Në fshatra, por edhe në zona urbane të Kosovës, vërehen shpesh vargje shtëpish thuajse identike – nga plani i ndërtimit, e deri te fasada dhe oborret.
Sipas sociologut Genc Xërxa, “shtëpitë e njëjta janë pjesë e kontekstit kulturor që tregon një lloj barazie”.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se familjet përpiqen të shmangin xhelozinë dhe përçarjet, duke ruajtur uniformitetin mes vëllezërve.

Në vitin 2025, ky fenomen u hulumtua edhe nga antropologu çek, Radan Haluzík nga Universiteti Charles në Pragë, i cili e sheh këtë praktikë si një përgjigje ndaj ndryshimeve të mëdha kulturore dhe ekonomike, ku familjet përpiqen të balancojnë pabarazitë ekonomike mes vëllezërish, mungesën fizike të anëtarëve që jetojnë jashtë vendit, dhe dëshirën për privatësi, duke përdorur arkitekturën si “një formë adaptimi ndaj presioneve të globalizimit”.

Megjithatë, sipas Haluzík, mbetet e paqartë nëse vetëm arkitektura mund të zgjidhë plotësisht tensionet dhe kontradiktat që sjellin këto ndryshime shoqërore, të cilat “njerëzit dhe institucionet nuk kanë mundur t’i zgjedhin”.

“Shtëpitë e njëjta të vëllezërve kanë për qëllim kryesisht të transformojnë familjen e fundit tradicionale të përbashkët në Evropë. Në shikim të parë, duket e bukur dhe optimiste: Familja e përbashkët e mishëruar me shtëpi të njëjta vëllezërish duket më e pasur dhe më e dukshme se kurrë më parë. Por e kundërta është e vërtetë. Është më tepër një mënyrë e kultivuar për t’u ndarë pa hatërmbetje.”, tha Haluzík për Radion Evropa e Lirë.




