Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka komentuar zhvillimet politike në vend, para fillimit të seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që po mbahet për herë të 12-të pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Musliu ka deklaruar se PDK ende nuk ka marrë një qëndrim zyrtar lidhur me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një qeverie nacionale gjithëpërfshirëse.
“LDK gjithmonë duke u frikësuar për të marrë vendime, e ka lënë Kosovën shumë mbrapa. Siç thotë populli: as nuk shtyhet, as nuk ngrihet. Ata as nuk guxojnë të bëhen me Albin Kurtin, as me ne,” u shpreh Musliu për mediat.
Ajo kritikoi ashpër qasjen e LDK-së, duke e quajtur një sjellje jo të përgjegjshme dhe të dëmshme për stabilitetin politik të vendit.
Sipas saj, ideja për një qeveri gjithëpërfshirëse është në fakt një mënyrë për të “bërë hajgare me votën e qytetarëve” dhe për të shtyrë më tej krizën institucionale.
“Duhet të kemi një lider që tregon pjekuri dhe që pozicionohet qartë. Nuk bën herë me PDK-në, herë me Vetëvendosjen, e pastaj të gjithë bashkë. Kjo është papërgjegjësi politike. Mendoj që kjo adoleshencë politike duhet të marrë fund dhe disa prej kryetarëve të partive, që më nuk e meritojnë as të quhen liderë, duhet përfundimisht të tregohen të përgjegjshëm ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ajo.
Musliu theksoi se qëndrimi zyrtar i PDK-së për këtë çështje do të jepet pas mbledhjes së radhës të partisë.



