Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për politikat energjetike, duke e akuzuar për anulimin e projekteve strategjike dhe për koston e lartë të energjisë që, sipas tij, po i kushton Kosovës.
Haradinaj theksoi se Kosova po paguan qindra miliona euro për energji ndaj Serbisë, përmes, siç tha ai, sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, ndërkohë që Shqipëria ka firmosur marrëveshje strategjike për gazin amerikan që siguron furnizim stabil dhe kosto më të ulët.
“Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan”, shkroi mes tjerash Haradinaj në Facebook.
Postimi i plotë:
Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët.
Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan.
Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.
Sigurisht, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës e as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike.



