhe po e cenon besimin e qytetarëve në institucione. Kredibiliteti institucional po zbehet çdo ditë. Pa institucione të zgjedhura, nuk ka as demokraci, as shtet funksional.

Kosova po e humb fuqinë dhe autoritetin e saj, si brenda vendit, ashtu edhe në raport me partnerët ndërkombëtarë.

Kjo gjendje duhet të marrë fund urgjentisht.

Nga lufta në paqe: 26 vjet nga Marrëveshja e Kumanovës

0

Sot bëhen 26 vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, e cila edhe i dha fund luftës në Kosovë.

Pas kësaj marrëveshje, Serbia ishte e detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.

Parashikimi i motit për sot

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se sot mban mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 25-29 gradë Celsius”, njofton IHMK.

Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimet e ndryshme.

Sot bëhen 4 muaj nga zgjedhjet e fundit në Kosovë

Plot katër muaj që nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, vendi ende nuk ka institucione të konstituuara dhe nuk duket as afër ta kalojë krizën politike

Ndonëse natën e zgjedhjeve Albin Kurti doli në shesh dhe tha se qeverinë do ta krijojë vetë, pa ‘hajvanat’ e opozitës, kjo si duket mbeti veç një dëshirë.

Prej 15 prillit e deri më sot, Kuvendi është mbledhur pothuajse 30 herë për ta konstituuar veten, por pa sukses. Fillimisht pati probleme për verifikimin e mandateve meqë Kurti dhe vartësit s’kishin dhënë dorëheqje, por kjo u kalua shpejt.

Ngecja kryesore erdhi te propozimi i VV-së për kryetare të Kuvendit, ku ministrja-deputete Albulena Haxhiu u refuzua disa herë nga deputetët.

Pas dështimeve të njëpasnjëshme, VV e ndërroi taktikën duke mos e vënë emrin e saj si propozim, por duke kërkuar votim të fshehtë. Meqë komisioni për votim të fshehtë asnjëherë nuk e mori shumicën e thjeshtë të votave, Kuvendi ka ngecur aty.

Shihet qartë se partia e parë nuk i ka votat as për kryetar të Kuvendit dhe as për qeveri, ndërsa nuk pritet as sot dhe as ditëve në vijim që të ketë ndonjë ndryshim. Kosova ka ngecur në krizë politike, teksa vazhdojnë seanca e shkurtra çdo 48 orë.