Studiuesit thonë se kanë gjetur trajtimin e parë të ri për sulmet e astmës pas 50 vjetësh.
Injeksioni i zbuluar, zbut një pjesë të sistemit imunitar që mund të kalojë në mbingarkesë si në shpërthimet e astmës ashtu edhe të një gjendjeje të mushkërive të quajtur sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD).
E emërtuar si Benralizumab, ajo përdoret tashmë në rastet më të rënda, por hulumtimi i fundit sugjeron se mund të përdoret në mënyrë rutinore për rreth dy milionë sulme në Mbretërinë e Bashkuar çdo vit.
Ekipi hulumtues në King’s College në Londër tha se ilaçi ishte një “ndryshues i lojës” që mund të “revolucionarizonte” kujdesin.
Gjetjet rrjedhin nga realizimi se jo të gjitha sulmet e astmës janë të njëjta. Në vend të kësaj, pjesë të ndryshme të sistemit imunitar po reagojnë tepër në pacientë të ndryshëm.
“Tani ne mund të shohim se ka modele të ndryshme të inflamacionit. Ne mund të jemi më të zgjuar dhe të marrim trajtimin e duhur, për pacientin e duhur, në kohën e duhur”, tha Prof Mona Bafadhel, nga King’s.
Benralizumab synon një lloj të qelizave të bardha të gjakut – të quajtur eozinofil – që mund të shkaktojë inflamacion dhe dëmtim në mushkëri.
Eozinofilet janë të përfshirë në rreth gjysmën e sulmeve të astmës dhe një të tretën e shpërthimeve të COPD.
Nëse një sulm i tillë – që përfshin vështirësi në frymëmarrje, kollë dhe shtrëngim në gjoks – nuk mund të kontrollohet me inhalatorë të rregullt, atëherë mjekët aktualisht përshkruajnë një kurs steroid.
Studimi, me 158 njerëz, monitoroi pacientët për tre muaj pas trajtimit për një shpërthim.
Njerëzit e trajtuar me terapinë e re kishin më pak gjasa të shtroheshin në spital, të kishin nevojë për një rund tjetër trajtimi ose të vdisnin.
Prof Bafadhel tha se kjo mund të përfitojë një numër të madh njerëzish pasi dy milionë sulme në vit “nuk janë një numër i vogël”.
“Ky është një ndryshim i lojës, ne nuk kemi pasur një ndryshim në trajtim për 50 vjet – do të revolucionarizojë mënyrën se si i trajtojmë njerëzit kur ata janë vërtet të sëmurë”, tha Prof Bafadhel.
Vullnetarët raportuan gjithashtu simptoma të përmirësuara dhe një cilësi më të mirë të jetës me ilaçin e ri.
Por Benralizumab, nuk është gati për përdorim në shkallë të gjerë.
Do të duhet ende një provë më e madhe, që do të nisë në vitin 2025 dhe do të zgjasë dy vjet, për të qenë të sigurt për ndonjë përfitim. Kujtdo që tashmë i jepen këto barna duhet të vazhdojë të ndjekë recetën e tij.
Ky studim do të duhet gjithashtu të vlerësojë efektivitetin e kostos pasi antitrupat monoklonal, si kjo terapi, janë ilaçe të shtrenjta.
Por Dr Sanjay Ramakrishnan, nga Universiteti i Oksfordit, tha se puna e deritanishme “tregon premtime masive” dhe se trajtimi për COPD ishte “i mbërthyer në shekullin e 20” pavarësisht se ishte një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.
Përdorimi afatgjatë i steroideve është i lidhur me efekte anësore, duke përfshirë shtimin në peshë, diabetin dhe kockat e dobëta.