Numri një i futbollit në Shqipëri, Armand Duka, ka reaguar nëpërmjet një postimi në mediat sociale në lidhje me barazimin e kuqezinjëve të drejtuar nga Sylvinho me Serbinë (0-0) në Tiranë.
Ai vuri theksin te loja e kuqezinjëve dhe ajo që lojtarët e Shqipërisë treguan në fushë.
”Një ndeshje e bukur, që mund ta kishim fituar”, shkroi Duka në mediat sociale.
”Barazojmë 0-0 me Serbinë dhe ajo që na motivon më së shumti për të ardhmen është loja e bërë, vetëbesimi i lojtarëve, autoriteti i tyre në fushë. I kishim të gjitha mundësitë për të marrë tre pikët, që do të kishin qenë të merituara nga ana jonë. Gjithsesi futbolli i tillë, jo gjithmonë prodhon rezultatin që meriton. Përgëzime për djemtë e ekipit, për gjithçka dhanë në fushë, trajnerin Sylvinho dhe stafin teknik për punën e bërë për përgatitjen e ndeshjes dhe për mënyrën se si e drejtuan skuadrën sot. Falënderojmë edhe tifozët, që sërish ishin në mbështetje të Kombëtares dhe besuan e i dhanë kurajo skuadrës për të marrë maksimumin në fushën e blertë. Tani duhet të shohim përpara, ndeshja me Letoninë vjen shpejt dhe duhet të jemi gati për të që të japim më të mirën dhe të marrim tre pikët”, përfundoi Duka.