Shqipëria është tronditur sot nga tre vrasje me thikë të ndodhura brenda pak orësh, në Durrës, Tiranë dhe Berat. Në të gjitha rastet, sipas hetimeve paraprake, shkaku ka qenë konflikti për motive të dobëta.
Në Durrës, një 25-vjeçar me probleme të shëndetit mendor, Marian Kodheli, vrau me thikë babain e tij Pjetër Kodheli, 69 vjeç, në banesën e tyre në fshatin Shkallnur. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, ndërsa autori është arrestuar nga policia.
Në Tiranë, një picier 42-vjeçar, Filip Shehi, goditi me thikë kolegun e tij Indrit Ismaillari, 34 vjeç, në një lokal pranë Komunës së Parisit. Viktima u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetonte. Autori është ndaluar menjëherë nga policia dhe ka deklaruar se e goditi pasi “viktima e bullizonte”.
Ndërkohë, në Berat, një 63-vjeçar, Kristo Mema, pas një zënke, vrau me mjet prerës 42-vjeçarin Keli Hoxha. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 15:10 në lagjen e Kalasë. Behet me dije se viktima, Keli Hoxha ishte vizitor, i cili kishte shkuar në qytetin e Beratit për të vizituar kalanë. Të njëjtat burime raportojnë se debati ka nisur për një kalë, me të cilin autori shëtiste turistët nëpër kala.
Në të tre rastet, grupet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjeve që kanë tronditur opinionin publik.



