spot_img
E hënë, 20 Prill, 2026
14:28
Home Blog Page 981

Time Kadrijaj: VV po abuzon me pushtetin

0

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të qëllimshme konstituimin e Kuvendit.

“Nuk mund të pranojmë abuzimin që po e bën VV-ja në vazhdimësi, që për 35 herë me radhë të mos konstituohet Kuvendi. Po e shohim se qëllimshëm janë duke e bërë”, deklaroi Kadrijaj.

Ajo tha se konstituimi i Kuvendit do të mundësonte funksionalizimin e komisioneve parlamentare dhe mbikëqyrje më efektive të punës së qeverisë, veçanërisht në çështje jetike për vendin si kriza e energjisë dhe ajo ekonomike.

“Nëse konstituohet Kuvendi, vazhdojmë me komisione parlamentare dhe do të kishim pasur një mbikëqyrje më të mirë të qeverisjes, dhe të mos kemi abuzime të tilla, siç është duke ndodhur me këtë krizën e energjisë, krizën ekonomike – sepse do të kishim zhvilluar debate të qarta për krejt këto se çka po ndodhin”, shtoi ajo.

Mustafa: VV e ka të drejtën për nominim të kryetarit të Kuvendit, por edhe përgjegjësia për të krijuar shumicën

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për dështimin në formimin e institucioneve dhe përkeqësimin e gjendjes në sektorët kyç të vendit.

Pas dështimit të 35-të për konstituimin e Kuvendit, para mediave Mustafa ka thënë se partia që ka fituar shumicën në zgjedhje e ka përgjegjësinë e formimit të institucioneve.

“Partia që ka shumicën nuk arriti të sigurojë as sot votat e mjaftueshme. Konform Kushtetutës, partisë që del e para në zgjedhje i takon ekskluzivisht të nominojë kryetarin e Kuvendit dhe i takon përgjegjësia për të siguruar votat”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së e cilësoi si fatkeqësi faktin që kanë kaluar muaj të tërë nga zgjedhjet, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka arritur të sigurojë shumicën për ndërtimin e institucioneve.

Duke folur për sektorin e energjisë, Mustafa theksoi se Kosova është në prag të një krize serioze për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese dhe varësisë në rritje nga importi.

“Në rrethana normale prodhimi vendor është rreth 800 megavat, ndërsa për momentin kemi vetëm 110. Pjesa më e madhe po importohet. VV-ja ka kundërshtuar vazhdimisht ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, duke e lënë Kosovën në kushte të rënda të varësisë energjetike”, deklaroi Mustafa.

Ai shtoi se përfituesit kryesorë nga ky import energjie janë njerëz të afërt me Vetëvendosjen, duke aluduar në përzierje të interesave politike me ato ekonomike.

“Kriza politike, energjetike dhe ekonomike është rezultat kryekëput i veprimeve apo mosveprimeve të LVV-së”, përfundoi ai.

Çitaku akuza Kurtit: Pushteti është më i rëndësishëm se shteti

0

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të 35-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për bllokadën politike që, sipas saj, po e çon vendin drejt kolapsit.

“Për Albin Kurtin pushteti është më i rëndësishëm se shteti, egoja është më e madhe se Kosova. Ambicia është më e madhe dhe më e rëndësishme se demokracia”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka kërkuar reflektim nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ka paralajmëruar për pasojat e rënda që kjo situatë po ia shkakton vendit.

“Kjo situatë duhet të marrë fund dhe presim nga VV-ja që të reflektojë. Kosova është buzë kolapsit, çdo ditë kemi lajme për dëm të pariparueshëm që kjo situatë po i shkakton ekonomisë. Dje pamë lajme të frikshme për krizë buzë kolapsit në sektorin e energjisë. Mjaft është mjaft”, ka shtuar ajo.

Ndodhi ajo që pritej, dështimi i 35-të

0

Me gjysmë orë vonesë ka nisur përpjekja e 35-të për seancën konstituive.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari ka ftuar partitë të propozojnë nga një deputet për anëtar të komisionit për votimin e fshehtë për kreun e kuvendit, por asnjë prej partive nuk propozuan, raporton storm.

Në ftesën për të votuar për emrin e propozuar nga LVV për kryetare të Kuvendit, pro votuan 51 deputetë, kundër ishte 1 dhe nuk kishte abstenim.

Këto vota ishin të pamjaftueshme për të zgjedhur kreun e kuvendit që edhe në këtë rast nuk i kishte 61 vota, andaj seanca e ardhshme do të mbahet me 23 qershor nga ora 11:00.

Putin kërcënon me sulm bërthamor: Ukraina është e jona

0

Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në eventin kryesor të investimeve të Rusisë në Shën Petersburg, udhëheqësi i Kremlinit u pyet se cili ishte qëllimi i tij përfundimtar në konflikt.

“E kam thënë shumë herë se i konsideroj popullin rus dhe atë ukrainas si një komb të vetëm. Në këtë kuptim, e gjithë Ukraina është e jona”.

Përgjigja mori duartrokitje të zjarrta nga një auditor plot me politikanë dhe figura biznesi servilë.

“Ekziston një rregull i vjetër”, tha ai. “Ku shkel këmba e një ushtari rus, është e jona”.

Komentet erdhën si surprizë sepse janë në kontrast të thellë me retorikën e fundit të Kremlinit.

Që kur Donald Trump filloi përpjekjet e tij për një marrëveshje paqeje, Moska ka miratuar një ton më të butë, më pajtues – në një përpjekje të dukshme për t’i treguar Uashingtonit se është i interesuar për një zgjidhje.

Por këtu nuk kishte asnjë lloj gjuhe të tillë. Ndhodhi krejt e kundërta.

Presidenti rus madje, për herë të parë në muaj të tërë, kërcënoi me një sulm bërthamor ndaj Ukrainës.

I pyetur se si do të reagonte Moska nëse Kievi do të përdorte një bombë të ndyrë kundër forcave ruse, ai premtoi pasoja “katastrofike” për armikun e tij.

“Ky do të ishte një gabim kolosal nga ana e atyre që ne i quajmë neonazistë në territorin e Ukrainës së sotme”, tha ai. “Mund të jetë gabimi i tyre i fundit”.

“Ne gjithmonë përgjigjemi dhe përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Prandaj, përgjigjja jonë do të jetë shumë e ashpër”.

Kërcitja e shpatave bërthamore e Kremlinit ishte një tipar pothuajse i përjavshëm gjatë ditëve të fundit të administratës Biden, por shpatat u qetësuan kur zoti Trump erdhi në pushtet.

Por tani, krejt papritur, ai është rikthyer tek ajo.

Duket si një mesazh shumë i qëllimshëm nga Vladimir Putini se, pavarësisht bisedimeve të paqes, Rusia nuk ka ndërmend të tërhiqet, as në fushën e betejës dhe as në tryezën e negociatave.

Protestë para Kuvendit: Qytetarët kërkojnë fundin e bllokadës politike

0

Disa qytetarë janë mbledhur sot në hyrje të Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër bllokimit të vazhdueshëm të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit.

Protesta po mbahet në kohën kur për të 35-ën herë me radhë është thirrur seanca për përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit.

Të pajisur me pankarta në duar, protestuesit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me mesazhe të qarta si: “Kosova nuk mund të presë”, “Kushtetuta nuk është për lojë politike” dhe “Populli ka votuar, jo për t’u bllokuar”.

Sipas tyre, vonesat e vazhdueshme në formimin e institucioneve janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të vullnetit qytetar dhe të rregullave demokratike të vendit.

Limaj thirrje qytetarëve: Shihni kujt po ia jepni besimin

0

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, para seancës së 35-të të Kuvendit të Kosovës, u shpreh i shqetësuar për situatën politike në vend dhe dështimet e njëpasnjëshme për ndërtimin e institucioneve të reja, pavarësisht fitores së partive në zgjedhje.

“Kjo është e habitshme çka po ndodh. Me u zgjedh, me kërku me bo vendin më mirë, e me bë tërë atë fushatë, me garu kush është më patriot, e me ta dhënë populli besimin, e mos me qenë në gjendje me u ul grupet politike me ndërtu qeveri, parlament e institucione – në kohën kur bota është trazuar, në krizë ekonomike të madhe”, tha Limaj para mediave sot.

Ai deklaroi se situata aktuale kërkon reflektim të thellë, jo vetëm nga politika, por edhe nga qytetarët.

“Në krejt këtë situatë, apeli im te qytetarët është: shikoni kujt po ia jepni besimin. Është koha me adresu përgjegjësinë”, theksoi ai.

Guri i LDK-së: Kurti është nomadë jo opozita

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, ka thënë se nomadë nuk është opozita, por vetë kryeministri në detyrë Albin Kurti që nuk ka shtëpi në Kosovë.

Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit së pishinës gjysmolimpike në Podujevë më 19 qershor, Kurti i pati quajtur nomadë deputetë e opozitës, duke i fajësuar për moskonstituimin e Kuvendit.

Guri i LDK-së e ka quajtur këtë cilësim të papërshtatshëm dhe fyes.

“Nomadë janë ata që nuk kanë shtëpi, e i vetmi në Republikën e Kosovës që nuk ka shtëpi është Albin Kurti. Kështu që nomadë nuk është opozita, por është Albin Kurti, që nuk ka vend rezident ku jeton. Nuk e ka familjen këtu”, ka thënë ai para nisjes së seancës së 35-të konstituive.

Sipas tij, Kurti ka përdorur këtë epitet për opozitën duke u nisur nga vetja dhe jo nga realiteti politik.

“Është e padinjitetshme që përmes këtyre cilësimeve të tentohet të bëhet presion te vota e deputetëve”, shtoi ai.

Prokuroria Speciale këtë vit synon të ngrit aktakuzën për masakrën e Reçakut dhe burgut të Dubravës

0

Prokuroria Speciale e Kosovës është duke bërë përpjekjet maksimale që deri në përfundim të këtij vitit të ngrit aktakuzë për masakrën e Reçakut, atë në burgun e Dubravës, si dhe për depërtimin e civilëve shqiptare nga Kosova.

Ndërkohë, për të garantuar trajtim më efikas të rasteve të krimeve të luftës, nga ky institucion po kërkohet vendosja e disa standardeve ndërkombëtare, përfshirë miratimin e një ligji të posaçëm dhe krijimin e një trupi gjykues të veçantë për trajtimin e këtyre rasteve brenda vendit.

Udhëheqësi i Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ilir Morina, në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se gjatë katër viteve të fundit kjo njësi është konsoliduar ndjeshëm në funksionimin e saj.

Prokurori special theksoi se për njërën nga masakrat më të mëdha, atë të Reçakut, hetimet brenda territorit të Kosovës tashmë janë përfunduar.

Sipas tij, sfidë mbetet sigurimi i provave materiale të cilat ndodhen në Serbi, përfshirë ato që ruhen në ish-Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi. Morina theksoi se mungesa e bashkëpunimit me autoritetet serbe e bën të pamundur sigurimin e provave.

Po ashtu, Morina deklaroi se së shpejti pritet të ngritët aktakuzë edhe për rastin e depërtimit të civilëve shqiptar nga Kosova, të cilin e cilësoi si një nga çështjet më të mëdha që po trajton kjo prokurori.

“Për masakrën e Reçakut kemi hapur hetimet, kemi zhvilluar hetimet sa i përket territorit të Kosovës, kemi kryer të gjitha veprimet procedurale që kërkohen. Tani gjysma e provave, apo provat më të rëndësishme të këtij rasti ndodhen në Serbi në ish-gjykatën ndërkombëtare për ish-Jugosllavi që tani quhet mekanizëm rezidual, në këto institucione fatkeqësisht na duhet ta forcojmë bashkëpunimin. Për Serbinë nuk kemi bashkëpunim fare, dhe kësisoj është e pamundur të marrim prova materiale konkrete. Jemi duke bërë përpjekje maksimale që t’i sigurojmë ato prova në mënyrë që deri në përfundim të këtij viti ta ngrisim aktakuzën e Reçakut. Jemi duke punuar dhe presim shumë shpejt të përfundojmë rastin e depërtimit të popullsisë civile, dëbimi është një prej rasteve më të mëdha që kjo prokurori është duke zhvilluar, presim brenda këtij viti të ngritët aktakuza për atë rast. Kemi identifikuar një mori të rasteve të cilat jemi duke punuar dhe presim që disa prej tyre t’i përfundojmë brenda këtij viti”, tha ai.

Tashmë kur për njërin të akuzuar të përfshirë në masakrën e Dubravës gjykata e shkallës së parë ka vendosur aktvendim lirues, për masakrën në tërësi që ndodhi në këtë burg gjatë kohës së luftës, janë intervistuar 400 dëshmitarë prej 700 dëshmitarëve që parashihen të dëshmojnë për këtë masakër, ku mbetën të vrarë mbi 117 të burgosur shqiptarë dhe 300 të tjerë u plagosën.

Edhe për kryesit e kësaj masakre, Prokuroria Speciale e Kosovës po synon që të ngrit aktakuzë brenda këtij viti.

“Hetimet janë duke u zhvilluar. … rasti si tërësi është ende në punim e sipër dhe atë presim shumë shpejt ta përfundojmë…Ne po bëjmë përpjekje që brenda këtij viti ta përfundojmë edhe rastin e masakrës së Dubravës dhe të ngrisim një aktakuzë në mungesë, pasi që të gjithë të pandehurit nuk gjenden në territorin e Kosovës të paktën deri më tani sa ka arritur policia me verifikuar, mirëpo është një punë e madhe që kërkohet të bëhet, janë identifikuar 700 dëshmitarë të cilët duhet intervistohen secili prej tyre. Deri tani policia ka arritur deri në 400 prej tyre, secili.. Kemi shumë shpresa që do ta rrisim bashkëpunimin me ish-gjykatën penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavi në Hagë dhe nga aty t’i sigurojmë disa prova të rëndësishme materiale sa i përket përgjegjësisë komanduese në rastin konkret”, theksoi prokurori Morina.

Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK-së, nga viti 2021, ka ngritur gjithsej 37 aktakuza për krime lufte, prej tyre 12 për gjykim në mungesë.

Megjithatë, prokurori special, Ilir Morina e ka konsideruar si shumë të rëndësishëm krijimin e një bashkëpunimi juridiko-ndërkombëtarë me shtetin serb.

“Nga viti 2021 e deri në mars të vitit 2025, kemi ngritur 37 aktakuza për krime lufte, po flasim për një periudhë 4 vjeçare, derisa organizatat ndërkombëtare për 20 vite kanë pas 19 aktakuza, ne kemi ngritur një numër kogja të konsiderueshëm të këtyre rasteve. Vetëm vitin 2023, kemi ngritur 15 aktakuza për 63 persona, dhe në vitin 2024, kemi ngritur 14 aktakuza për 25 persona dhe një aktakuzë për 53 persona që është masakra e Mejës. Për periudhën tre mujore të vitit 2025, kemi ngritur katër aktakuza ndaj 6 personave. Në total kemi 14 aktakuza në mungesë, prej tyre i kemi edhe 12 aktakuza që i kemi të trashëguara nga misionet ndërkombëtare e që gjenden në gjykatë dhe duhet patjetër të filloj gjykimi në mungesë dhe në total i bie 26 aktakuza”, theksoi ai.

Morina vlerëson se nuk është bërë mjaftueshëm për ngritjen e kapaciteteve profesionale për gjyqtarët që merren me rastet e krimeve të luftës.

Morina ka theksuar nevojën për një kornizë ligjore specifike dhe një trup gjykues të posaçëm që të merret vetëm me rastet e këtyre krimeve.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, është pranimi i provave të vjetra nga vitet ’99, 2000 apo 2001 në procedurat penale, çka varet nga vendimet e gjykatës.

“Në këto pesë vitet e fundit kemi marrë autorizime nga misionet ndërkombëtare, kemi pas përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve profesionale të policëve dhe prokurorëve, por mesa unë kam vërejtur shumë më pak të gjyqtarëve dhe në fund krejt këtë punë që e bëjmë në fund vendoset nga ana e gjyqtarëve. Prandaj, duhet të jetë edhe fokusi edhe te gjyqtarët, që të ngritën kapacitet profesionale të tyre në aplikimin e standardeve ndërkombëtare… Ne kërkojmë një kornizë ligjore specifike të veçantë vetëm për krimet e luftës dhe në kuptimin e strukturës, ne kërkojmë një gjykatë, një departament e njësi që merret vetëm me krimet e luftës. Në kuptimin e kornizës ligjore, ne vazhdojmë ta theksojmë që derisa shumica e shteteve ndërkombëtare kanë ligje speciale për krimet e luftës, ne krimet e luftës i kryejmë me Kodin e Procedurës Penale, i cili është i përgjithshëm edhe për terrorizmin edhe për korrupsioni dhe krimin e organizuar. Një standard sfidues që mund të jetë në këtë rast është nëse një deklaratë e dhënë në vitin 99’të ose vitin 2000, 2001, a do ta pranoj gjykata e Kosovës si provë në një procedurë penale”, shprehet prokurori special.

Shefi i Departamentit për Krime Lufte, Ilir Morina thekson nevojën që sistemi gjyqësor në vend të ndjekin standardet ndërkombëtare te këto raste, sidomos në aspektin e deklaratave të dëshmitarëve.

“Ajo që është me rëndësi është që gjykatat e Kosovës, sikurse çdo gjykatë ndërkombëtare është që t’i vendos standardet.. për këto dy vendimet e fundit, ne po i presim aktgjykimet me shkrim në mënyrë që me kuptuar se çka ka ndodhur, cili ka qenë pozicioni i gjykatës në këto dy aktgjykime e fundit. Por, megjithatë sillet rreth asaj apo të lënë përshtypjen nga ajo që lexoi gjyqtari gjatë shpalljes ishte që nuk e ka fal besimin deklaratave të dëshmitarëve. Kurse, Gjykata e Hagës në standardin tre, thotë se vështirësitë në kujtesë nuk janë të pazakonta për shkak të traumës dhe kjo nuk thotë që dëshmitë e tyre janë të pavlefshme. Prandaj, kërkohet nga gjykatat tona të krijohen standardet tek rastet e krimeve të luftës, veçanërisht sa i përket deklaratave të dëshmitarëve, jo çdo deklaratë e dëshmitarit mundet mos t’i falet besimi, por mund të administrohet dhe ekzaminohet në frymën e standardeve që janë vendosur nga gjykatat ndërkombëtare. Një kriter tjetër që gjykatat tona kërkohet ta kenë dhe deri më tani ende nuk e kemi si standard në sistemin juridik të Kosovës, është përgjegjësi e personit kur vepron në grup”, deklaroi Morina.

Udhëheqësi i Departamentit për Krime Lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale, Ilir Morina thekson nevojën për shtim të numrit të prokurorëve special në këtë departament, si dhe të stafit mbështetës.

Aktualisht në këtë departament janë të angazhuar pesë prokurorë special, prej tyre vetëm një merret me rastet e dhunimeve seksuale.

Javën që shkoi nisi procesi gjyqësor për masakrën e Mejës si një nga masakrat më të mëdha ndaj popullatës shqiptare nga forcat serbe. Ky gjykim përfshinë 53 të akuzuar dhe në mungesë të sigurimit të personave të akuzuar, gjykimi do të mbahet në mungesë.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë e masakruar mbi 13 mijë civil, dhunuar seksualisht 20 mijë gra e burra, ndërkaq ende mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë.

KESCO: Prodhimi vendor vetëm 110 megavatë

0

KESCO ka njoftuar se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar.

Përmes një komunikate për media, kjo kompani ka treguar se aktualisht vetëm njësia A3 është duke prodhuar energjisë rreth 110 megavatë sot.

Pjesa tjetër e kërkesës, ka bërë me dije KESCO, do të mbulohet përmes importit të energjisë.

“KESCO njofton publikun se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar. Njësia A3 është duke prodhuar rreth 110 megavatë sot, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës do të mbulohet përmes importit të energjisë. Në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve si pasojë e temperaturave të larta”, është thënë në komunikatën e KESCO-së.

Kjo kompani ju ka bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

“Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, KESCO ka siguruar importet e nevojshme nga tregjet ndërkombëtare dhe po vazhdon të punojë intensivisht për të përmbushur nevojat në rritje për energji. I bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të ndihmojnë në kursimin e energjisë, veçanërisht përmes përdorimit më efikas të pajisjeve për ftohje. Çdo kilovat-orë i kursyer ndihmon në lehtësimin e ngarkesës në sistem dhe ul koston e përgjithshme të energjisë — duke përfituar të gjithë nga kjo. KESCO falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në komunikatë.