spot_img
E mërkurë, 6 Maj, 2026
15:57
Home Blog Page 989

Themelim të institucioneve të Kosovës kërkon edhe Këshilli Shqiptaro-Amerikan

0

Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane me seli në Uashington po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë dhe mbetet fuqimisht i përkushtuar për të mbështetur çdo përpjekje që forcon institucionet demokratike të vendit dhe pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës — veçanërisht partneritetin e saj të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të publikuar sot, Këshilli shpreh shqetësimin e thellë për bllokimin politik të vazhdueshëm dhe dështimin për konstituimin e Kuvendit sipas vullnetit të qytetarëve.

“Kjo paralizë institucionale është e pajustifikueshme. Ajo minon besimin publik, dobëson shtetin dhe e lë Kosovën të ekspozuar në një ambient global gjithnjë e më të paqëndrueshëm”, thuhet në deklaratë.

Këshilli përshëndet vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerëson vullnetin e aktorëve politikë për ta pranuar atë si rrugëdalje legjitime.

“Kosova ka një traditë krenare të respektimit të shtetit ligjor dhe autoritetit kushtetues — ky moment kërkon të njëjtën përkushtim”.

Me këtë rast, Këshilli i bën thirrje të gjitha partitë parlamentare që të shkojnë në seancën e radhës me ndjenjën e urgjencës dhe unitetit, dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë pa vonesa. “Vendi duhet të ecë përpara,” është mesazhi i prerë.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara është thelbësore — por ajo kërkon qeverisje efektive dhe koordinim të vazhdueshëm. Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë pjekuri dhe qartësi në këtë moment vendimtar”.

Në fund, Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane rikonfirmon përkushtimin e tij për të shërbyer si një urë lidhëse mes Kosovës dhe SHBA-ve, dhe për të amplifikuar zërin e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në Ditën e Vidovdanit, policia apelon për maturi dhe shmangie të provokimeve

0

Serbët do të shënojnë sot festën e Vidovdanit, e cila do të kremtohet në Gazimestan, në periferi të Prishtinës.

Policia e Kosovës thotë se ka marrë masat e nevojshme për menaxhimin e situatës së sigurisë dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për “Vidovdan”.

Ajo ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit që të manifestojnë të qetë e të shmangin provokimet.

“Lidhur me manifestimet e “Vidovdan-it”, të cilat pritet të mbahen me 28 qershor 2025, Policia e Kosovës (PK), me kohë ka ndërmarrë masat planifikuese dhe operative për menaxhimin e situatës së sigurisë, ruajtjen e rendit publik, orientimin e trafikut rrugor dhe menaxhimin kufitar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Policia ka bërë me dije se kanë mbajtur takim zyrtar lidhur me planet dhe masat operacionale të planifikuara për Vidovdan.

“Nga menaxhmenti i lartë janë shpalosur detajet e planit operacional, me të cilat janë njoftuar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që ishin pjesëmarrës në takim”, bëhet e ditur tutje në njoftimin policor.

Tutje, thuhet se nga autoritetet policore janë paraparë masa të nevojshme planifikuese, koordinuese, parandaluese dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimet në lokacionet ku janë paraparë, të zhvillohen qetë dhe pa incidente.

“Përmes këtij njoftimi zyrtar, Policia e Kosovës APELON te të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit që të manifestojnë në mënyrë të qetë, të shmangun çdo provokim të mundshëm, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e Policisë së Kosovës, e cila do të jetë prezentë me njësitë e saja për ofrim të sigurisë dhe parandalim të çdo veprimi të kundërligjshëm”, thuhet në apelin që policia i ka drejtuar pjesëmarrësve në këtë manifestim.

Po ashtu, kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve me rastin e bllokimit të përkohshëm apo riorientimit të mundshëm të trafikut. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, menaxhimin e situatës së sigurisë, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në fund të këtij njoftimi të shpërndarë nga Policia e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dje gjatë mbledhjes së qeverisë ka thënë se ka paralajmërime për destabilizim në shënimin e Vidovdanit, festë kjo fetare, e cila tradicionalisht organizohet nga serbët më 28 qershor në Gazimestan. Kurti tha se ndonëse kjo ditë ka karakter fetar, ajo fatkeqësisht është keqpërdorur nga autoritetet e Beogradit për të përcjellë retorikë politike, nxitëse dhe kërcënuese ndaj sigurisë publike në Kosovë.

“Beogradi zyrtar që po përballet me protesta gjithandej të studentëve dhe jo vetëm po përpiqet që ta zhvendos vëmendjen diku tjetër. Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiqeveritare e antiregjim të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive të nxisin incidente në Gazimenstan”, tha Kurti.

Ai tutje tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, janë duke u bërë përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv. Kryeministri tha se janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina për të ardhur në Kosovë, dhe se këto grupe tradicionalisht kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe e ruse, të cilat bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe gjithashtu janë kundër vlerave demokratike dhe evropiane, raporton rtk.

“Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb në Kosovë që të respektojnë ligjin dhe të moslejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. Ju bëjmë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve tanë që gjithashtu të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”, ka theksuar Kurti.

Ai tha se tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin.

“Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje të plotë me ligjin dhe jo të shndërrohen në një mjet për instrumentalizim politik nga autoritetet në Beograd, të cilat tentojnë ta eksportojnë krizën e brendshme politike përmes provokimeve në Kosovë, vetëm për t’u paraqitur më pas si kinse mbrojtës të interesave kombëtare të tyre dhe të serbëve në Kosovë përmes narracioneve propagandistike dhe klero-nacionaliste. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve dhe nuk do të tolerojnë veprime që cenojnë, rendin sigurinë dhe paqen publike në Kosovë”, tha ai.

24 vjet nga ekstradimi i “Kasapit të Ballkanit” në Tribunalin e Hagës

0

Ish-presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, më 28 qershor të vitit 2001, është ekstraduar për në Hagë, pasi më 27 maj të vitit 1999, është bërë publike aktakuza për krime lufte në Kosovë.

Më vonë Millosheviq akuzohet për krime edhe në Kroaci dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai ishte ekstraduar me urdhrin e Qeverisë serbe. Millosheviq ishte arrestuar në Beograd më 1 prill 2001, pasi ishte përgjegjës për vdekjen e dhjetëra-mijëra njerëzve.

Gjykimi kundër Millosheviq në Hagë ka filluar më 12 shkurt 2002. Nxjerrja e dëshmive për krime në Kosovë e Kroaci dhe për gjenocid në Bosnje e Hercegovinë, ka zgjatur deri më 25 shkurt 2004. Mbrojtja e tij ka filluar në fund të gushtit të atij viti.

Gjykimi kundër Millosheviq është ndërprerë me dhjetëra herë për shkak të problemeve kardiovaskulare që ai kishte dhe tensionit të lartë të gjakut.

Më 22 shkurt, Millosheviq ka deklaruar se nuk është në gjendje të vazhdojë marrjen e dëshmitarëve në pyetje, ndërsa më 24 shkurt refuzohet kërkesa e tij për shërim në Rusi.

Më 11 mars, në ora 9:30, u gjet i vdekur në qelinë e tij. /KP

Mot kryesisht me diell dhe vranësira të lehta

0

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se të shtunën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të lehta.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius”, njofton IHMK.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.

13 vendime të reja në mbledhjen e 263-të të Qeverisë në detyrë

0

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në mbledhjen e 263-të të Qeverisë në detyrë janë marrë gjithsej 13 vendime, përfshirë ndarje buxhetore dhe projekte zhvillimore në disa fusha të rëndësishme.

Kurti ka njoftuar se një ndër vendimet më të rëndësishme ishte ndarja e 4 milionë eurove për mbulimin e policës së sigurimit (kartonit të gjelbër) për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë gjatë sezonit të verës.

Po ashtu, janë ndarë 626,400 euro për mbështetjen e arsimit dhe lobimit institucional për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, përfshirë bursa për studentët, mbështetje për nxënësit si dhe financim të aktiviteteve avokuese dhe lobuese në nivel ndërkombëtar.

Ndër vendimet e tjera të miratuara ishin:

Aprovimi i një huamarrjeje deri në 10 milionë euro për “Infrakos Sh.A.”, për mbulimin e obligimeve të likuiditetit dhe vazhdimin e punimeve në rehabilitimin e linjës hekurudhore 10;

Rialokimi i 50 mijë eurove për ndriçimin publik në fshatin Nakell dhe Gorazhdec në komunën e Pejës;

Emërimi i Komitetit Ndërministror për shëndetin njerëzor, shtazor dhe mjedisor “Një shëndet”.

Gjithashtu, qeveria ka vendosur shpronësimin e pronave të paluajtshme ish-shoqërore në Komunën e Hanit të Elezit, për realizimin e disa projekteve infrastrukturore si:

Rindërtimi i Fushës së Futbollit;

Rregullimi i pronësisë për Fabrikën e Ujit;

Ndërtimi i Qendrës për Kulturë dhe Rini;

Zgjerimi i rrugës pranë Terminalit Doganor.

“Qeveria në detyrë është në shërbim të qytetarëve dhe nuk ndalet në përkushtimin për të mirën e përbashkët”, theksoi Kurti në postimin e tij në Facebook.

Cakolli: Kushtetuesja nuk e legjitimoi votimin e fshehtë siç pretendon LVV

0

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka folur për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se Kushtetuesja nuk e ka mbështetur votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Cakolli tutje ka shtuar se nuk është aktgjykimi i Kushtetueses ashtu siç tha Lëvizja Vetëvendosje se iu dha e drejta me votimin e fshehtë.

“Në katër elementet kryesore që Gjykata Kushtetuese i ka trajtuar në rastin e fundit, besoj që janë këto vendime e para përcaktimi i afatit 30 ditor për përmbylljen e konstituimit, pra Kuvendi duhet të konstituohet më së largu deri më 26 korrik, problemi me këtë qëndron se nuk është përcaktuar se çka ndodh më 27 korrik. Çka nëse edhe deri më 16 korrik deputetët do të dështojnë që të përmbushin këtë obligim kushtetues”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

“E dyta është se gjykata ka përcaktuar që LVV është se ka të vërtetën ekskluzive të propozimit të kandidatit të Kuvendit. Veçse është tentuar që të evitohet pjesa e dytë në raport me këtë gjetje të gjykatës, e cila për herë të parë ka përcaktuar që e drejta për ta përcaktuar kandidatin për kryetar të Kuvendit është e lidhur drejtpërdrejtë e kushtëzuar me sigurimin e votave. Gjykata për herë të parë ndonjëherë, në vlerësimin tim, në mënyrë indirekte ka përcaktuar se kemi një subjekt politik parlamentar i cili është duke zvarritur çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, duke propozuar kandidatin e njëjtë që nuk i ka votat e nevojshme”, tha ai.

“E treta Gjykata u ka përcaktuar obligime edhe partive të opozitës, respektivisht partive që nuk i kanë fituar zgjedhjet, ndonëse ka tentuar që ta bëjë këtë përmes çështjes së nënkryetarëve, por në parim ka kërkuar nga ata të veprojnë në mirëbesim dhe të gjejnë një zgjidhje nga situata aktuale. Pika e fundit është çështja e votimit të fshehtë, këtu mendoj se partitë kanë marrë aktgjykime të ndryshme, por që e vërteta është ndryshe nga ajo çfarë është proklamuar sot nga ana e Albulena Haxhiut, Glauk Konjufcës, dhe mbrëmë nga një postim i LVV. Gjykata nuk është e vërtetë se e ka proklamuar apo promovuar çështjen e votimit të fshehtë. Sipas nesh, Gjykata e ka përcaktuar se është vetëm një mënyrë e votimit që mund të përdoret ne seancën aktuale dhe ai është votimi i hapur”, tha Cakolli.

Kim Kardashian …

0

Kim Kardashian tërhoqi gjithë vëmendjen në Venecia nga ku ndau fotografi sa ishte duke u përgatitur për darkën para dasmës së Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.

E veshur me një fustan të gjatë Versace prej lëkure gjarpri, që theksonte belin dhe dekoltenë, Kim u shfaq glamuroze, shkruan DailyMail, përcjellë Storm.

Fotot e saj nuk munguan edhe në Instagram, ku shihej me motrat tjera dhe nënën.

Disa këshilla se si duhet të mbrohemi nga temperaturat e larta

0

Vendi ynë po përballet me të nxehtin ekstrem, me temperatura maksimale që shkojnë deri në 40 gradë.

Si pasojë e rritjes së temperaturave fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike janë të predispozuar të kenë disa efekte shëndetësore.

Disa këshilla për mbrojtjen nga moti i nxehtë dhe temperaturat e larta, ja cilat janë ato:

  1. Shmangni daljet jashtë dhe aktivitetet e rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.

2. Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10–15 ˚C më të larta.

3. Kaloni 2–3 orë gjatë ditës në një vend të freskët.

4. Jini të vetëdijshëm për rreziqet dhe qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare mbi temperaturat e larta.

5. Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët

6. Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë duke hapur dritaret në mbrëmje, kur temperatura e jashtme është më e ulët.

7. Gjatë ditës, kur temperaturat janë më të larta jashtë, mbyllni dritaret dhe mbulojini me perde apo materiale që pengojnë rrezet e diellit.

8. Fikni sa më shumë pajisje elektrike.

9. Përdorni ventilatorë elektrikë vetëm kur temperatura është nën 40 ˚C.

10. Nëse përdorni kondicioner, vendosni termostatin në 27 ˚C dhe ndizni një ventilator – kjo e bën ambientin të ndjehet deri në 4 ˚C më i freskët dhe mund të kursejë deri në 70% në faturën e energjisë për ftohje.

11. Mos harroni se në hije jashtë mund të jetë më freskët se brenda.

12. Mbajeni trupin të freskët dhe të hidratuar

13. Vishuni me rroba të lehta, të lirshme dhe nga pambuku.

14. Bëni dush ose banjë të freskët.

15. Lagni lëkurën me një leckë të lagur, spërkatje ose veshje të lagura.

16. Pini ujë rregullisht, të paktën 1 gotë në orë dhe 2–3 litra në ditë.

17. Kontaktoni rregullisht me personat e pambrojtur, veçanërisht me të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, aftësi të kufizuara ose që jetojnë vetëm.

18. Mbroni foshnjat dhe fëmijët

19. Mos i lini kurrë fëmijët apo kafshët në automjete të parkuara, temperatura rritet shpejt në mënyrë të rrezikshme.

20. Shmangni ekspozimin direkt në diell nga ora 10:00 deri në 17:00 – qëndroni në hije ose brenda.

21. Hija mund të ulë ndjesinë e nxehtësisë për më shumë se 10 ˚C.

22. Mos mbuloni kurrë karrocën e fëmijës me pëlhurë të thatë, kjo rrit temperaturën brenda saj. Përdorni një pëlhurë të lagur, të hollë, dhe freskojeni herë pas here.

23. Vishni fëmijët me rroba të lehta e të lirshme që mbulojnë lëkurën, përdorni kapele me buzë të gjera, syze dielli dhe krem mbrojtës kundër rrezeve UV.

Ligat evropiane ‘digjen’ për Zhegrovën

0

Edon Zhegrova gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e klubeve të mëdha italiane.

Interesimi për sulmuesin e Kombëtares së Kosovës, po rritet ndjeshëm në elitën e futbollit italian.

Sipas medieve italiane, pas interesimit të Napolit, tashmë edhe Atalanta i është bashkuar garës për shërbimet e anësorit nga Kosova, i cili në sezonin e fundit ka shkëlqyer në Ligue 1 me Lille.

Forma dhe kreativiteti i Zhegrovës në krahun e djathtë kanë bërë që klubet italiane të shohin tek ai një përforcim të nivelit të lartë për sezonin e ri.

Pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime konkrete, derisa gara për firmën e 25-vjeçarit po bëhet gjithnjë e më e fortë në Serie A.

Deputeti gjerman thirrje vendeve të BE-së: Duhet ta njihni pavarësinë e Kosovës

0

Deputeti gjerman Johannes Volkmann, i cili është edhe nipi i ish-kancelarit Helmut Kohl ka deklaruar në Bundestag se të gjitha vendet e BE duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një debati për vazhdimin e pjesëmarrjes së trupave gjermane në misionin paqeruajtës të KFOR-it, Volkmann shprehu mbështetje të qartë për shtetin e Kosovës, duke u bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që legjitimon pavarësinë e saj.

Gjithashtu, deputeti gjerman bëri thirrje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ndau videon e fjalimit të tij në rrjetet sociale, duke e falënderuar për mbështetjen.

“Faleminderit Johannes! Ndërsa fjalimi i fundit i Helmut Kohl në Bundestag ishte më 1 korrik 1999, nipi i tij debutoi me një përkushtim të fuqishëm për Kosovën,” shkroi Ajeti në Facebook.