Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Edmond Lajçin për vrasjen e bashkëshortes.
Ai e ka pranuar fajësinë të martën, në seancën fillestare për rastin të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë.
Lajçi, sipas aktakuzës së ngritur më 19 nëntor nga Prokuroria Themelore në Pejë, akuzohet se më 16 prill, rreth orës 8 të mëngjesit, me dashje dhe me pistoletë e ka vrarë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në rrugën “Bill Klinton” në Pejë.
Në aktakuzë thuhet po ashtu se çifti ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se Lajçi ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes.
E në ditën kur ndodhi vrasja, në aktakuzë specifikohet se i akuzuari, pas kthimit në shtëpi nga qëndrimi gjatë natës në spital me nënën e tij që po trajtohej për një sëmundje, i ka kërkuar vajzës së tij që të dalë nga banesa për të blerë diçka në dyqan, me synimin që të mbetej vetëm me bashkëshorten.