Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në një takim bilateral në Qeverinë e Republikës së Armenisë nga kryeministri armen, Nikol Pashinyan.
Sipas njoftimit nga Kryeministra, gjatë takimit, Kurti shprehu falënderim për kontributin e forcave të armatosura armene në kuadër të KFOR-it, si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet Armenisë dhe Kosovës.
Ai e falënderoi gjithashtu Qeverinë e Armenisë për ftesën për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare “Yerevan Dialogue”.
Bashkëbisedimi, siç thuhet në njoftim, u përqendrua në mundësitë konkrete për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investime dhe tregti, si dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme përmes shkëmbimeve akademike dhe kulturore.
“Në një kohë kur sfidat janë gjithnjë e më të ndërlidhura, nevoja për aleanca ndërmjet demokracive bëhet edhe më e qartë. Ato nuk janë vetëm çështje qëndrimesh, por mekanizma konkretë që mundësojnë bashkërendim, besim dhe përgjigje të përbashkëta — në shërbim të paqes e prosperitetit, sigurisë dhe stabilitetit, në kontinentin evropian dhe përtej”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.



