Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka vendosur masë ndalese të pakohshme për importin e deleve dhe dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë.
Ky vendim emergjent vjen pas konfirmimit zyrtar të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës. Për të parandaluar përhapjen e këtij virusi në territorin e Kosovës, autoritetet kanë kërkuar angazhim maksimal edhe nga niveli lokal.
“U bëjmë thirrje komunave të Kosovës në brezin kufitar me Shqipërinë që, përmes drejtorive për bujqësi, të vendosin masa strikte kufizuese për lëvizjen e bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitar. Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive duhet t’i mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre dhe të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria”, thuhet në njoftimin zyrtar të AUV-it.
Përforcimi i kontrolleve në kufi Në njoftim theksohet gjithashtu se autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kalimtare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë. Qëllimi kryesor i këtyre masave është parandalimi i futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës, e cila mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike në sektorin e blegtorisë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka siguruar se ekipet e inspektorëve janë në gjendje gatishmërie për të monitoruar situatën në terren dhe për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm nëse paraqitet nevoja.



