Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se java para nesh do të sjellë mot të paqëndrueshëm në Kosovë, me alternime mes diellit, vranësirave dhe reshjeve lokale të shiut.
Sipas parashikimit, reshje të herëpashershme me intensitet të dobët deri mesatar priten të martën, të mërkurën dhe në disa zona edhe të premten. Në disa rajone, reshjet mund të shoqërohen edhe me vetëtima dhe bubullima.
Temperaturat do të shënojnë rënie graduale gjatë mesjavës, veçanërisht ato minimale, të cilat mund të zbresin deri në 3 gradë Celsius. Maksimalet gjatë javës parashihet të lëvizin ndërmjet 15 dhe 23 gradë Celsius.
Të hënën do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të lehta, me temperatura deri në 23°C.
Të martën pritet mot më dinamik, me intervale dielli dhe vranësira që mund të sjellin reshje lokale shiu dhe shkarkime elektrike.
Edhe e mërkura do të karakterizohet me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona mund të ketë riga të dobëta shiu.
Të enjten moti do të jetë më stabil, kryesisht me diell dhe pjesërisht i vranët, ndërsa temperaturat minimale do të jenë më të ulëtat e javës.
Ndërkaq, të premten rikthehen vranësirat dhe reshjet lokale të shiut në disa pjesë të vendit.



