Një tjetër zhvillim i rëndë po raportohet nga Gjiri Persik.
Pas raportimeve fillestare për disa shpërthime pranë ishullit Kharg, agjencia gjysmëzyrtare iraniane Tasnim njoftoi se një tanker iranian ishte goditur nga forcat amerikane në afërsi të ishullit strategjik.
Sipas Tasnim, anija u godit nga katër predha, ndërsa sulmi nuk shkaktoi viktima. Ekuipazhi po evakuohet. Reuters raportoi se deri në momentin e publikimit nuk kishte reagim të menjëhershëm nga Komanda Qendrore amerikane, CENTCOM.
Kharg nuk është një lokacion i zakonshëm.
Ishulli historikisht ka përpunuar pjesën dërrmuese të eksporteve iraniane të naftës dhe është një nga pikat më strategjike të infrastrukturës energjetike të Teheranit. Pikërisht për këtë arsye, çdo goditje pranë tij ka rëndësi jo vetëm ushtarake, por edhe për tregjet globale të energjisë.
Ngjarja vjen vetëm disa ditë pasi presidenti Donald Trump publikoi një video të gjeneruar me AI ku pretendonte se Kharg ishte “shkatërruar”, ndonëse atëherë nuk kishte prova se ishulli ishte goditur realisht. Reuters raportoi në atë kohë se postimi nuk përputhej me situatën faktike në terren.
Raportimi i sotëm, megjithatë, është konkret: një tanker pranë Khargut është goditur, ndërsa mediat iraniane ia atribuojnë sulmin forcave amerikane.
Nëse Washingtoni e konfirmon goditjen, ky do të ishte një tjetër sinjal se përplasja SHBA–Iran po afrohet gjithnjë e më shumë te infrastruktura dhe arteriet energjetike të Iranit.



