Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur fajtor tre serbë në rastin e sulmit në Banjskë, duke i shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm dy të akuzuarve, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, ndërsa Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë Kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, në përbërje me anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli.
Kujtojmë se Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar burgim të përjetshëm për Spasojeviqin, Toliqin e Maksimoviqin. Ata janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast.
Gjate fjalës së tij prokurori Naim Abazi ka thënë se ekzistojnë prova të qarta se grupi terrorist ka qenë mirë i organizuar, qe nga viti 2021 ne Rashkë, për prishje të rendit e qetësisë dhe me qëllim të shkëputjes së një pjese të territorit të Republikës së Kosovës.
Prokurori ka argumentuar edhe me video e fotografi pjesëmarrjen dhe përfshirjen e secilit të akuzuar, në sulmin terrorist në Banjska ku u vra rreshteri, Afrim Bunjaku. Burgim të përjetshëm ka kërkuar edhe avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci.
Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serbësh me armatim të rëndë, fillimisht bllokoi urën në fshatin Banjskë të Zveçanit, e më pas sulmoi policët që shkuan në vendngjarje për ta hequr kamionin nga rruga.
Gjatë sulmit të serbëve të armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë policë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.



