Projektligji për energji dhe ai për energjinë elektrike mbetën jashtë rendit të ditës në seancën e sotme, duke u kundërshtuar nga opozita për përshpejtim procedurash, ndërkohë që Ministria e Ekonomisë alarmon se Kosova rrezikon humbjen e 9 milionë eurove.
“Këto dy ligje i kemi parakusht për të përfituar 9 milionë euro nga Plani i Rritjes së BE-së, të cilat do t’i humbim nëse nuk miratohen deri në fund të qershorit”, ka thënë Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.
Përmes këtyre projektligjeve, synohet reformimi në sektorin e energjisë elektrike.
“Ligji i ri do të jepte mekanizma shtesë që në raste të krizave të ndërhyjmë më shpejt. Kjo është tejet e rëndësishme për ne sepse është e ardhme e afërt e paparashikueshme. Ligji i ri mbron konsumatorët, parasheh masa shtesë për konsumatorët e cenueshëm. Qoftë për ata që nuk i përballojnë faturat e energjisë elektrike për të ardhurat e ulëta, qoftë për ata që për arsye shëndetësore nuk guxojnë ta humbin qasjen në energji elektrike, që është një element i ri nga direktiva e BE-së”, ka shtuar Rizvanolli.
Pavarësisht se shumica parlamentare po e mbështet këtë projektligj, opozita këmbëngul në kritikat e veta.
“Vërejtjet nga ana e opozitës nuk kanë qenë përmbajtjesore, madje janë lëshuar në gjëra që nuk kanë peshë”, ka thënë Driton Hyseni, deputet i LVV-së.
“Janë ligje bazike që prekin strukturën e sektorit të energjisë. Ne kemi kërkuar që reforma të behet me transparencë me debat publik dhe në kushte normale ku mund t’i bëjmë vërejtjet e sugjerimet”, ka thënë Ferat Shala, deputet i PDK-së.
Përmes një ligji për energjinë elektrike synohet modernizimi i tregut të energjisë, nxitje të konkurrencës, rritje të transparencës dhe mbrojtje të konsumatorëve.



