HomeKulturë558-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Heroit Kombëtar

558-vjetori i vdekjes së Skënderbeut, Heroit Kombëtar

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Skënderbeu u njoh si Zot i Arbërit. Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin. Ai personifikon jo vetëm figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar, por dhe një epokë të tërë të historisë kombëtare.

- Advertisement -

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën. Lufta e shqiptarëve me të në krye shënon një kthesë vendimtare në organizim politik të vendit, si dhe në forcimin e bashkimit kombëtar.

Pasi çliroi Krujën më 28 nëntor 1443 ai ngriti flamurin e Kastriotëve dhe më 2 mars të vitit 1444, në Katedralen e Shën Kollit të qytetit të Lezhës, Gjergj Kastrioti mbajti Kuvendin e Parë Kombëtar. Me Kuvendin e Lezhës, Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbëror. Ai ishte kuvendi ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar. Mobilizimi masiv i forcave shqiptare që filloi në Dibër, erdhi duke u zgjeruar deri në një kryengritje të përgjithshme. Brenda muajve të parë u çliruan disa principata dhe pjesa më e madhe e trojeve shqiptare.

- Advertisement -

Forcat shqiptare me në krye Skënderbeun fituan një sërë betejash kundër ushtrive osmane, si në fushat e Pollogut, të Dibrës, të Ohrit e të Domosdovës, grykat dhe luginat e Shkumbinit, fushat e Ujit të Bardhë, të Livadit pranë Ohrit, të Vajkalit etj.

Pas vitesh lufte e rezistencë ndaj pushtimit osman, duke udhëhequr luftën e shqiptarëve për liri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vdiq në Lezhë.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti popullin e vendlindjen, por me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat