Festivali Evropian i Këngës që po mbahet në Bazel të Zvicrës ka mësuar këngët finaliste që do të jenë në garë për çmimin e madh ditën e shtunë, ku midis tyre është edhe Shqipëria që kërkon të bëjë surprizën me ‘Shkodra Elektronike’ dhe këngën e tyre ‘Zjerm’.
Njëzet e gjashtë vende do të garojnë në një finale katër-orëshe madhështore, një nga ngjarjet përcaktuese në kulturën evropiane.
Në këtë mënyrë, gjiganti mediatik amerikan CNN i ka futur në sitë të gjitha këngët, duke bërë një renditje të tyre dhe jo pa shkak, Shqipërinë e ka vendosur në vendin e parë.
Sipas CNN, kjo është një renditje krejtësisht subjektive duke u fokusuar në nivelin artistik, por edhe tematikat.
Renditja e CNN, e cila nis me Armeninë të grupit PARG me këngën “Survivor ”, e vendit 26 për të vijuar më pas me vendet e tjera, dhe në vendin e parë, renditet Shqipëria me ‘Shkodra Elektronike’ me këgën ‘Zjerm’.
CNN e nis me një përshkrim mbi dy këngëtarët shqiptarë Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji.
Sipas rrjetit televiziv amerikan, Shkodra Elektronike” mund të kapitalizohet mbi mesataren e këngëve të tjera gjë e cila mund ta bënte të arrinte një fitore shokuese në Eurovizion.
“Një zotëri ‘kokërruar’ dhe një këngë e cila jep atmosferën e një kulti, ku bashkë me Beatriçen formojnë çiftin më origjinal të Eurovizionit. “Shkodra Elektronike” mund të kapitalizohet mbi mesataren e këngëve të tjera gjë e cila mund ta bënte të arrinte një fitore shokuese në Eurovizion”, shkruan CNN.
Ata këndojnë rreth një oazi të dëshiruar që shoqërohet me tekstin e këngës; “Nëpër rrugë, asnjë ambulancë, kurrkush s’flet me arrogancë, Edhe sot na thanë që s’prishet koha, Përfundova nën ujë, kurrë s’m’u tha goja (No), Imagjino një minutë pa ushtarë, pa jetima, Asnjë shishe n’oqean, naftës i vjen era jargavan”.
“Emocionet janë të mëdha, skena është e madhe, presioni është i madh”, shprehet për CNN, Beatriçe Gjergji.
CNN shkruan më tej se ata duhet të jenë tifozë të mëdhenj të Eurovisionit, por Beatriçe Gjergji përgjigjet: Jo, aspak, nuk është lloji ynë i muzikës.
Rrjeti amerikan shpjegon më tej se ambivalenca e tyre është një pasuri: nuk ka asgjë tjetër si kjo performancë dhe ata po marrin mbështetjen e merituar nga fansat.
“Nëse besoni në llojin e muzikës që doni më shumë, mbase diçka mund të ndodhë”, thotë Beatriçe Gjergji.



