Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Gjykata ka dënuar me 6 vjet burgim Jelena Gjukanoviq, ish-zyrtare e OSBE-së për veprën penale të spiunazhit.
“Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë”, ka shkruar mes tjerash Sveçla.
Postimi i plotë:
Institucionet shtetërore të Republikës sonë, si kurrë më parë, janë angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e aktivitetit të spiunazhit në vendin tonë, i cili ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues.
Sot, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është dënuar me 6 vite burgim Jelena Gjukanoviq, e cila ka zhvilluar veprimtari spiunazhi duke nxjerrë dhe shpërndarë te akterë të ndryshëm në Serbi dokumente të brendshme dhe të ndjeshme të institucioneve tona.
Ndërkohë që institucionet e sigurisë do të vazhdojnë pa kompromis luftën kundër këtyre veprimtarive, kërkohet edhe më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri, në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda që këto akte kanë për Republikën tonë.
Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë veprim që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës sonë nuk do të tolerohet.



