Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka folur para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ku ka zbërthyer atë që ai e konsideron si planin kohor të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e presidentit.
Sipas Haradinajt, partia në pushtet nuk po nxiton me procesin e zgjedhjes, pasi synimi i tyre primar është që kryetarja e Kuvendit të marrë paraprakisht rolin e ushtrueses së detyrës së presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
“Lëvizja Vetëvendosje e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre. Po shihet qartë që kjo është e lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale”, deklaroi Haradinaj para mediave.
Haxhiu si ushtruese detyre para konsultimeve Kreu i AAK-së theksoi se procesi pritet të marrë dinamikë të re vetëm pasi të ndodhë ndërrimi i kompetencave në krye të shtetit.
“Çdo gjë pritet të fillojë në momentin kur të kemi një ushtrues detyre të ri të presidentit. Njëherë të marrë detyrën Haxhiu, e pastaj të nisin konsultimet e mëtejshme”, shtoi ai, duke iu referuar kryeparlamentares Saranda Haxhiu.
Pozicioni i AAK-së dhe gjashtë votat e saj Sa i përket qëndrimit të partisë së tij, Haradinaj bëri të ditur se AAK-ja i ka gjashtë vota në Kuvend, por ende nuk ka një vendim përfundimtar se si do të veprohet në procesin e votimit.
“AAK-ja i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën. Pra, të shkojë Osmani, të jetë ushtruese detyre Haxhiu, e pastaj të shohim se çfarë do të bëjnë”, përfundoi kreu i Aleancës.



