storm•/Books: “Sytë e saj blu si re” është libri më i ri poetik i Artan Kajtazit. Poezitë e tij nuk janë vetëm një pasqyrë e ndjenjave, por një reflektim i thellë mbi mënyrën se si individi përjeton dhe interpreton botën që e rrethon.
Vepra “Sytë e saj blu si re” është një udhëtim poetik që kap bukurinë dhe thellësinë e kompleksitetit të ndjenjave njerëzore.
Poezitë në këtë përmbledhje janë të mbushura me reflektime mbi ekzistencën, identitetin dhe marrëdhëniet njerëzore, duke përdorur natyrën si një pasqyrë të brendshme për perceptimet dhe mendimet filozofike.
Në këtë kontekst, ekzistencializmi shërben si një mjet për të kërkuar kuptim dhe identitet, duke reflektuar mbi qenien dhe natyrën e lidhjeve ndërmjet individëve.
Librin poetik “Sytë e saj blu si re” të autorit Artan Kajtazi e kanë vlerësuar studiues dhe kritikë nga Kosova dhe Shqipëria, duke e cilësuar si një vepër të veçantë që kontribuon në zhvillimin e letërsisë bashkëkohore shqipe.
Ata kanë theksuar disa aspekte kyçe të këtij libri, përfshirë filozofinë ekzistenciale, estetikën poetike dhe sensibilitetin e thellë, që autori shpreh përmes vargjeve të tij.
storm•/Vlerësimet: Disa nga vlerësimet dhe analizat e dhëna nga studiuesit, të cilat po i paraqesim në mënyrë të përmbledhur:
“Vëllimi poetik me titullin e bukur lirik “Sytë e saj blu si re”, na sugjeron një evokim të butë, një delikatesë përjetimesh e ëndërrimesh, duke e lidhur ngjyrën blu me një rrezatim të pasur ndjesish, siç janë melankolia, qetësia apo dashuria. Kur kësaj bluje i shtohet epitetizimi krahasues (“blu si re”), asociacionet na shpijnë në botën e imagjinatës: tundja e mendimeve dhe e shikimeve lëviz si një re që udhëton në qiell; është një rrjet asociacionesh poetike i lidhjes mes ideve, ndjesive dhe imazheve përmes një rrjedhe të lirshme”. – Prend Buzhala, studiues dhe shkrimtar
“Që në krye të herës duhet thënë se poezia e Artan Kajtazit është një poezi që i përket letërsisë moderne, totalisht e shkëputur nga letërsia shqiptare dhe e kultivuar së tepërmi gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe që vazhdon ende edhe në këtë periudhë të shekullit të njëzet e një. Kjo, më së shumti në përçimin e idesë filozofike, por edhe në formë dhe strukturë, me një mendim të ngjeshur e konciz”. – Kliton Nesturi, prozator, poet, publicist dhe dramaturg
“Përmbledhja me poezi “Sytë e saj blu si re”, e autorit Artan Kajtazi, ngërthen një rebus poetik të përveçëm. Shenjat estetike, që shpalosen si shqiptim i metaforës, rrokin unin e shumëngjyrtë, me anësim kah shkrimi i lirikës së pastër, pra të purolirikës. Ngjizja e universit letrar, vjen përmes dëshmisë lakonike, poezive koncize, të cilat e shndërrojnë fjalën në emblemë shpirtërore dhe artistike”. – Behar Gjoka, studiues dhe shkrimtar
storm•/Botuesi : Vepra poetik “Sytë e saj blu si re”, vjen nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Rugova Art”, me seli në Prishtinë.
storm•/DKRS-Prishtinë: Libri poetik “Sytë e saj blu si re” është mbështetur financiarisht nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prishtinës.
storm•/Jetëshkrim: Artan Kajtazi (1981) është magjistër i shkencave filologjike, i diplomuar në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Është autor i një numri të konsiderueshëm shkrimesh letrare / eseistike. Po ashtu, shkruan tregime të shkurtra dhe poezi. Libri i tij i parë ishte i natyrës kërkimore / shkencore “Autobiografia e Fan S. Nolit” (2016). Libri i dytë ishte poetik “Pemë e egër” (2023). Libër që u mirëprit mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Ky është libri i tij i tretë dhe i dyti me poezi.



