Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Gramos Krasniqit, reperit të njohur me emrin artistik “Mossi”, dhe dy të pandehurve të tjerë.
Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga Gjykata Supreme përmes një përgjigjeje për mediat. Sipas vendimit, pas shqyrtimit të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, masa e paraburgimit është zëvendësuar me një masë më të lehtë sigurie.
“Ju njoftojmë se masa e paraburgimit ndaj të pandehurve G.K., A.D. dhe B.H. është hequr nga Gjykata Supreme. Pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar. Në raste të tilla, kur vendos Gjykata Supreme, nuk parashtrohet kërkesë për vazhdimin e masës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Reperi Mossi ishte arrestuar dhe dërguar në paraburgim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në sulmin fizik ndaj gazetarit të portalit „Nacionale”, Burim Pacolli. Incidenti, i cili nxiti reagime të shumta nga komuniteti i gazetarëve dhe shoqëria civile, po trajtohet nga organet e drejtësisë, ndërsa të pandehurit do ta ndjekin procesin në liri, por nën kufizime strikte të komunikimit me palën e dëmtuar.



