Me urdhër të SPAK, oficerët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesë e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tek zona e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet.
Burime për mediat bëjnë me dije se kanë qenë 5 oficerë të BKH-së, që janë paraqitur rreth orës 08:00 në banesën e Veliaj me mandate kontrolli, por janë përballur me një situatë të pazakontë, pasi kryebashkiaku apo familjarë të tij, nuk kanë pranuar t’u hapin derën për kontroll.
Vetëm pas mbi 1 orë pritje, oficerët e BKH janë futur për kontroll në banesën e kryebashkiakut ku ndodhen edhe aktualisht.
Prej kohësh, Veliaj është nën hetim pasuror nga SPAK, teksa është i përfshirë edhe në dosjen e inceneratorit të Tiranës, si dhe atë “5D” të drejtorëve të Bashkisë, por deri më tani Prokuroria e Posaçme nuk ka ngritur asnjë akuzë ndaj tij.
Më 30 Prill të këtij viti, Erion Veliaj dëshmoi për herë të parë dhe të vetme deri tani në SPAK, në lidhje me dosjen e inceneratorit të Tiranës, ku qëndroi për rreth 7 orë.