Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot Betejën e Zhegocit, duke nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të Zonës Operative të Karadakut dhe rënien e dëshmorëve për lirinë e Kosovës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj theksoi se rezistenca e luftëtarëve të kësaj zone ishte paralajmërimi i qartë për fitoren e afërt mbi pushtuesin.
„Duke kujtuar sot Betejën e Zhegocit, nderojmë kontributin e Zonës Operative të Karadakut dhe rënien e bijve më të mirë të saj për lirinë e vendit tonë. Pranvera që u shënua me pushkët e tyre, lajmëroi fitoren e cila nuk vonoi”, ka shkruar ai.
Kujtesa për masakrat mbi popullatën civile Haradinaj solli në vëmendje edhe egërsinë e forcave serbe, të cilat në pamundësi për të përballuar goditjet në frontet e luftës, u hakmorën mbi popullatën e paarmatosur.
“Shteti serb, për të shfryer egërsinë dhe mllefin e humbjeve të mëdha në frontet e luftës, pikërisht gjatë Betejës së Zhegocit, do të sulmonte popullatën e paarmatosur në Sllovi të Lipjanit. Njëjtë do të pësonin edhe motrat e vëllezërit tanë në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë”, nënvizoi kreu i AAK-së.
Në përfundim të mesazhit të tij, Haradinaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos harrojnë kurrë çmimin e lartë të lirisë, duke e përmbyllur me fjalët: „Lavdi e përjetshme”.



