Kur Kosova po shënon Ditën e Forcës së Sigurisë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar se kanë ndërmarrë hapa drejt hapjes së fabrikës për prodhim të municionit, si dhe dizajnim të fluturakeve pa pilot.
“Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për nisjen e procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e monicionit dhe për laborator për dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur si kjo e jona ka nevojë për ta siguruar dhe garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë”, theksoi ai.
Tutje, shefi i ekzekutivit tha se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet kryesore të tyre.
“Kjo mbledhje e sotme po mbahet me të njëjtën ditë me ditën e ushtrisë. Qeveria jonë ka treguar se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore dhe kjo është dëshmuar si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për ushtri që është trefishuar”, tha Kurti.



