Në hapjen e fabrikës “Green House”, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka vlerësuar historinë e suksesit të familjeve Rexhepaj dhe Mehmetaj, të cilat pas viteve të mërgimit në Zvicër janë kthyer për të investuar në Kosovë, duke ndërtuar një kompani moderne që eksporton 100% në tregjet evropiane.
Haradinaj ka theksuar se ky është shembull i qartë se si puna dhe vizioni mund ta bëjnë Kosovën konkurruese në Evropë, duke nisur nga një hapësirë e vogël me qira e deri te një fabrikë me kapacitete të avancuara prodhuese.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se bizneset vendore po përballen me një barrë të rëndë për shkak të çmimit të lartë të energjisë elektrike, çka po ua vështirëson ndjeshëm konkurrencën me vendet fqinje dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese. Sipas tij, nuk mund të kërkohet më shumë prodhim, eksport dhe vende pune pa krijuar kushte të favorshme për investitorët.
Njoftimi i plotë:
Pata kënaqësinë të marr pjesë në hapjen e fabrikës “Green House”. Familjet Rexhepaj dhe Mehmetaj, pas viteve të mërgimit në Zvicër, janë kthyer për të investuar në vendin e tyre, duke ndërtuar një kompani moderne që sot eksporton 100% në tregjet evropiane
Nga një hapësirë e vogël me qira, deri te një fabrikë moderne me kapacitete të avancuara prodhuese, ky është shembulli më i mirë se si puna e ndershme dhe vizioni mund ta bëjnë Kosovën konkurruese në Evropë.
Megjithatë, bizneset tona sot po përballen me një barrë të rëndë, çmimin e lartë të energjisë elektrike, që po ua vështirëson konkurrencën me vendet fqinje dhe zhvillimin e kapacitetit prodhues. Nuk mund të kërkojmë më shumë prodhim, më shumë eksport e më shumë vende pune, pa ua krijuar kushtet e nevojshme atyre që investojnë.
Në qeverinë e Ardian Gjinit, prioritet do të jetë ndërtimi i termocentralit të ri dhe realizimi i gazsjellësit amerikan, për t’u siguruar bizneseve energji stabile dhe me çmim më të lirë. Kosova duhet të bëhet vend ku investohet, prodhohet dhe punohet me dinjitet.



