Anija turke “Moliva”, që mban 102 kontejnerë ku dyshohet se ka materiale të rrezikshme, ka mbërritur mëngjesin e kësaj të hëne në Portin e Durrësit.
Por me t’u ankoruar, ajo është bllokuar me vendim të Prokurorisë së Durrësit, e cila ka vendosur që e njëjta të sekuestrohet.
“Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e konteniereve në lidhje me proçedimin penal nr.1596/2024. Të gjithë subjektet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.
Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vënd të sigurtë si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre.
Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”.
Anija e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme mbërriti në portin e Durrësit sot rreth orës 07:30.
Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.
Hetimet po kryhen në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF), ndërsa më herët qeveria ka thënë se “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.
Në Portin e Durrësit ndodhen edhe përfaqësues të Rrjetit të Bazelit (BAN), të cilët ishin ata që ngritën alarmin për ngarkesa me mbetje të rrezikshme.
Rrjeti Bazelit kërkon që të jetë pjesë e procesit të monitorimit të marrjes së mostrave dhe analizave të mbetjeve.
Vetë BAN thotë se dyshimet janë se mund të përmbajë pluhur toksik të furrës së çelikut.
Pas 3 muajve lundrim në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, mbërritën ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali.