Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës i cili ishte atakuar në këtë organ nga 9 deputetët opozitarë të legjislaturës së tetë të Kuvendit.
Kushtetuesja ka vendosur se ndryshimet në këtë ligj nuk bien ndesh me kushtetutën dhe bazuar në këto konstatime kanë vendosur që i njëjti t’i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje.
“Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu që tha se Gjykata Kushtetuese sot i dha dritën e gjelbër reformës së madhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Angazhimi dhe përpjekja jonë për një reformë rrënjësore në sistemin prokurorial, më në fund po merr drejtimin e merituar. Pas një përpjekjeje e rruge tejet të gjatë, të ballafaquar me jo pak sfida e pengesa, me bojkotime e vonesa, sot Gjykata Kushtetuese ka njoftuar dhe ka validuar ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo e ka quajtur fitore të madhe për reformën dhe për tërë sistemin e drejtësisë.
“Rrjedhimisht KPK nuk do të funksionojë tutje bazuar në interesat grupore, politike e klanore, dhe nuk do ta ketë përbërjen korporatiste me anëtaret pabalancuar e të dominuar pothuajse 100 % me prokurorë, e të cilat, vetëm dëme të pa-riparusheme i sollën vet sistemit”, shkroi tutje ministrja në detyrë.
Sipas saj, KPK do të funksionojë e ri-organizuar, me përbërje sipas standardeve më të mira ndërkombëtare dhe profesionale, por gjithashtu, me kriteret profesionale të përbërjes e llogaridhënies.
“Ndryshimet e tilla, përveçse do ta eliminojnë këtë lloj të funksionimit, te keqmenaxhimit e korporatizmit në KPK, ato gjithashtu sistemit do t’i sjellin profesionalizëm e integritet, transparencë dhe llogaridhënie, me synimin e rritjes së efikasitetit profesional, rritjes së integritetit dhe besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, tha ajo.
Haxhiu ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces.