Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje në zgjedhje në Kosovë që u mbajtën më 9 shkurt.
Kurti ka thënë se shteti ka identifikuar “shtatë instanca apo aktorë shtetërorë dhe joshtetëror të Serbisë” që e kanë bërë këtë.
Në zgjedhjet e fundit, ai ka deklaruar se format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të “përmirësimit të dukshëm të sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste si dhe mbylljes së strukturave ilegale”.
“Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbaj peng në zhvillimin e brendshëm politik por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, të luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale dhe terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet por edhe sulmet kibernetike”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të dielën me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje që të punojë kundër disa subjekteve serbe, veçanërisht partisë së Nenad Rashiqit dhe partisë Demokracia Serbe të Aleksandar Arsenijeviqit.
Institucionet e vendit, ai tha se “kanë dëshmi” për këtë ndërhyrje.
“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë të Nenad Rashiqit dhe Demokracia serbe të Aleksandër Arsenijeviq por edhe votuesit e komuniteteve tjera, kryesisht rom e ashkali. Përfaqësues të caktuar nga të gjitha subjektet tjera politike, janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë. Këto raste janë shënuar edhe në katër komunat veriore, edhe në gjashtë komunat tjera me shumicë serbe”, u shpreh Kurti.



