E PLOTËSUAR / Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Me 81 vota për, asnjë kundër dhe 25 abstenime deputetët kanë miratuar këtë projektligj në lexim të parë, që u shoqërua me polemika të gjata.
Gërvalla: Projektligji për Konfiskim nuk e ka objekt qytetarin e zakonshëm
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur shqyrtimi i parë i parë i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, para deputetëve, këtë projektligj e quajti me peshë të veçantë për shtetin, sundimin e ligjit, rrugën drejt BE-së dhe besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Ky projektligj nuk është i zakonshëm, por një projektligj që thotë qartë se funksioni publik nuk mund të jetë mburojë për pasurim të pajustifikueshëm”, tha ndër të tjera në fjalimin e saj ministrja e Drejtësisë.
Sipas Gërvallës projektligji është mesazh i qartë dhe shumë gjatë i pritur nga qytetarët e Kosovës.
“Shteti nuk mjaftohet me deklarime kundër korrupsionit, por ndërton mekanizma real, funksional dhe kushtetues për ta luftuar atë. Ky projektligj nuk i shërben ndonjë spektakli, por rezultateve konkrete. Nuk është shkruar për të prodhuar tituj, por për të prodhuar llogaridhënie. Kjo nismë nuk ka ardhur rastësisht dhe as me nguti, ka një histori të gjatë institucionale. Fillon me koncept dokumentin e miratuar me 13 prill 2021 dhe është votuar për herë të parë në Qeverinë ‘Kurti 2’ me 29 dhjetor 2021. Që nga ajo kohë ka kaluar nëpër tri opinione të Komisionit të Venedikut dhe dy shqyrtime të Gjykatës Kushtetuese. Po flasim për një proces të gjatë, të testuar, të sfiduar, të rishikuar dhe të përmirësuar”, tha Gërvalla.
Ministrja shtoi se as Komisioni i Venedikut dhe as Kushtetuesja nuk e kanë kontestuar konceptin e konfiskimit civil si instrument juridik, sipas saj, rekomandimet kanë qenë për më shumë qartësi, proporcionalitet dhe më shumë garanci procedurale. Ajo tha se këto rekomandime janë reflektuar në tekstin e projektligjit.
“Byroja nuk konfiskon, byroja nuk gjykon, byroja nuk i zëvendëson gjykatat. Byroja mbledhë, verifikon dhe analizon informacionin, vendimi për konfiskim merret nga gjykata, një mekanizëm kushtetues, i balancuar dhe në harmoni me parimet e shtetit ligjor. Ky ligj nuk merret me qytetarin e zakonshëm, merret me zyrtarët publik, me bartësit e funksioneve publike dhe me detyrimin e tyre për të dhënë llogari për pasurinë që kanë krijuar gjatë ushtrimit të funksionit publik”, deklaroi para deputetëve ministrja.
Sipas Gërvallës, narrativa se gjoja ky ligj cenon qytetarët e zakonshëm nuk është as interpretim juridik, as shqetësim real , por, sipas saj, propagandë kundër një mekanizmi që synon llogaridhënie nga ata që mbajnë pushtet publik. “Qytetari i zakonshëm nuk është objekt i këtij ligji”, përsëriti Gërvalla.
Sqaroi se procedurat nuk nisin arbitrarisht, ato, sipas saj, iniciohen në bazë të informatave kredibile.
“Projektligji nuk është ndërtuar mbi logjikën e ndëshkimit të verbër, por mbi logjikën e përgjegjësisë, provës, kontrollit gjyqësor e interesit publik.
PDK kërkon konsultim publik, Gruda: Ligj i ndjeshëm me mangësi serioze
Deputeti, Përparim Gruda ka dhënë vërejtjet për këtë projektligj në emër të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai fillimisht ka sqaruar se nuk janë në parim kundër ligjit dhe as kundër konceptit të konfiskimit civil të pasurisë, por ka kërkuar që të njëjtit t’i jepet mundësia që në mes të dyja leximeve të organizohet konsultim publik.
Ai tha se ligji është tepër i ndjeshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për të drejtat dhe liritë e njeriut, prandaj, sipas tij, edhe diskutimi për të duhet të bëhet me kujdes.
Ai si vërejtje të parë e paraqiti që ky dokument nuk i është nënshtruar konsultimit publik.
“Ligji është rrëzuar nga Kushtetuesja për procedurën e miratimit këtu dhe do të duhej të vihej në konsultim publik para miratimit në Qeveri, siç e kërkon Rregullorja e Punës e Qeverisë. Kjo nuk ka ndodhur, është keq sepse një ligj kaq i ndjeshëm duhet t’i nënshtrohet një debati jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm, por edhe nga profesionistët veçanërisht”, tha ai.
Gruda pati kritika edhe për emrin që ka projektligjit.
“Titulli nuk i përshtatet përmbajtjes së ligjit, byroja nuk konfiskon pasuri, prandaj nuk mund të jetë fjala konfiskon. Gjysma e neneve flasin për byronë e gjysma tjetër flasin për cka ndodhë kur çështja mbërrinë në gjykatë, që do të thotë se titulli i ligjit nuk e reflekton përmbajtjen e ligjit”, tha ai.
Gruda tha se nëse i jepet shansi Kuvendit që mes të dyja leximeve të organizojë konsultim publik, mund të adresohen të gjitha vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese e të kalojnë bashkë këtë ligj.
“Para se të ndodhin këto, PDK sot do të abstenojë për të dhënë një shanse që mes të dyja leximeve të përmirësohet ligji, të sillet sipas standardeve të Komisionit të Venecias e në lexim të dytë të miratohet ashtu siç duhet. Nëse vërejtjet nuk adresohen, ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj sepse unë jam i bindur se që plot prej këtyre dispozitave që janë përmendur dhe të tjera janë në shpërpushje me Kushtetutën”, deklaroi Gruda.
LDK kërkon ndryshime të projektligjit: Ka paqartësi dhe kundërthënie
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se ky subjekt politik ka qenë nismëtare e ideës së Byrosë në vitin 2022. Sipas saj, një projektligj i tillë duhet të shoqërohet me konsultime publike dhe se duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
“Ky ligj nuk po e bën mjaftueshëm dallimin në mes të atij që ka abuzuar dhe atij që ka punuar ndershëm. Kemi të bëjmë me paqartësi brenda neneve dhe kundërthënie brenda ligjit. Kur nuk është i qartë mund të jetë i rrezikshëm. Derisa komisioni nuk ka vetëm rol monitorues por rol aktiv në inicimin e emrit të drejtorit, nuk mund ta lëmë zgjedhjen e këtij komisioni me numra aq të thjeshtë, e pakta do të duhej të ishte dy e treta e deputetëve”, ka thënë ajo.
Kica – Xhelili ka theksuar se nëse ndodhin ndryshime brenda projektligjit, LDK do ta përkrahë atë. Ndërkaq nëse nuk bëhen, sipas saj, ngrit shqetësim dhe dyshim serioz.
“Byroja le të bëhet por të jetë e drejtë e pavarur dhe e qëndrueshme, nëse e bëjmë këtë kemi bërë diçka të drejtë. Nëse jo po bëhet propagandë politike. Për sot vota jonë është për”, theksoi ajo.
AAK përkrahë projektligjin, Tahiri: Kush nuk justifikon një cent, të ballafaqohet me ligjin
Besnik Tahiri i AAK-së ka shprehur përkrahjen për këtë projektligj. Ai ka thënë se misioni më fisnik kombëtar në liri është lufta kundër krimit e korrupsionit, në mënyrë që shteti të jetë i jetueshëm.
“Në Komisionin për Legjislacion ne kemi votuar për edhe sot do të votojmë për, për shkak se mendojmë që një institucion si ky, do të kishte qenë mirë me hy në fuqi ky projektligj në mënyrë që të shihet se cili është kontributi i këtij institucioni në forcimin e luftës kundër korrupsionit por edhe në hetimin e secilit prej nesh, të pasurisë që e kemi dhe konfiskimin e tyre dhe kthimin te qytetari e shteti. Kushdo që nuk mund të justifikojë një cent si zyrtar publik duhet të ballafaqohet me forcën e ligjit”, tha ai.



