Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), vikendi i parë i muajit maj do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm, me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa temperaturat do të mbeten të ulëta gjatë orëve të mëngjesit.
Të shtunën (2 maj) pritet të mbajë mot kryesisht i vranët me intervale kohore me diell. Vranësirat vende-vende, kryesisht në pjesët perëndimore dhe veriperëndimore, mund të shoqërohen me riga të dobëta shiu.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet e ditës nga 14 deri në 17°C. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja, me shpejtësi 1 deri në 6 m/s.
Ndërkaq, të dielën (3 maj) parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të mbesin nga 0 deri në 3°C, ndërsa maksimalet nga 15 deri në 17°C. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi, e lehtë deri mesatare.



