spot_img
E martë, 5 Maj, 2026
19:30
HomeKosovaKQZ-ja miraton kufizimin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore

KQZ-ja miraton kufizimin e shpenzimeve për fushatën zgjedhore

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës në të cilën ka miratuar vendimin për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore për subjektet politike që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,092,202 euro, pra një (1) euro për çdo votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën zgjedhore, monitorimin dhe deklarimin financiar, si dhe në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas së cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,092,202.

- Advertisement -

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Sekretari Besnik Buzhala, shpjegoi proceduren duke theksuar se “Siç e dini, sipas planit kohor, fushata zgjedhore do të fillojë më 28 maj 2026 dhe do të përfundojë më 7 qershor 2026, para hapjes së qendrave të votimit”.

“Andaj, në përputhje me Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, kufizimi i shpenzimeve është llogaritur në 1 euro për votues. Në lidhje me bazën ligjore, Zyra i rekomandon KQZ-së që të aprovojë kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore në vlerën prej 2,092,202 euro. Pra, kjo lidhet me numrin e votuesve në listën preliminare, sipas ekstraktit të marrë më 30 prill 2026”, theksoi ai.

- Advertisement -

Mbi 2 milionë votues në listën preliminare për zgjedhjet e 7 qershorit

Në mbledhjen e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është prezantuar raporti i Listës Preliminare të Votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas raportit, lista përmban gjithsej 2,092,202 votues, që paraqet një rritje prej 15,912 votuesish krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në këto zgjedhje pritet të votojnë për herë të parë 22,131 qytetarë, prej të cilëve 16,933 janë të rinj që kanë mbushur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit, ndërsa 5,198 janë regjistruar për herë të parë ose kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Nga të dhënat e raportit bëhet e ditur se 6,219 votues janë larguar nga lista, ku shumica për shkak të vdekjes (5,826), ndërsa 393 për shkak të humbjes së shtetësisë, sipas evidencave të Agjencisë së Regjistrit Civil.

Po ashtu, 6,797 persona nuk janë përfshirë në listën votuese, pasi janë evidentuar si të vdekur përmes verifikimeve të institucioneve përkatëse, përfshirë ARC-në, Departamentin e Pensioneve, bashkësitë fetare dhe verifikimet në terren.

Ky raport paraqet përditësimin e listës votuese në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat