Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar zyrtarisht rastin e parë të sëmundjes infektive “Lija e Deleve dhe Dhive” (Sheep Pox/Goat Pox) në territorin e Republikës së Kosovës.
Sëmundja është identifikuar në një fermë delesh në fshatin Sazli të Ferizajt, pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe analizave të hollësishme laboratorike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë.
Pas konfirmimit të rastit, më 15 prill 2026, autoritetet kanë vendosur masa të menjëhershme për kontrollin dhe parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme, në përputhje me Ligjin për Veterinarinë. Masat aktualisht janë të përqendruara në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, me mundësi zgjerimi varësisht nga situata epidemiologjike.
Masat strikte të ndërmarra: Sipas njoftimit zyrtar të AUV-it, masat kryesore që hyjnë në fuqi menjëherë janë:
-
Ndalimi i lëvizjes së deleve dhe dhive nga të gjitha fermat e rajonit;
-
Pezullimi i plotë i tregtimit dhe shitblerjes së bagëtive të imta;
-
Karantinë e plotë për fermat ku konfirmohet prania e sëmundjes;
-
Obligimi i fermerëve për të raportuar çdo ndryshim shëndetësor te kafshët dhe zbatimi i masave të rrepta të biosigurisë.
„Autoritetet kanë kërkuar nga komunat që të përcaktojnë lokacione për groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa AUV-i do të vazhdojë me hetimet epidemiologjike dhe testimet laboratorike”, thuhet në njoftim.
Përjashtimet dhe mbikëqyrja Transporti i kafshëve lejohet vetëm në raste specifike: nga fermat e paprekura drejt thertoreve të licencuara, por ekskluzivisht me miratimin paraprak të inspektorit veterinar. Menaxherët e tregjeve të kafshëve janë urdhëruar të pezullojnë aktivitetin menjëherë.
Zbatimi i këtyre masave emergjente do të mbikëqyret nga Policia e Kosovës dhe organet komunale, në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë. Masat kanë hyrë në fuqi këtë të mërkurë, më 15 prill 2026.



