“Scorpions”, grupi legjendar i rokut, pritet të elektrizojë mbrëmjen e të dielës me këngët e tij sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Pas më shumë se dy dekadash, një nga grupet më ikonike të rokut botëror rikthehet në Tiranë për një mbrëmje që premton të shkruajë histori.
Mikkey Dee, Matthias Jabs, Klaus Meine, Rudolf Schenker dhe Paweł Mąciwoda do të performojnë për publikun shqiptar hitet e tyre më të njohura si “Wind of Change”, “Still Loving You”, “Rock You Like a Hurricane” dhe shumë të tjera. “Scorpions” ngjiten sërish në skenë përpara publikut shqiptar – aty ku në vitin 2001 krijuan një nga koncertet më të paharrueshme që ka përjetuar ndonjëherë ky vend.
Me një karrierë 60-vjeçare, mbi 100 milionë disqe të shitura dhe turne në çdo cep të botës, “Scorpions” janë shumë më tepër se një grup – janë një simbol i gjallë i muzikës rok. Ky koncert nuk është thjesht një performancë. Është një rikthim emocional, një përballje me kujtimet, një përjetim që bashkon breza – me të njëjtën fuqi që i bëri legjendë.
Legjendat e rokut “Scorpions” rikthehen në Shqipëri si pjesë e turneut të tyre botëror “Coming Home”, që shënon 60 vjet karrierë muzikore.
Koncerti i 14 shtatorit pritet të mbledhë mijëra fansa nga i gjithë vendi dhe rajoni. Madje ka edhe shumë shqiptarë të cilët janë rikthyer këtë fundjavë në Shqipëri vetëm për të shijuar grupin ikonik, që ka shkruar historinë e rokut botëror.
Këtë vit, “Scorpions” festojnë 60-vjetorin e krijimit. Në këto gjashtë dekada, secili anëtar ka lënë gjurmën e tij, duke krijuar këngë që kanë frymëzuar gjenerata të tëra dhe që vazhdojnë të prekin zemrat e publikut edhe sot. /atsh