Në përvjetorin e Masakrës së Dubravës, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat dhe ka folur për rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe kërkimit të drejtësisë.
“Dubrava mbetet dëshmi për ekzekutimet masive e gjenocidale të shqiptarëve për torturat dhe keqtrajtimet ndaj të burgosurve shqiptar por edhe për shpirtin liridashës të të burgosurve politik që nuk thyhej e nuk dorëzohej para torturave në burgjet serbe”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi edhe rolin e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve të masakrës.
“Sot kur kujtojmë viktimat e kësaj masakre nderojmë edhe dëshmitarët e saj, ata që mbijetuan, ata që rrëfyen, ata që shkruan libra dhanë dëshmi dhe ruajtën të vërtetën nga harresa. Dëshmia e tyre është pjesë e të vërtetës historike të Kosovës dhe kujtesës sonë kolektive”, u shpreh ai.
Kurti tha se institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi për ruajtjen e kësaj kujtese dhe kërkimin e drejtësisë.
“Republika e Kosovës ka obligim moral dhe shtetëror që ta ruaj këtë kujtesë, ta dokumentojë të vërtetën dhe të kërkojë drejtësi për të gjitha viktimat, sepse shteti që kujdeset për kujtesën mundëson drejtësi dhe ndërton paqe”, ka deklaruar ai.
Ai shtoi se kujtesa historike duhet të shërbejë si udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
“Prandaj krahas të qenit dhimbje kujtesa jonë bëhet edhe drejtim, ajo bëhet busull morale për brezat që vijnë që liria mos të merret kurrë si e mirëqenë dhe që krimet e së kaluarës mos të lejohen të përsëriten”, ka përfunduar Kurti.



