“Ancelottit i duhet një mrekulli”, është titulli i gazetës spanjolle AS pas eliminimit të Real Madridit nga Champions League, ku “Los Blancos” u mposhtën dy herë nga Arsenali: fillimisht me një 3-0 në “Emirates”, më pas me një 1-2 në “Santiago Bernabéu”.
Një dështim që i jep fund rrugëtimit të kampionëve në fuqi në kompeticionin më të rëndësishëm evropian dhe e vë nën presion të madh të ardhmen e Carlo Ancelottit në stolin e Realit.
Kontrata e italianit përfundon në verën e vitit 2026, por e ardhmja e tij tashmë duket e shkruar – sidomos nëse Reali nuk arrin të përmbysë avantazhin prej 4 pikësh që ka Barcelona në La Liga dhe të fitojë finalen e Kupës së Mbretit pikërisht ndaj rivalëve katalanas më 26 prill.
Pa këto dy suksese, rruga drejt shkarkimit duket pothuajse e pashmangshme.
Megjithatë, një skenar i bujshëm është hedhur në qarkullim nga Sky Sports në Angli: sipas tyre, Ancelotti mund të largohet menjëherë pas finales së Kupës së Mbretit.
Në horizont është kombëtarja e Brazilit, që do të ishte e gatshme ta kontraktojë para përfundimit të sezonit në Spanjë.
Një zhvillim që do t’i ndërlikonte planet presidentit Florentino Perez, i cili, sipas mediave spanjolle, kishte planifikuar largimin e Ancelottit në fund të sezonit.
Gjithçka do të varet nga ajo që do të ndodhë ndaj Barcelonës në Kupë dhe në kampionat.” Marca, nga ana e saj, nënvizon se Carletto “është kritikuar për mungesën e lojës dhe ndodhet në një situatë delikate për të ardhmen”.
Po kjo gazetë shton edhe një pikëpyetje të rëndësishme: “Nëse Ancelotti largohet, kur do ta bëjë? Sepse ka Kupën e Botës për Klube më 13 korrik dhe kampionati nis vetëm një muaj më pas.”
Sa i përket pasuesit të mundshëm në stolin e Realit, emri më i përfolur është ai i Xabi Alonsos – ish-mesfushor i Realit nga 2009 deri në 2014 dhe trajneri që udhëhoqi Bayer Leverkusen-in drejt titullit në Bundesliga sezonin e kaluar.
Nuk përjashtohet megjithatë as rikthimi për herë të tretë i Zinedine Zidane, apo një tentativë për të bindur Jurgen Klopp, i cili së fundmi ka lënë Liverpool-in.
Në Madrid, mrekullitë janë të pakta. Dhe për Carletton, ndoshta koha po mbaron.



